Bota 9 Prill 2023, 11:39

Si propaganda ruse e sponsorizuar fuqishëm në media, rriti ndjenjat anti-evropiane në Maqedoninë e Veriut

Shkruar nga Xhelal Neziri

Si propaganda ruse e sponsorizuar fuqishëm në media, rriti ndjenjat

Propaganda ruse u përpoq të ndërtonte narrativa që synonin dëmtimin e imazhit të NATO-s e BE-së dhe forcimin e lidhjeve të popullit maqedonas me Rusinë...

“Anëtarësimi në NATO është i dëmshëm, i kushtueshëm, por edhe tradhtar pasi Greqia merr kontrollin e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut”. “ Rusia ka epërsi ushtarake dhe shkencore ndaj NATO-s dhe BE-së” . "Fuqia ushtarake e BE-së dhe e SHBA-së nuk mund t'i rezistojë fuqisë ushtarake të Rusisë". “Rusia dhe Kina i kanë trajtuar më së miri krizat me pandeminë COVID-19, këto dy vende kanë solidaritetin më të madh, ndërsa Perëndimi është egoist për të ndihmuar të tjerët”. “Perëndimi është i ndarë në përpjekjet e tij për të marrë vendime kundër agresionit rus në Ukrainë”. Sanksionet e BE-së, SHBA-së dhe vendeve të tjera kundër Rusisë nuk do të jenë efektive dhe do të tërhiqen sepse vetëm vendet perëndimore do të vuajnë nga këto sanksione. “Putini është një udhëheqës i fortë që mbron interesat e popullit rus dhe të gjithë botës ortodokse”.

Këto janë narrativat që kanë qenë më të pranishme në publikun e Maqedonisë së Veriut që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe shpalli luftën e tmerrshme që po zhvillohet aktualisht në Ukrainë.

Narrativa dhe propaganda nuk janë e njëjta gjë. Nuk është një sinonim ku dy fjalë të ndryshme nënkuptojnë të njëjtën gjë. Narrativa është tregimi i një historie për ngjarje të veçanta, ndërsa propaganda është një operacion strategjik për të shpërndarë mesazhe për publikun mbi të cilin kanë një qëllim të caktuar. Propaganda përmban figura ose detaje të rreme ose të kornizuara (teoria e kornizës), ndërsa paketimi i tyre si narrativë është një mënyrë më efikase për t'i shërbyer.

Propagandë e sofistikuar

Të dhënat për pronësinë e mediave nga Regjistri Qendror i Maqedonisë (CRM) tregojnë se asnjë medium i vetëm në vend nuk është në pronësi të një shtetasi apo kompanie ruse. Megjithatë, analiza e katër mediave në gjuhën maqedonase tregon se narrativat ruse janë më se të pranishme në sferën mediatike lokale. Për këtë analizë, mbulimi u vëzhgua në portalet “Russia Beyond (RB)”, “Think”, “Antropol” dhe “Kukuriku”. Këto media online kanë promovuar qëndrimet ruse për agresionin ndaj Ukrainës, qëndrimin e Rusisë ndaj NATO-s dhe BE-së dhe në të njëjtën kohë lartësojnë figurën e presidentit rus, Vladimir Putin.

Në mënyrë eksplicite, qëndrimet ruse për çështjet kryesore gjeopolitike i përfaqëson kryesisht portali  “think.mk”, në pronësi të Daniel Kraljevskit. Ky portal u krijua më 28 shkurt 2022, vetëm një ditë pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës. Russia Beyond (RB) është një media online shumëgjuhëshe që promovon interesat e Rusisë në disa fusha gjuhësore. Sipas përshkrimit të vetë medias, RB është një projekt multimedial ndërkombëtar i menaxhuar nga organizata autonome jofitimprurëse “TV-Novosti”. Por mediat perëndimore e kanë përshkruar RB-në si një mjet tjetër propagandistik të Moskës që ndryshon në mbulimin e saj nga media shtetërore, por që luan të njëjtin rol. Ky medium ka botime në gjithsej 14 gjuhë, duke përfshirë maqedonishten.

Mediat lokale pro-ruse nuk e fshehin preferencën e tyre për dy partitë margjinale në skenën politike në Maqedoninë e Veriut – e para është “Levica” dhe Dimitar Apasiev, e cila ka 2 deputetë dhe e dyta është “Edinstvena Macedonia” e Janko Bacev e cila aktualisht nuk është e përfaqësuar në parlament.

Përveç portaleve, faqet dhe grupet në “Facebook” janë dinamike dhe mjaft aktive. Aktivizimi maksimal i tyre ishte në drejtim të thellimit të mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, veçanërisht pas arritjes së marrëveshjes për heqjen e vetos për fillimin e negociatave me BE-në në mesin e vitit 2022. Protestat në Shkup kundër kësaj marrëveshjeje u promovuan pikërisht nga media të tilla online që synonin t'i kthenin këto protesta në përplasje etnike mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

Ndryshe nga RB si një media me bazë në Rusi, mediat e monitoruara nga Maqedonia e Veriut janë më pak të angazhuara në promovimin e interesave ruse në vend dhe rajon. Disa nga këto media kanë qenë më hezituese për të shpërndarë narrativa për Rusinë dhe më të hapura ndaj lajmeve që promovojnë rolin konstruktiv të NATO-s dhe BE-së pas miratimit të marrëveshjes së Prespës dhe amendamenteve kushtetuese në vitin 2018. Në përgjithësi, RB është e fokusuar në publikimin e komenteve , intervista, analiza dhe lajme që nxjerrin në pah epërsinë ushtarake të Rusisë ndaj vendeve të NATO-s dhe afërsinë kulturore të Rusisë me popullin maqedonas.

Propaganda ruse u përpoq të ndërtonte narrativa që synonin dëmtimin e imazhit të NATO-s dhe BE-së dhe forcimin e lidhjeve të popullit maqedonas me Rusinë. Që nga formimi i saj, Maqedonia e Veriut ka pasur si orientim strategjik integrimin në strukturat euroatlantike. Anëtarësimi i saj në NATO më 30 mars 2020 dhe data e fillimit të negociatave të anëtarësimit me BE u kushtëzuan me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë.

Procesi i arritjes së kompromisit, negociatat, nënshkrimi i marrëveshjes, referendumi, miratimi i amendamenteve të Marrëveshjes për ndryshimin e Kushtetutës dhe procesi i zbatimit të saj u pasuan me propagandë të fortë antiperëndimore. Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese që rezultuan nga Marrëveshja e Prespës, narrativa pro-ruse përbëhej nga informacione që tregonin epërsinë e Rusisë ndaj NATO-s dhe BE-së, veçanërisht para dhe pas fillimit të agresionit kundër Ukrainës.

Agresioni rus kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e tij të dytë, duke krijuar një realitet të ri gjeopolitik që e ka shndërruar median nga një mjet informacioni në një armë të sofistikuar. Prania ruse në hapësirën mediatike të Maqedonisë së Veriut u rrit me fillimin e agresionit kundër Ukrainës në shkurt të këtij viti. Paralelisht me veprimet ushtarake në terren, palët filluan edhe një luftë mediatike për të krijuar një audiencë botërore në mbështetje të agjendës së tyre. Në përgjigje të kësaj propagande të shtuar, media shtetërore ruse RT dhe Sputnik u ndaluan nga qeveria të transmetoheshin nga operatorët kabllorë të vendit. Megjithatë, ndikimi rus vazhdoi të përhapet përmes disa kanaleve televizive serbe dhe bullgare të pranishme në platformat dixhitale dhe kabllore të vendit .

Megjithatë, ndikimi i Rusisë nëpërmjet ndërtimit të narrativave pro-Putin, anti-NATO dhe anti-BD mbetet një shqetësim i madh për sigurinë dhe demokracinë e vendit. Sondazhet e fundit të besueshme tregojnë një rritje të ndjeshme të ndjenjave anti-evropiane, me 34% të qytetarëve të Maqedonisë veriore që kundërshtojnë integrimin në BE. Kjo është përqindja më e lartë e ndjenjave anti-evropiane në Ballkanin Perëndimor, përpara Serbisë me 32%. Kjo natyrshëm ka ngjallur reagime në Bruksel, veçanërisht në lidhje me Shkupin, ku duket se mediat dhe sektori joqeveritar i mbështetur nga fondet evropiane nuk kanë arritur të japin rezultatet e pritura./ The Geopost

propaganda ruse maqedoni