TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Mars 2026, 15:47

Skandal në Malin e Zi, zbulohet arsenali i ish-Presidentit; 12 armë në emër të Milo Gjukanoviç

Shkruar nga Pamfleti
Skandal në Malin e Zi, zbulohet arsenali i ish-Presidentit; 12 armë
Ish-Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç

Vetëm në janar të vitit 2025 ai kërkoi leje për revolverin që ia kishte dhuruar më 2 shtator 2020 ish-shefi i Drejtorisë së Zbulimit dhe Sigurisë Ushtarake, Miljan Peroviç...

Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, është i armatosur rëndë. Në emrin e tij janë të regjistruara 12 armë, ndërsa vlefshmëria e lejeve për dy prej tyre ka skaduar që në vitin 1996.

Pistoletën “Ruger LCR 38 Special +P”, të cilën e mori më 2 shtator 2020 nga drejtori i atëhershëm i Drejtorisë së Zbulimit dhe Sigurisë të Ushtrisë së Malit të Zi, Miljan Peroviç, ai e raportoi te autoritetet vetëm në janar të vitit 2025.

Kjo rezulton nga përgjigjet që Ministria e Punëve të Brendshme (MUP) i ka dërguar gazetës “Vijesti”.

“Pas verifikimit në evidencën elektronike ‘Armët’ të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është konstatuar se personi për të cilin keni shprehur interes është i evidentuar si pronar i 12 armëve për të cilat janë lëshuar dokumente për armë, përkatësisht leje për mbajtje dhe leje për mbajtje dhe bartje të armëve. Për dy armë vlefshmëria e lejeve ka skaduar në vitin 1996, ndërsa për 10 armë zjarri ai posedon leje të vlefshme”, thuhet në përgjigjen e MUP për “Vijesti”, në pyetjen nëse Milo Gjukanoviç është i regjistruar në regjistrat e ministrisë si person me leje për mbajtje ose bartje të armëve të zjarrit.

Pavarësisht këtij arsenali, ish-kreu i shtetit nuk i ka deklaruar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (ASK) asnjë armë të regjistruar në emrin e tij apo të marrë si dhuratë, thanë së fundmi për “Vijesti” nga kjo agjenci dhe paralajmëruan hapjen e një procedure të re për të përcaktuar nëse ai ka shkelur ligjin.

Edhe pse për 5 vjet nuk e kishte raportuar pistoletën e marrë dhuratë nga Drejtoria e Zbulimit dhe Sigurisë, në vendimin me të cilin arma i ishte dhuruar thuhet qartë se ai është i detyruar ta ruajë dhe ta përdorë në përputhje me Ligjin për Armët.

Në vendimin për dhurimin e pistoletës për ish-presidentin e atëhershëm të shtetit thuhet se arma i është dhënë për kontributin e tij të veçantë në zhvillimin dhe afirmimin e sektorit të zbulimit dhe sigurisë në fushën e mbrojtjes, në përputhje me nenin 32, paragrafi 2 të Ligjit për Shërbimet Ushtarako-Zbuluese dhe të Sigurisë.

Ky nen përcakton se 2 shtatori është Dita e Shërbimeve Ushtarako-Zbuluese dhe të Sigurisë dhe se, me këtë rast, drejtori mund të ndajë çmime ose mirënjohje.

“Mirënjohjet, sipas paragrafit 2 të këtij neni, janë dhurata dhe falënderime. Pamja e falënderimit, llojet e dhuratave dhe mënyra e dhënies së çmimeve ose mirënjohjeve përcaktohen nga Ministria”, thuhet në ligj.

Megjithëse “Ruger”-in e mori në vitin 2020 për këtë ditë përkujtimore, ai kërkoi leje për ta regjistruar vetëm në janar të vitit 2025, që do të thotë se për gati pesë vjet e mbajti revolverin pa e regjistruar.

“Personi për të cilin keni shprehur interes gjatë vitit 2025 ka raportuar një armë zjarri të shkurtër gjysmëautomatike ose me përsëritje, ndërsa baza e regjistrimit ishte dhurata sipas vendimit të Ministrisë së Mbrojtjes nga viti 2020. Kërkesa për regjistrimin e armës është paraqitur më 28 janar 2025”, thuhet në përgjigjen e MUP.

Skandal në Malin e Zi, zbulohet arsenali i ish-Presidentit; 12 armë

Nga Ministria sqarojnë gjithashtu se MUP nuk merr informacione për faktin nëse dikush ka marrë armë zjarri si dhuratë, derisa ai person të paraqesë kërkesë për lëshimin e lejes për armë.

“Për armën në fjalë personit i është lëshuar leja për mbajtje të armës më 7 mars 2025, në bazë të vendimit për dhënien e dhuratës si dëshmi për origjinën e armës. Për vendimmarrjen mbi këtë kërkesë janë siguruar provat e nevojshme sipas Ligjit për Armët (ekstrakt nga evidencat penale dhe kundërvajtëse, dëshmi nga gjykatat kompetente se nuk zhvillohen procedime penale ndaj personit, shënim zyrtar i policisë se nuk ekzistojnë rrethana që mund të tregojnë keqpërdorim të armës, certifikatë për aftësinë për përdorimin e armës dhe vërtetim mjekësor për aftësinë shëndetësore për mbajtjen dhe bartjen e armës). Në bazë të këtyre provave është marrë vendimi përkatës”, thuhet në përgjigje.

Ata theksuan se Ligji për Armët parashikon si dokument “miratimin për blerjen e armës” së kategorisë B për personat fizikë, i cili lëshohet nëse personi plotëson kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara me ligj.

Sipas ligjit, një person që blen armë është i detyruar që brenda tetë ditëve nga dita e blerjes të paraqesë kërkesë për lëshimin e lejes për armë.

Ministria thekson se neni 107 paragrafi 1 i Ligjit për Armët parashikon gjobë nga 30 deri në 500 euro nëse kërkesa për lejen e armës nuk paraqitet brenda tetë ditëve nga blerja.

Megjithatë, ligji nuk përcakton procedurë të veçantë në rastin kur arma jepet si dhuratë nga persona fizikë apo institucione, prandaj në praktikë dhurata nga institucionet trajtohet si dëshmi e origjinës së armës dhe në këto raste paraqitet drejtpërdrejt kërkesa për leje.

Në rastin konkret, sipas vendimit të Ministrisë së Mbrojtjes me të cilin është dhënë pistoleta, nuk ishte përcaktuar afat për paraqitjen e kërkesës për regjistrim, por vetëm se:

“Personi nga pika I është i detyruar ta ruajë dhe ta përdorë armën në përputhje me dispozitat e Ligjit për Armët”, shpjegojnë nga MUP, që drejtohet nga Danilo Saranoviç.

Se ish-presidenti ka armë në emrin e tij e bëri të ditur edhe avokati Nikola Martinoviç, përfaqësuesi ligjor i vëllait të tij të arrestuar, Aco Gjukanoviç, pasi klienti i tij u mor në pyetje më 28 shkurt në Prokurorinë Themelore të Nikshiqit për dyshimin për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe materialeve shpërthyese.

Martinoviç tha se një pjesë e armëve të gjetura i përkasin Milo Gjukanoviçit, ndërsa një pjesë janë trashëguar nga babai i tyre i ndjerë dhe për to, sipas tij, ekziston dokumentacion.

Nga kabineti i ish-presidentit nuk iu përgjigjën pyetjeve të “Vijesti” se pse në raportet e pasurisë gjatë viteve nuk është deklaruar asnjë armë.

“Pas verifikimit në evidencën e raporteve për të ardhurat dhe pasurinë e ish-funksionarit publik, është konstatuar se ai nuk i ka raportuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit pronësinë mbi armë. Agjencia do të nisë procedurë për të përcaktuar faktet dhe provat përkatëse. Publiku do të informohet për rezultatin pas përfundimit të procedurës”, thanë nga ASK, që drejtohet nga Dusan Drakiç.

Biznesmeni Aco Gjukanoviç është vendosur në paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes, pasi dyshohet për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe materialeve shpërthyese.

Nëse arma do të ishte gjetur para vitit 2025, do të shqyrtohej përgjegjësia penale

Nga përgjigjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme për “Vijesti” rezulton se, nëse policia do ta kishte gjetur pistoletën e dhuruar te ish-kryeministri dhe ish-presidenti gjatë periudhës nga shtatori 2020 deri në janar 2025, prokuroria do të duhej të shqyrtonte nëse ekzistonte vepra penale e mbajtjes pa leje të armëve dhe materialeve shpërthyese.

Ata shtojnë se zyrtarët e MUP-it nuk mund të dinë për dhurimin e armëve nga institucione të tjera.

“Një situatë e ngjashme ndodh edhe në rastin e trashëgimisë së armëve, ku procedurat e trashëgimisë zgjasin me vite, ndërsa armët mbeten te anëtarët e familjes dhe nuk mund të regjistrohen pa vendimin përfundimtar të trashëgimisë”, thuhet në përgjigje.

Ministria thekson gjithashtu se ish-presidentët dhe funksionarët e tjerë publikë nuk janë të përjashtuar nga zbatimi i Ligjit për Armët.

“Sipas Ligjit për Armët rregullohen blerja, mbajtja, bartja, grumbullimi dhe transporti i armëve të kategorisë B për persona fizikë dhe juridikë që plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj, pa përjashtime për ish-presidentë apo funksionarë të tjerë publikë”, thuhet në përgjigje. /Përshtati Pamfleti/

 

mali i zi armet gjukanovic

Lini një Përgjigje