Sulmet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli goditën një sërë objektesh strategjike në Teheran dhe, sipas të dhënave të konfirmuara nga burime amerikane dhe izraelite, eliminuan 48 figura të larta të strukturës drejtuese iraniane brenda pak orësh.
Analiza e pamjeve filmike dhe imazheve satelitore tregon se goditjet u përqendruan në zemër të aparatit shtetëror, raporton CNN.
Mes objektivave kryesore ishte kompleksi ku ndodhej rezidenca dhe zyra e Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili tashmë konfirmohet i vdekur. Zona përreth përfshin institucione shtetërore, qendra shkencore dhe muze, në një lagje tradicionale të kryeqytetit iranian. Khamenei qëndronte zakonisht brenda këtij kompleksi dhe ishte parë aty edhe ditët e fundit gjatë një aktiviteti publik në një xhami.
Burime nga shërbimet inteligjente amerikane dhe izraelite bëjnë të ditur se operacioni u përgatit për muaj me radhë.
CIA dhe inteligjenca izraelite monitoruan lëvizjet e drejtuesve iranianë dhe analizuan momentet kur disa prej tyre ndodheshin në të njëjtin vend. Sipas këtyre burimeve, objektivi ishte goditja e strukturës komanduese në një interval kohor të kufizuar.
Brenda kompleksit të Khameneit, sulmet goditën njëkohësisht tre objekte.
Pamjet tregojnë një ndërtesë qendrore të shkatërruar plotësisht dhe dy kratere pranë saj. Njëri prej tyre duket se ka pasur në shënjestër një strukturë nëntokësore. Në zonë shihen edhe automjete të dëmtuara.
Operacioni përfshiu edhe selinë e Ministrisë së Inteligjencës, ku shpërthimet shkaktuan zjarr të madh. Një tjetër sulm u regjistrua pranë banesës së ish-presidentit Mahmoud Ahmadinejad. Disa media iraniane raportuan për vdekjen e tij, por ky informacion nuk ka marrë konfirmim të pavarur.
Autoritetet iraniane raportuan gjithashtu për vdekjen e Ali Shamkhanit, këshilltar i lartë i Udhëheqësit Suprem. Ai kishte mbijetuar më herët dy tentativa të mëparshme, përfshi një goditje të saktë ndaj apartamentit të tij në katin e fundit të një ndërtese. Këtë herë ai nuk i shpëtoi sulmit.
Jo të gjithë zyrtarët ndodheshin në vend. Ministri i Jashtëm Abbas Arakchi ishte në Gjenevë gjatë kësaj jave dhe ishte takuar me homologë të huaj disa ditë para sulmeve. Qëndrimi jashtë Iranit e mbajti larg zonave të goditura.
Goditjet vazhdojnë edhe ndaj objektivave të tjerë. Një mesazh i publikuar të dielën në mëngjes tregoi një tjetër sulm ndaj selisë së Gardës Revolucionare Islamike, njësia elitare e forcave të armatosura iraniane.
Situata mbetet e tensionuar. Irani ka ndërmarrë kundërpërgjigje ushtarake, ndërsa zhvillimet e mëtejshme priten të përcaktojnë drejtimin e përplasjes.
Lini një Përgjigje