Bota25 Prill 2023, 13:20

“Skifteri” i Putinit kërcënon sërish: Po shkojmë drejt një lufte të re botërore

Shkruar nga Pamfleti
“Skifteri” i Putinit kërcënon sërish: Po shkojmë
Dmitry Medvedev

Aleati më i ngushtë i Vladimir Putin, Dmitry Medvedev paralajmëroi se bota është me shumë gjasa në prag të një lufte të re botërore, duke shtuar se rreziku i një përballjeje bërthamore ishte në rritje.

Sipas Medvedev asnjë prej këtyre skenarëve nuk është i pashmangshëm.

“Bota është e sëmurë dhe me shumë mundësi është në prag të një lufte të re botërore”, tha ish-presidenti rus në një konferencë për sigurinë në Moskë.

Medvedev, i cili pas rokadave të pushtetit me Putinin mban postin e zëvendësdrejtuesit të Këshillit të Sigurisë në Rusi, bën shpesh deklarata bombastike dhe kërcënuese, ku parashikon fund tragjik për “armiqtë e Rusisë”.

Tonet e tij janë ashpërsuar që prej nisjes së luftës në Ukrainë, të cilën Medvedev e mbështet pa kushte.

Duke qëndruar tek Rusia, “skifteri” i Putinit  pak kohë më parë kërcënoi se Ukraina do të zhduket nga faqja e dheut, pasi askush nuk ka nevojë për të.

“Ai shtet është një keqkuptim që doli nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik”, tha Dmitry Medvedev, ish president dhe aktualisht zëvendëskryetar i këshilli të sigurisë të Rusisë.

“Ne aktualisht kemi nevojë për një Rusi të madhe”, përfundoi zyrtari, ndër miqtë më të mirë të presidentit Vladimir Putin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se bota po përballet me dekadën më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai e konsideron luftën në Ukrainë si një betejë ekzistenciale ndaj, siç është shprehur, një Perëndimi agresiv dhe arrogant.

Lideri rus ka deklaruar se shteti i tij do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për ta mbrojtur veten ndaj çdo agresori.

vladimir putin putin luftë botërore