Nëse fiton Harris dhe Blinken mbetet Sekretar i Shtetit, Netanyahu do të jetë në gjendje të vazhdojë me strategjinë e mjegullt që ka ndjekur deri tani. Nëse fiton Trump, gjërat për të mund të ndërlikohen...

Ditët e fundit po flitet për një armëpushim 48-orësh me synim lirimin e 4 pengjeve në Gaza, dhe për negociatat për t’i dhënë fund luftimeve në Liban. Në këtë mënyrë, palët do të kenë të paktën 60 ditë kohë për të hedhur themelet për zbatimin e rezolutës nr.1701 të OKB-së, e cila parashikon krijimin e një zone të çmilitarizuar në kufi me Izraelin.
Një plan, në të cilin ushtria libaneze dhe OKB-ja do të luanin një rol të rëndësishëm. Por Filippo Landi, ish-korrespondent i RAI-t nga Jeruzalemi dhe më pas korrespondent i “Tg1 Esteri”, thotë se demokratët amerikanë kanë shumë nevojë për votat e komunitetit arabo-mysliman në Michigan, dhe negociatat duhen parë edhe në këtë kontekst.
Ndërkohë objektivi real i Izraelit mbetet boshatisja e plotë e Gazës Veriore nga palestinezët dhe vendosja aty e kolonëve izraelitë, siç e parashikon plani i mbështetur publikisht nga ministri Smotrich. Gjithsesi, skenari mund të ndryshojë në bazë të rezultateve të zgjedhjeve në SHBA. Po ashtu, duhet pasur parasysh se lufta po dëmton interesat ekonomike amerikane:produktet e Coca Cola dhe McDonald’s po vazhdojnë të bojkotohen në shumë vende myslimane.
Një armëpushim në Gaza, një plan paqeje në Liban. A mund të prodhojnë diçka negociatat?
Jemi shumë pranë zgjedhjeve në SHBA. Partia Demokratike duhet të bindë komunitetet arabo-myslimane të një shteti kyç si Michigan, se mund të ndryshojnë politikat e Biden dhe Harris në Lindjen e Mesme. Zgjedhjet e afrojnë mundësinë e një armëpushimi, por njëherazi tregojnë gjithë brishtësinë e tij. Vetë Netanyahu ka thënë se nuk mund të flitet ende për një fund të luftës në Gaza.
Kjo do të thotë se sapo të mbarojnë ditët e armëpushimit, ai do të ndjehet i lirë të rifillojë veprimet ushtarake, por edhe procesin e kolonizimit të ri të Rripit, që është bërë më i qartë në Izrael ditët e fundit. Ideja, e mbështetur nga partitë e krahut të djathtë, është të dërgohen kolonë të rinj hebrenj në Gaza, me stimuj taksash etj.
A ka më shumë gjasa të kenë sukses negociatat për Libanin?
Ndërsa flasim mbi një armëpushim të shkurtër në Gaza dhe një plan paqeje për Libanin, s’duhet të harrojmë se si kurrë më parë bombardimet në të dyja zonat, kanë shkaktuar një dhunë të paprecedentë muajt e fundit. Izraeli dëshiron të rikonfirmojë kapacitetin e tij shkatërrues, ndërsa parlamenti, Knesset, po e ndalon me kërkesën e qeverisë, UNRWA, organizatën e OKB-së për ndihmën ndaj palestinezëve.
Çfarë peshë politike ka ky vendim?
Izraeli ka një qëndrim kontradiktor:po i kërkon OKB-së të ndryshojë mënyrën e angazhimit të saj paqeruajtës në Liban, duke i shtyrë ato në një përplasje ushtarak me Hezbollahun, në këmbim të një lehtësimi të mundshëm të ndalimit kundër UNRWA-s. Ndërkohë e pengon atë të veprojë në zonat ku ndodhen shumica e palestinezëve.
Negociatat për Libanin, parashikojnë një rol të ri për ushtrinë libaneze. A mund të ishte mjeti i duhur për të qetësuar situatën në kufi?
Një problem tjetër, është përpjekja për të përfshirë institucionet politike dhe ushtarake libaneze në një perspektivë të re, duke menduar zhvendosjen e ushtrisë së Bejrutit në jug, të vetëdijshëm (izraelitët po, ndërsa më pak komuniteti ndërkombëtar) se bërthama kryesore është suite, dhe se ushtria duhet të shkojë atje për të luftuar Hezbollahun, si dhe një popullsi që në pjesën jugore të vendit është kryesisht shiite. Kjo mund të jetë premisa e një lufte tjetër civile në Liban.
Hezbollah ka emëruar Naim Qassem si udhëheqësin e tij të ri. A po riorganizohet pas vrasjeve të liderëve të mëparshëm?
Është një emërim shumë pragmatik. Ashtu si në rastin e Sinwar, është ekspozuar në publik një person që mund të jetë objektivi i ri i izraelitëve. I rëndësishëm, por paradoksalisht i sakrifikueshëm. Hezbollahu tregoi se vrasja e Nasrallah dhe komandantëve të tij, nuk e zvogëloi kapacitetin e tij operacional.
Raketat dhe raketat e lëshuara nga Libani, kanë arritur në shumë baza ushtarake izraelite, dhe sa herë që IDF-ja depërton në Libanin Jugor, ndeshet me një rezistencë shumë të ashpër. Numri i të vdekurve dhe të plagosurve tek ushtarët e saj është rritur shumë. Ndaj janë shtuar edhe bombardimet ditët e fundit, veçanërisht në Tiro, me një stil hakmarrës që nuk ka të bëjë fare me objektivat ushtarake të Hezbollahut.
Ditët e fundit, ministri izraelit Smotrich ka kërkuar zaptimin e Gazës dhe Bregut Perëndimor nga kolonë të tjerë. Por kolegu i tij në qeveri Gallant e kundërshton kontrollin e drejtpërdrejtë të Rripit nga Izraeli. A e dëmtojnë këto pozicione kontradiktore unitetin e qeverisë ? Apo linja dominuese tani është ajo e partive të djathta?
Nuk është një rastësi që Ministri i Mbrojtjes, shpreh rezerva për pushtimin ushtarak dhe civil të Gazës. Ai e mban mend shumë mirë se në vitin 2005 gjenerali Sharon tërhoqi 8000 kolonë nga Gaza dhe ushtarët izraelitë që kishin detyrën t’i mbronin ata, sepse niveli i luftës guerile, i të vrarëve dhe plagosurve nga ushtria ishte rritur ndjeshëm. Ndaj Gallant nuk dëshiron të ngulitet sërish atje.
Një rrezik që i kanoset edhe sot?
Plani që do të zbatohet në veri të Gazës, dhe që përfshin shpërnguljen e 400 mijë palestinezëve, tregon se ushtria po i plotëson kërkesat e partive të djathta, duke e boshatisur këtë pjesë të Rripit, për të qenë në një situatë më të mirë muajt e ardhshëm dhe më të kontrollueshëm nga pikëpamja ushtarake.
A do të zinin kolonët një zonë tërësisht të zbrazët?
Në vitin 2005, popullsia palestineze jetonte midis vendbanimeve. Disa strategë mendojnë të vendosin kolonitë e reja në një territor të zbrazur nga palestinezët. Ka një kontradiktë midis asaj që thotë Gallant, që do të donte t’ia besonte kontrollin e Gazës ANP-së apo një kontigjenti arab, dhe atyre që tashmë po punojnë për të zbatuar planin e Smotrich.
A është kjo strategjia e vërtetë e Izraelit?
I përballur me presionin e Egjiptit për një armëpushim të shkurtër në Gaza, Netanyahu, përsëriti se nuk do të ketë diçka të tillë. Objektivi është pushtimi i Gazës dhe dëbimi i palestinezëve nga pjesa veriore e Rripit.
Për të kuptuar skenarët e ardhshëm, a do të jetë ende e nevojshme të presim mbarimin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA?
Nëse fiton Harris dhe Blinken mbetet Sekretar i Shtetit, Netanyahu do të jetë në gjendje të vazhdojë me strategjinë e mjegullt që ka ndjekur deri tani. Nëse fiton Trump, gjërat për të mund të ndërlikohen. Mbetet të shihet nëse synimi i tij është të nisë negociatat në Lindjen e Mesme si ajo e paralajmëruar për Ukrainën, duke vazhduar të mbështesë Izraelin, por me një qëndrim më pragmatik për të mbrojtur interesat amerikane.
Nga ana tjetër, Netanyahu përsëriti se dëshiron të arrijë pas luftës një marrëveshje me vendet arabe. E thotë këtë edhe në perspektivën e një fitoreje të Trump?
Ai e kupton se presidenti i ri i amerikan, ka një pikëpamje që shkon përtej situatës aktuale, dhe që merr parasysh interesat ekonomike në rajon. Në bursën e Nju Jorkut, McDonald’s dhe Coca Cola nuk e kanë marrë ende veten nga rënia e shitjeve në Lindjen e Mesme, në vendet myslimane dhe afrikane. Drejtuesit e tyre, e kanë pranuar se kolapsi ka ndodhur për shkak të bojkotit që po ndodh prej 1 viti në Lindjen e Mesme si pasojë e luftës në Gaza./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje