Dy goditësit e deklaruar të rendit botëror aktual, Trump dhe Putin po ndihmojnë padashur një konkurrent që rri e vështron nga distanca: kinezin Xi Jinping. Ai shfaqet si një interpretues i përsosur i mësimeve të Konfucit, i cili thoshte: “Prit në breg të lumit dhe herët a vonë do të shohësh të kalojë kufoma e armikut tënd!”…
Është e vështirë të përshkruash kontekstin gjeopolitik në të cilin po jeton sot pothuajse çdo pjesë e botës. Lindja e Mesme mbetet një “fuçi baruti”, që tashmë nuk kufizohet vetëm në konfliktin e gjatë shekullor mes hebrenjve dhe palestinezëve, por veçanërisht 2 vitet e fundit të veprimeve të Izraelit me situatën tragjike në Gazë,
të krijuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe grupi terrorist i Hamasit.
Të përcaktosh se kush ka më shumë përgjegjësi, është si të hysh në një përplasje ideologjike që është saktësisht e kundërta e artit të kompromisit dhe mbi të gjitha, e artit të së mundshmes, pra e politikës, e cila duhet të arrijë rezultate praktike dhe realiste, duke ndërmjetësuar mes idealeve dhe kufizimeve reale.
Pothuajse të gjitha klasat drejtuese aktuale në mbarë botën, duken shumë larg këtij arti. Mjafton të mendosh se veprimi ndërmjetësues që çoi në një armëpushim të lëkundur, nuk po arrin ende të trajtojë pikën e dytë të marrëveshjes.
Pranë asaj vatre tmerri që ka shkaktuar mijëra të vdekur, dita-ditës po rritet një tjetër fuçi baruti, ajo iraniane, ku populli i lashtë persian po rebelohet kundër diktaturës teokratike të ajatollahëve.
Pasardhësi i Khomeinit, udhëheqësi aktual suprem Ali Khamenei, ka vendosur që kushdo që proteston kryen një “mëkat kundër Allahut” dhe për rrjedhojë meriton litarin. Është e vështirë të dihet se çfarë ka ndodhur tashmë në Iran, sepse vendi është i izoluar nga ndërlidhja dixhitale me pjesën tjetër të botës.
Prej andej arrijnë të dalin vetëm lajme fragmentare dhe të pasigurta. Flitet për qindra në mos mijëra të vdekur dhe mijëra të arrestuar nga veprimet e Pasdaranëve, Trupave të Gardës së Revolucionit Islamik.
Le të vazhdojmë në këtë përshkrim frikësues me bombardimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë të Ukrainës nga ana e Rusisë dhe tashmë me gati një ndjesi indiference ndaj tentativave për marrëveshje dhe paqe, mes diskutimeve për dërgimin e trupave ushtarake nga disa vende evropiane, riarmatimit dhe lojërave të kryqëzuara trepalëshe mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës.
Një kaos i vërtetë, në të cilin Bashkimi Evropian rezulton faktikisht një xhuxh politik, që shfaqet si një spektator në skajet e një rendi të ri botëror që të tjerët po tentojnë të ndërtojnë duke ruajtur mbi të gjitha interesat e tyre.
Rrëfimi rrëqethës vazhdon. Nëse Vladimir Putin ishte “goditësi” i parë i rendit botëror me pushtimin e Ukrainës 4 vite më parë, vitin e kaluar Uashingtoni nxori një goditës të dytë global, Donald Trumpin.
Ky i fundit, për të bllokuar (sipas tij) trafikun e drogës, por mbi të gjitha për të shtënë në dorë naftën e Venezuelës duke ia hequr Rusisë dhe Kinës, por edhe vendeve të tjera, u kujtua papritur se Nicolas Maduro qenka një diktator gjakatar.
Kështu, ai i jep vetes të drejtën për ta marrë atë forcërisht nga dhoma e gjumit në Karakas dhe për ta dërguar në Shtetet e Bashkuara për ta gjykuar. Po e drejta ndërkombëtare? OKB-ja? Gjykatat ndërkombëtare?
Gjithçka është harruar në kaosin global që po përhapet kudo. Dhe Trump nuk ndalet te Venezuela, por krijon një rrëmujë të madhe duke u përpjekur të negociojë blerjen e Grenlandës, gjë që sipas shumë analistëve do të shënonte fundin e NATO-s.
I pandalshëm në papërgjegjshmërinë e tij, në një moment aq delikat, Trump kërcënon të ndërhyjë në Iran për të mbështetur kryengritësit, si dhe kërcënon Meksikën, Kolumbinë dhe Kubën.
Por dy goditësit e deklaruar, të cilët janë shfaqur me gjithë paaftësinë e tyre politike, ka shumë gjasa të jenë duke ndihmuar një konkurrent ose një bashkëpunëtor që rri e vështron mënjanë: kinezin Xi Jinping. Ai shfaqet si një interpretues i përsosur i mësimeve të Konfucit, i cili thoshte: “Prit në breg të lumit dhe herët a vonë do të shohësh të kalojë kufoma e armikut tënd!”.
Xi Jinping nuk e fsheh më vullnetin për t’u bërë fuqia më e madhe botërore. Kinezët vazhdojnë manovrat e tyre ushtarake rrotull Tajvanit, duke deklaruar se duan ta aneksojnë, duke grisur marrëveshjen midis Henry Kissinger-it dhe Zhou Enlai-t të viteve 1970, e cila përdorte një “mosekzistencë” surreale por të dobishme të Tajvanit, për të arritur një marrëdhënie sino-amerikane.
Kina ka tashmë një kontroll të gjerë në Afrikë, është zyrtarisht pjesë e BRICS-it, por në realitet po e shtrin vazhdimisht ndikimin e saj si forca e dytë e botës. Zyrtarisht ajo promovon një bashkëjetesë me amerikanët, por ndoshta po pret “në breg të lumit” siç mësonte Konfuci.
Ajo që u shpëton analistëve dhe të gjithë ne - që ndoshta po përsërisim rolin e “gjumashëve” (somnambulëve) siç bënë gjyshërit dhe etërit tanë në dy luftërat botërore të shekullit XX - është se çfarë lloj loje trepalëshe po zhvillohet në kuadrin gjeopolitik botëror.
Le të shohim disa efekte. Provat e bashkëjetesës sino-amerikane, po vënë në alarm aleatët e Uashingtonit në Indo-Paqësor, duke filluar nga Japonia, dhe rrezikojnë të hedhin tërthorazi bazat e një konflikti kryesisht aziatik.
Loja e madhe për kontrollin e botës, po i shkatërron shtyllat e vjetra të së drejtës ndërkombëtare, e cila nëse duam që të jemi realistë, duhet rishkruar tërësisht. Por ndërkohë, loja trepalëshe mund të reduktohet në një përplasje finale dyshe mes SHBA-së dhe Kinës.
Në këtë kuadër, mbizotëron gjithmonë “ecja përgjumësh” dhe mjafton një incident, qoftë edhe dytësor, pra një hap i gabuar, për t’u zhytur në një kaos global./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje