TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Mars 2026, 19:12

Të gjitha opsionet/ Rrugët e daljes së Trump nga lufta me Iranin

Shkruar nga Pamfleti
Të gjitha opsionet/ Rrugët e daljes së Trump nga lufta me Iranin
Ilustrim

Mundësia për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit duket gjithnjë e më e largët për presidentin amerikan, ndërsa çdo rrugëdalje mbart kosto politike, ushtarake dhe ekonomike...

Presidenti Donald Trump e ka shpallur tashmë luftën kundër Iranit si të fituar. Por këtë javë ai deklaroi gjithashtu se ishte ende e nevojshme të “përfundohej puna”.

“Nuk duam të largohemi herët, apo jo?”, tha ai, duke shtuar “nuk duam të kthehemi çdo dy vjet.”

Trump ndonjëherë flet si president, por shpesh edhe si komentator i vendimeve të veta.

Në këtë rast, pikërisht në këtë plan të dytë, ai ka përmbledhur qartë kundërshtinë që përmban vendimi i tij për të hyrë në luftë me Iranin, një kundërshti që paraardhësit e tij, siç ka thënë edhe vetë më herët, nuk arritën ta kapërcenin. Shtetet e Bashkuara kanë në dispozicion ushtrinë më të fuqishme që ka njohur bota. Kjo e bën relativisht më të lehtë marrjen e epërsisë në çdo konflikt. Por në të njëjtën kohë e ndërlikon pyetjen se si mbyllet një luftë kundër një kundërshtari të qëndrueshëm.

Të gjitha opsionet/ Rrugët e daljes së Trump nga lufta me Iranin

Logjika e suksesit ushtarak shtyn drejt ndjekjes së objektivave deri në fitore të pakushtëzuar. Por një fitore e tillë është e vështirë, edhe kur ekziston epërsi ushtarake, nëse kundërshtari është i gatshëm të përballojë humbje shkatërruese, duke shkaktuar njëkohësisht edhe goditje hakmarrëse.

Në situatën aktuale, kundërshtari mund të trondisë gjithashtu ekonominë amerikane dhe atë globale përmes mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, një skenar ndaj të cilit SHBA-ja duket se nuk ka zgjidhje të qartë, përveç përfundimit të konfliktit.

Iraku, pa dyshim, do të kishte pësuar më pak dëme po të kishte pranuar fitoren amerikane, njësoj si Gaza do të kishte pësuar më pak nëse Hamasi do të ishte dorëzuar në tetor 2023. Por asnjëri nuk e bëri këtë dhe, për rrjedhojë, kostoja e luftës për ta, si edhe për Amerikën dhe Izraelin, vazhdon.

Tani Trump ka 4 mundësi nëse dëshiron të shpallë fitore dhe kjo është qartësisht ajo që ai kërkon. Secila prej tyre ka një çmim.

Të gjitha opsionet/ Rrugët e daljes së Trump nga lufta me Iranin

Fund i shpejtë i luftës

Nëse këshilltarët e Pentagonit vlerësojnë se Trump i ka përmbushur objektivat ushtarake të përcaktuara nga sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, presidenti mund të shpallë “misionin e përmbushur” brenda një ose dy javësh.

Këto objektiva të kufizuara përfshijnë shkatërrimin e bazave raketore të Iranit, fabrikave të raketave dhe flotës së tij detare. Ka pak dyshim se forcat ajrore amerikane dhe izraelite, me epërsinë e tyre pothuajse të plotë në ajër, kanë bërë përparim të ndjeshëm drejt këtyre qëllimeve.

Një vendim i tillë do ta linte regjimin në fuqi. Kjo do të zhgënjente shumë iranianë në mërgim, si edhe të djathtën tradicionale pro-izraelite brenda bazës mbështetëse të Trump, të cilët besonin se ndryshimi i regjimit ishte qëllimi kryesor i operacionit.

Ndërkohë, regjimi duket se është forcuar pas humbjes së kaq shumë gjeneralëve dhe të udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei.

Nuk është e qartë nëse ata që kanë mbetur në drejtim do të pranonin qoftë edhe një armëpushim, për sa kohë që ende mund të dëmtojnë interesat amerikane në Gjirin Persik. Ata vazhdojnë të bëjnë thirrje për hakmarrje.

Në çdo rast, ata mund të rindërtojnë kapacitetet sulmuese të Iranit. Kjo do të nënkuptonte që Izraeli dhe SHBA-ja do të duhej të kalonin në një politikë që në Izrael përshkruhet metaforikisht si “kositja e barit”: rihapja e konfliktit çdo disa vjet për të dobësuar, por jo zhdukur, kapacitetet e Iranit. Pikërisht këtë skenar Trump thotë se nuk e dëshiron.

Të gjitha opsionet/ Rrugët e daljes së Trump nga lufta me Iranin

Vazhdimi i pandërprerë i bombardimeve për muaj me radhë

Zgjatja e fushatës përtej goditjes së shkurtër dhe të fortë të një lufte që zgjat vetëm disa javë do të rriste gjasat, edhe pse pa garanci, për të neutralizuar përfundimisht kërcënimin iranian ndaj Izraelit dhe rajonit.

SHBA-ja dhe Izraeli, pa dyshim, mund ta vazhdojnë sulmin, pasi kanë forcat ajrore dhe arsenalin raketor të nevojshëm.

Nëse do të shkatërronin çdo bazë iraniane dhe gjithçka ku ajo mbështetet, si rafineritë e naftës, linjat e furnizimit dhe infrastruktura civile, Irani do të mbetej një shtet i rrënuar. Ka mundësi që të mos rikuperohej kurrë plotësisht.

Regjimi mund të mbetej ende në fuqi, ndoshta në një formë të re. Një rezultat pozitiv do të ishte shfaqja e një udhëheqjeje që do ta kuptonte se ka detyrimin të përmirësojë standardin e jetesës së qytetarëve, edhe nëse kjo do të nënkuptonte pranimin e bashkëpunimit me Perëndimin.

Por ekziston edhe mundësia që regjimi të shndërrohej në një version më të madh të Koresë së Veriut: i përqendruar te rezistenca, deri në pikën e ndërtimit të një arme bërthamore, dhe i izoluar nga bota, përveç lidhjeve me Rusinë dhe Kinën, edhe në kurriz të varfërisë së përhershme të popullsisë.

Të gjitha opsionet/ Rrugët e daljes së Trump nga lufta me Iranin

Trupa në terren

Edhe pse ndryshimi i regjimit ka qenë qartësisht rezultati i dëshiruar, shumë zëra në Uashington kanë thënë prej kohësh se kjo vështirë se mund të arrihej vetëm me bombardime.

Edhe kritikët më të ashpër të Republikës Islamike kishin më shumë shpresë sesa siguri se kaosi i shkaktuar nga goditjet amerikano-izraelite do të nxiste një valë të re protestash popullore, e cila më në fund do të rrëzonte ajatollahët.

Disa prej tyre tani po shprehin skepticizëm se kjo mund të ndodhë pa një ndërhyrje tokësore.

Një ide e tillë ka qenë politikisht e papranueshme në Shtetet e Bashkuara që nga dështimi i pushtimit të Irakut në vitin 2003 për të sjellë paqe, veçanërisht për elektoratin “Maga” të Trump, pasi ai kishte premtuar se do t’u jepte fund luftërave pa fund.

Megjithatë, Trump nuk e ka përjashtuar këtë opsion. Dhe nëse ai jep miratimin, atëherë dalin edhe dy mundësi të tjera.

E para është një operacion i përqendruar i forcave speciale për eliminimin e objektivave kyç. Këto mund të jenë objektiva ekonomikë, si terminali i naftës në ishullin Kharg, ose vende të lidhura me udhëheqjen.

Në këtë mënyrë, Trump mund të shpresojë të nxisë forca të reja brenda Iranit që të marrin kontrollin e pushtetit dhe të krijojnë një qeveri alternative.

Ky plan mbështetet në shumë të panjohura dhe suksesin e tij e kushtëzojnë shumë faktorë. Pushtimi i plotë mbetet metoda më tradicionale për të rrëzuar një regjim, por do të ishte një ndërmarrje e jashtëzakonshme kundër një armiku të konsoliduar në një vend të madh me më shumë se 90 milionë banorë.

Të gjitha opsionet/ Rrugët e daljes së Trump nga lufta me Iranin

Luftë e përsëritur deri në kolaps të plotë shtetëror

Trump mund të argumentojë se një armik i mposhtur duhet të dorëzohet, ashtu siç Izraeli kërkon nga Hamasi në Gaza. Kur një regjim nuk ka më mundësi të mbrojë veten dhe popullin nga sulmet amerikane dhe izraelite, dhe humbet aftësinë për të mbrojtur objektivat e veta ushtarake, atëherë mund të thuhet se ai vetë mban përgjegjësinë për vuajtjet e ardhshme të vendit dhe të qytetarëve të tij.

Sipas këtij opsioni, paqja nuk shpallet kurrë zyrtarisht dhe bombardimet mund të vazhdojnë, sa herë që shihet e nevojshme, edhe pas muajve të parë të luftës.

Një krahasim që është bërë shpesh është ai me regjimin e Saddam Husseinit në Irak gjatë viteve 1990, pas humbjes së tij në Luftën e Parë të Gjirit për Kuvajtin, në vitin 1991. SHBA-ja kryente herë pas here sulme ndaj objektivave irakiane si përgjigje ndaj provokimeve ose vlerësimeve për kërcënim.

Të gjitha opsionet/ Rrugët e daljes së Trump nga lufta me Iranin

Në rastin e Iranit, kjo do të nënkuptonte operacione më intensive kundër aleatëve të Iranit në Irak dhe Liban, si edhe kundër objektivave ushtarake iraniane dhe disa objektivave civile, sa herë që SHBA-ja dhe Izraeli do ta konsideronin të nevojshme.

Një luftë e tillë mund të zgjasë pafundësisht ose derisa regjimi të pranojë kushtet. Por ajo mund edhe të krijojë terrenin për një luftë tjetër, të një natyre tjetër, nën një udhëheqës të ardhshëm. /Përshtatur nga The Times/

 

trumpi irani opsione

Lini një Përgjigje