
Plani i paqes i Donald Trump për Gazën dhe armëpushimi që hyri në fuqi sot mbështetet te besimi i Hamasit tek presidenti i SHBA-së. Duke pasur parasysh se grupi e ka quajtur atë racist, një "recetë për kaos" dhe një njeri me një vizion absurd për Gazën në të kaluarën, kjo dukej e pamundur deri vonë.
Por, sipas një raporti të Reuters, "një telefonatë e jashtëzakonshme" muajin e kaluar ishte vendimtare në bindjen e Hamasit që të dorëzonte pengjet e mbetura izraelite.
Çfarë ndodhi pas sulmeve në Katar?
Gjatë telefonatës, udhëheqësi amerikan e bindi Netanyahun t’i kërkonte falje kryeministrit të Katarit për një sulm izraelit ndaj një kompleksi banimi ku banonin udhëheqësit politikë të Hamasit në kryeqytetin Doha.
Mënyra se si Trump e trajtoi bombardimin e Katarit, i cili dështoi të vriste zyrtarët e Hamasit që ai shënjestroi, përfshirë negociatorin kryesor Khalil al Hayya, i dha Hamasit më shumë besim se ai ishte në gjendje t'i kundërvihej Netanyahut dhe se ai ishte serioz për t'i dhënë fund luftës në Gaza, thanë dy zyrtarët për Reuters.
Rreziku i pengjeve i Hamasit
Pasi nënshkruan planin e paqes të ndërmjetësuar nga SHBA-të këtë javë, grupi militant i ka besuar më tej fjalës së Trump, i cili vetëm këtë vit propozoi dëbimin e palestinezëve nga Gaza dhe rindërtimin e saj si një vendpushim të kontrolluar nga SHBA-të.
Hamasi pranoi të dorëzonte pengjet e tij pa një marrëveshje për tërheqjen e plotë të Izraelit, sipas kushteve të marrëveshjes.
Dy zyrtarë të tjerë palestinezë, nga Hamasi, pranuan për Reuters se ky ishte një veprim i rrezikshëm që mbështetet në faktin që Trump është aq i përkushtuar në marrëveshje sa nuk do ta lejojë që ajo të dështojë.
Udhëheqësit e Hamasit janë të vetëdijshëm se ky rrezik mund të ketë efekte të kundërt, i tha agjencisë një nga zyrtarët e Hamasit.
Shumë anëtarë të Hamasit ende kanë frikë se, sapo të lirohen pengjet, Izraeli mund të rifillojë fushatën e tij ushtarake, siç ndodhi pas një armëpushimi të janarit në të cilin ekipi i Trump ishte gjithashtu i përfshirë ngushtë.
Trump vulosi marrëveshjen me telefonata në Egjipt
Megjithatë, të mbledhur për bisedime indirekte me Izraelin në një qendër konferencash në vendpushimin Sharm el-Sheikh në Detin e Kuq, Hamasi u sigurua mjaftueshëm nga prania e aleatëve të ngushtë të Trump dhe fuqive të mëdha rajonale për të nënshkruar armëpushimin, edhe pse ai lë shumë nga kërkesat thelbësore të grupit të pazgjidhura, duke përfshirë lëvizjet drejt një shteti palestinez.
Padurimi i Trump u ndje "i fortë" në qendrën e konferencave, tha për Reuters një nga zyrtarët e Hamasit.
Ai personalisht telefonoi tri herë gjatë seancës maratonë, shtoi një zyrtar i lartë amerikan, me dhëndrin e tij Jared Kushner dhe të dërguarin Steve Witkoff që lëviznin midis negociatorëve izraelitë dhe kataranë për të përcjellë mesazhet e tij.
Lini një Përgjigje