Izraeli dhe Libani pritet të nisin bisedime të drejtpërdrejta në ditët në vijim, raporton gazeta izraelite Haaretz, duke cituar burime të njohura me çështjen. Sipas raportit, përfaqësuesit e dy vendeve pritet të takohen së shpejti për herë të parë që nga përshkallëzimi i konfliktit të lidhur me luftën Iran-Izrael, e cila ka tërhequr Libanin më thellë në përplasje.
Fokusi i bisedimeve pritet të jetë në ndërprerjen e luftimeve në territorin libanez dhe çarmatimin e grupit Hezbollah, i mbështetur nga Irani.
Jared Kushner, dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump, po luan rol kyç në përpjekjet diplomatike nga ana e Uashingtonit, duke udhëhequr mediationin amerikan. Delegacioni izraelit pritet të drejtohet nga Ron Dermer, bashkëpuntor i ngushtë i kryeministrit Benjamin Netanyahu. Bisedimet mund të zhvillohen në vende neutrale si Qipro ose Paris.
Më herët sot, Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca është e gatshme të presë negociatat në Paris, duke theksuar se qeveria libaneze ka shprehur gatishmëri për bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin dhe duke e quajtur këtë një mundësi që duhet shfrytëzuar për një zgjidhje të qëndrueshme.
Kujtojmë se Izraeli ka intensifikuar sulmet në Liban, duke shkaktuar zhvendosjen e më shumë se 800,000 njerëzve dhe vdekjen e rreth 700 personave. Ndërkohë, qeveria libaneze ka akuzuar Hezbollah-in për veprime që e kanë vënë vendin në rrezik, ndërsa ka shprehur interes për marrëveshje të sigurisë së qëndrueshme me Izraelin nën mbikëqyrje ndërkombëtare.
Megjithatë, disa burime izraelite kanë shprehur skepticizëm, duke theksuar se prioritet mbetet dobësimi ushtarak i Hezbollah-ut, edhe pse diplomacia po fiton terren me presionin amerikan.
Lini një Përgjigje