Bota21 Maj 2024, 11:15

Tragjedia me mbi 600 viktima nga fundosja e anijes në brigjet greke, dalin para gjykatës 9 të akuzuarit

Shkruar nga Pamfleti

Tragjedia me mbi 600 viktima nga fundosja e anijes në brigjet greke, dalin
Sot në Greqi mbahet gjyqi për anijen e fundosur në 14 qershor të vitit të kaluar në ujërat ndërkombëtare në brigjet jugperëndimore të Greqisë pranë Pilios, ku mbi 600 emigrantë humbën jetën.

Sipas BBC, gjyqi fillon me akuzën ndaj 9 shtetasve egjiptianë të moshës nga 20 deri në 41 vjeç të akuzuar për fundosjen e anijes. Zona jashtë ndërtesës së gjykatës është rrethuar nga forcat policore teksa janë planifikuar protesta nga grupet aktiviste për të drejtat e njeriut.

Gjykimi i të akuzuarve si trafikantë të qenieve njerëzore mbulohet nga mediat ndërkombëtare, gazetarët e të cilëve tashmë kanë mbërritur në gjykatë.

Nëntë egjiptianët e akuzuar kërkuan falje qershorin e kaluar, duke mohuar akuzat me pretendimin se ata organizuan këtë udhëtim të qindra personave nga Egjipti, drejt Libisë me destinacion Italinë, që më pas u kthye në tragjedinë më të madhe detare në Greqi në gjithë këto vite.

Avokatët e tyre do të argumentojnë se Greqia nuk ka juridiksion në këtë çështje dhe kanë këmbëngulur që klientët e tyre ishin të mbijetuar të pafajshëm që janë ndjekur penalisht padrejtësisht.

Ende edhe sot pas një viti nuk është përcaktuar saktësisht numri i saktë i njerëzve në bord me vlerësimet që nisin nga 500 deri në 700 vetë. Vetëm 104 njerëz mbijetuan, të gjithë burra dhe djem nga Siria, Egjipti, Pakistani dhe dy palestinezë, ndërsa u gjetën vetëm 80 trupa pa jetë.

Anija «Adriana» lundronte në ujërat ndërkombëtare, por siç pretendojnë aktivistët e të drejtave të njeriut, ishte brenda zonës së përgjegjësisë së kërkim-shpëtimit të Greqisë.

Gjithashtu ata kanë akuzuar autoritetet greke për shkaktimin e mbytjes së anijes, ndërsa theksojnë se roja bregdetare kishte tentuar të tërhiqte anijen jashtë kësaj zone.

Nga ana e tyre autoritetet greke kanë hedhur poshtë akuzat dhe kanë këmbëngulur se anëtarët e ekuipazhit të anijes në fjalë kishin refuzuar të pranonin ndihmë nga anijet tregtare aty pranë si dhe nga roja bregdetare greke.

brigjet greke gjyqi anija