Ajo është në pritje që t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të re kirurgjikale në zorrë, e treta këtë janar dhe sipas prindërve është ende shumë e dobët për t’u transferuar nga spitali i Zyrihut, ku mbërriti në agimin e tragjedisë së diskotekës së Crans-Montana.
Megjithatë, një moment i madh gëzimi ishte ai kur Elsa Rubino, 15-vjeçarja nga Biella që i shpëtoi zjarrit me 60% të trupit të djegur, hapi sytë dhe njohu mamanë Isabella dhe babain Lorenzo. Lajmi u përhap në rrjetet sociale nga miqtë dhe shokët e saj të shkollës. Më pas erdhi edhe konfirmimi nga i ati. Shenjat e një përmirësimi të lehtë të gjendjes së saj, për të cilat flitej prej ditësh, dhe kjo ishte prova më konkrete, i shtynë mjekët të ulnin nivelin e sedacionit.
Babai: “Emocion i paimagjinueshëm”
“Elsa hapi sytë dhe na njohu. E bëri këtë në momentin kur sedacioni ishte më e ulët”, njofton Lorenzo Rubino për Corriere. “Për ne, për mamanë dhe mua, ishte një emocion i madh. I paimagjinueshëm. Edhe pse e kuptoj se është një hap shumë i vogël krahasuar me ato që duhen arritur. Ajo ende nuk ka zorrë funksionale. Beteja është ende e gjatë", tha babai.
Elsa është në pritje të një operacioni të tretë, i cili për momentin është pezulluar për shkak të një bakteri. “Ishte një moment i shkurtër, por vërtet intensiv. Na tregoi se ishte e vetëdijshme. Por lufta sapo ka filluar. Prognoza mbetet e rezervuar dhe shumë delikate. Elsa mbahet nën sedacion. Herët e tjera ishte zgjuar dhe kishte qarë. Këtë herë, përkundrazi, na njohu vërtet. Është një fazë e rëndësishme, por do të jetë një rrugë shumë e vështirë dhe e gjatë, për të cilën ajo po bëhet gjithnjë e më e vetëdijshme.”, shton babai.
Ndërkohë, Liceo Sella dhe e gjithë qyteti i Biellas e kanë mbështetur deri tani betejën e vajzës. Në shkollë, drejtori Gianluca Spagnolo ka nisur edhe një protokoll mbështetjeje psikologjike të specializuar për shokët e shkollës së Elsës, duke ia besuar ndërhyrjen Shoqatës EMDR Italia. Janë parashikuar dy ndërhyrje specialistike, tre takime në grup për nxënësit dhe një me karakter psikoedukativ për të rriturit.
Lini një Përgjigje