Bota 7 Prill 2023, 09:49

Trazirat në Paris, protestuesit i vënë flakën restorantit të preferuar të Macron

Shkruar nga Pamfleti

Trazirat në Paris, protestuesit  i vënë flakën restorantit

Një restoranti në Paris, që njihet si më i dashuri për presidentin francez, Emmanuel Macron, i është vënë flaka duke qenë shënjestër e protestuesve të zemëruar kundër reformave të pensioneve.

Stafi në La Rotonde në zonën Montparnasse të qytetit u detyrua të shuante flakët në tendën e restorantit.

Protestat franceze janë kthyer në të dhunshme pasi bisedimet midis liderëve të sindikatave dhe kryeministres Elisabeth Borne, u ndërprenë të mërkurën pa ndonjë përparim, duke krijuar terrenin për kthimin e protestuesve në rrugë.

Protestuesit e tërbuar janë përleshur me policinë në skena të dhunshme, ndërsa qindra e mijëra dalin në rrugë për të kërkuar që Macron të ndryshojë propozimin e tij për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç.

Drejtuesit e sindikatave shpresojnë për një pjesëmarrje të madhe për të vazhduar vrullin përpara vendimit të këshillit.

"Ne nuk jemi dorëzuar ende dhe nuk kemi ndërmend," tha nëpunësi publik Davy Chretien, 50 vjeç, i cituar nga agjencia e lajmeve AFP në Marsejë.

Në Paris protestuesit hodhën gurë, shishe dhe bojë ndaj policisë në La Rotonde - një kafene e famshme e frekuentuar nga figura, përfshirë artistin spanjoll Pablo Picasso.

Lokali prej kohësh frekuentohet nga vetë Macron dhe gruaja e tij Brigitte. Takimet e tij me aleatët me të cilët përgatiti strategjinë e tij fituese në zgjedhje, u zhvilluan të gjitha në këtë lokal. Ndërsa punonjësit e stafit të lokalit bëjnë me dije se gjatë gjithë kohës në restorant hyjnë të panjohur të cilët bërtasin: “Vdekje Macronit”.

Më parë, punonjësit në grevë të hekurudhave sulmuan ish-selinë e bankës Credit Lyonnais, e cila tani strehon kompaninë e investimeve BlackRock dhe firma të tjera.

Ministria e Brendshme e Francës vlerësoi se 570,000 njerëz morën pjesë në grevat e së enjtes, megjithëse sindikatat franceze pretenduan se numri ishte shumë më i lartë, në gati dy milionë.

Sindikatat kanë bërë thirrje për greva dhe protesta të reja në 13 prill,  një ditë para vendimit për reformën.

Macron e ka mbrojtur masën, duke thënë se reforma është një domosdoshmëri.

franca reforma e pensioneve macron