
Banka Qendrore amerikane rriti përsëri të mërkurën normën e interesit me 0.25 për qind, në vazhdim të përpjekjeve për të ulur inflacionin, pavarësisht shqetësimeve se rritja e normës së huamarrjes mund të përkeqësojnë situatën në sistemin bankar.
“Sistemi bankar i Shteteve të Bashkuara është i shëndoshë dhe i qëndrueshëm,” tha Banka në një deklaratë.
FED ka rritur kostot e huamarrjes në përpjekje për të ngadalësuar ekonominë dhe për të lehtësuar presionet që rrisin çmimet. Rritja e mprehtë e normave ka sjellë tendosje në sistemin bankar.
Lajmi vjen pak ditë pas falimentimit të dy bankave amerikane – Silicon Valley Bank dhe Signature Bank – këtë muaj, pjesërisht për shkak të problemeve të shkaktuara nga normat e larta të interesit.
Megjithatë, pavarësisht humbjeve, autoritetet anembanë botës nuk mendojnë se dështimet kërcënojnë stabilitetin financiar të përhapur, duke vlerësuar se nuk duhet të shpërqendrohen nga përpjekjet për të vënë nën kontroll inflacionin.
Javën e kaluar, Banka Qendrore Evropiane rriti me 0.5 për qind normën bazë të interesit. Banka e Anglisë do të marrë vendimin e saj për normën e interesit të enjten, një ditë pasi shifrat zyrtare treguan se inflacioni u rrit papritur në shkurt në 10.4 për qind./CNN