TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Mars 2026, 14:31

Trump në kurth: Dërgimi i trupave në Iran mund të bëhet i pashmangshëm

Shkruar nga Wolfgang Munchau
Trump në kurth: Dërgimi i trupave në Iran mund të bëhet
Donald Trump /

Trump gjendet i mbërthyer në spiralen e logjikës së luftës, ku çdo hap e çon drejt zgjedhjeve gjithnjë e më të rrezikshme. Lufta kundër Iranit po shfaqet si një betejë e paparashikuar, ku fitorja ajrore nuk mjafton dhe opsioni i trupave tokësore po bëhet gjithnjë e më i pashmangshëm...

Gjithçka nis me një shpërthim të madh. Je plot vrull dhe në avantazh. Pastaj, ndërhyjnë ngjarje të paparashikuara. Bën gabime dhe tërhiqesh në një luftë që nuk mund ta kontrollosh më. Napoleoni dhe Hitleri nuk donin të luftonin në luftërat që në fund i humbën, por një gjë çoi te tjetra.

Ata iu nënshtruan logjikës së luftës. Vietnami, Afganistani, Ukraina - secila ishte e ngjashme. Po kështu është edhe lufta e Donald Trump kundër Iranit, e cila po del të jetë shumë më e vështirë sesa e kishin imagjinuar ai dhe këshilltarët e tij. Aktualisht, Trump ka përpara tri zgjedhje.

Në skenarin e parë, ai i përmbahet afatit të tij prej 4 deri në 5 javë luftë, gjatë së cilës e rrafshon vendin, shpall fitoren dhe largohet pa e shkatërruar regjimin e Republikës Islamike. Në këtë pikë, Ngushtica e Hormuzit nuk do të ishte realisht e sigurt.

Skenari i dytë është që ai vazhdon fushatën derisa të hapet Ngushtica dhe të sigurohet se do të mbetet e tillë. Kjo mund të përfshijë përdorimin e një numri të kufizuar trupash tokësore për të siguruar bregdetin iranian që kufizohet me ngushticën.

As në këtë skenar nuk do të kishte ndryshim regjimi, por të paktën Uashingtoni do të kishte rihapur Gjirin Persik. Por ekziston edhe një skenar i tretë. Trump mund të arrijë në përfundimin se për sa kohë që regjimi ekzistues iranian është në pushtet, Ngushtica nuk mund të sigurohet.

Dhe për ta çuar misionin deri në fund, ai duhet të nisë një pushtim të plotë. Megjithatë, siç na kujtoi së fundmi Condoleezza Rice, ish-këshilltare e sigurisë kombëtare dhe më pas Sekretare Shteti nën Presidentin Bush, administratës së tij iu desh një vit i tërë për t’u përgatitur për pushtimin e Irakut.

Aktualisht s’ka shenja që po planifikohet një operacion i ngjashëm për Iranin. Skenari i parë do të ishte disfata përfundimtare, në shkallën e Luftës së Vietnamit. Ky do të ishte edhe gabimi më i madh politik dhe ushtarak i kohës sonë, dhe vetëm për këtë arsye, unë do ta përjashtoja.

Ne aktualisht gjendemi në mesin e skenarit të dytë. Vështirësia që kanë analistët gjatë luftërave është se ata nuk kanë qasje në informacionet e klasifikuara. Trump mund të ketë informacione që i japin atij besimin se Amerika mund të shkatërrojë plotësisht aftësitë ushtarake të regjimit iranian.

Prandaj unë nuk mund të përjashtoj mundësinë që ai të ketë të drejtë dhe kritikët e tij të gabojnë. Megjithatë, historia sugjeron të kundërtën. Gjatë përgatitjes për Luftën e Irakut, George W. Bush dhe Tony Blair donin të besonin raportimet që merrnin nga zyrtarët.

Ndërkohë, këta të fundit dorëzonin raportimet që donin të dëgjonin shefat e tyre politikë. Unë isha në atë kohë redaktor gazete në Gjermani dhe kam marrë pjesë në një nga ato raportime të nivelit të lartë. Fatkeqësisht, informacioni që dëgjova doli të ishte krejtësisht i gabuar.

Përfundimi i madh që nxora atëherë, ishte se informacioni i privilegjuar nuk do të thotë domosdoshmërisht që liderët marrin vendime të mençura. Dhe nuk ka dyshim se bazuar në atë që po ndodh deri tani në Iran, është e qartë se administrata Trump e ka gjykuar gabim fuqinë e luftës asimetrike.

Po ashtu, ka gjykuar gabim edhe natyrën e ndryshuar të zinxhirëve të furnizimit ushtarak. Njëzet vjet më parë, fuqia ushtarake kishte të bënte me armë të shkatërrimit në masë, raketa, avionë luftarakë dhe tanke. Dhe bazuar në këto parametra, besoj se SHBA-ja ka arritur të shkatërrojë një pjesë të madhe të infrastrukturës konvencionale ushtarake të Iranit.

Por armët më të fuqishme të regjimit janë minat dhe dronët kamikazë, ku secili kushton vetëm disa dhjetëra mijëra dollarë. Nëse një prej tyre do të godiste një cisternë nafte dhe do të shkaktonte një derdhje nafte në Ngushticën e Hormuzit, efekti do të ishte shkatërrues.

Asnjë anije nuk do të mund të kalonte derisa uji të pastrohej. Dhe edhe nëse SHBA-ja do të arrinte disi ta rihapte Ngushticën, do të duhej të mbronte çdo anije, ndërsa iranianët kanë nevojë vetëm për një goditje të suksesshme për ta mbyllur sërish atë.

Kjo është një luftë asimetrike dhe iranianët po shfrytëzojnë në maksimum avantazhin e tyre të vetëm strategjik. Ata kanë kryer sulme me dronë dhe raketa ndaj anijeve dhe instalimeve të naftës në shtetet e Gjirit, dhe mund të kenë vendosur edhe mina në Ngushticë.

Objektivi strategjik i Gardës Revolucionare është shumë i ngjashëm me strategjitë e përdorura nga Rusia dhe Ukraina: të dalin fitimtarë në një luftë të zgjatur që konsumon të gjitha palët e përfshira. Në Teheran mendojnë se në fund SHBA-ja do t’i dorëzohet presionit ekonomik dhe atij politik.

Kjo mund të jetë strategjia më e mirë e disponueshme për ta, por nuk është e garantuar që do të ketë sukses. Skenari i tretë, një pushtim i plotë tokësor, qëndron ende në horizont.

Nëse tërheqja është katastrofike politikisht për Trumpin, dhe dështon fushata aktuale, çfarë tjetër mund të bëjë përveçse të përgatitet për skenarin e tretë? Sigurisht, nuk është kjo gjëja që dëshironte. Por në momentin që do të marrë vendimin, mund të jetë gjëja më logjike për t’u bërë. Nëse nuk ke më opsione të tjera, e pamundura bëhet e pashmangshme.

Kjo do të binte ndesh me atë që Trump ka premtuar prej kohësh: jo më luftëra në vende të largëta. Dhe unë nuk dyshoj se ai e kishte seriozisht kur e tha. Por kur je në karrigen e nxehtë në Shtëpinë e Bardhë, puna jote është të menaxhosh objektiva konfliktuale.

Kur përballesh me zgjedhjen për të rrëzuar Gardën Revolucionare në një luftë tokësore 6-mujore apo për të pësuar një disfatë poshtëruese, nuk duhet të supozojmë automatikisht se Trump do të zgjidhte të fundit.

Në këtë ekuacion nuk duhet të nënvlerësojmë as rolin e Izraelit. E di që shumë njerëz brenda qeverisë izraelite prisnin që Trump do të detyronte ndryshimin e regjimit në Iran në një moment gjatë mandatit të tij të dytë.

Dhe tani, nëse Trump do të tërhiqet pa e kryer punën, do ta linte Izraelin të poshtëruar dhe të ekspozuar. Sigurisht, SHBA-ja është padyshim partneri kryesor në marrëdhënie, por Izraeli ka pasur të paktën njëfarë ndikimi në vendimin e Trump për të shkuar në luftë. Prandaj, përse Netanyahu të mos ushtrojë një ndikim të ngjashëm në mënyrën se si të përfundojë konflikti?

Një faktor tjetër këtu është mënyra se si lufta në Iran ndërvepron me Ukrainën. Për Evropën, rritja e çmimeve të naftës nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit është një katastrofë gjeopolitike. Pse? Sepse e shkatërron strategjinë e kontinentit për të privuar Rusinë nga të ardhurat e saj të naftës.

Çmimi i naftës ruse Urals është rritur nga nën 40 dollarë për fuçi në pothuajse 90 - dhe ditët e fundit ka arritur kulmin mbi 100. Në shkurt, përpara se të fillonte lufta në Iran, të ardhurat nga nafta ruse kishin rënë në rreth 4 miliardë dollarë në muaj, pasi ishin lëkundur midis 6 deri në 10 miliardë dollarë në muaj që nga viti 2022.

Nëse nafta e Uraleve mbetet në këtë çmim, të ardhurat për Rusinë do të rriteshin në rreth 10 miliardë dollarë në muaj: mjaftueshëm për të financuar luftën e Putinit. Pra është e qartë se strategjia e Evropës është mbështetur shumë më tepër sesa duhej te çmimet e ulëta të naftës, një qasje që gjithmonë e kam cilësuar si naive.

Edhe përpara tronditjes së këtij muaji, Rusia nuk po mbetej pa para, dhe tani sigurisht që nuk do të mbetet. E vërteta është se Evropa nuk ka strategji për një fitore të Ukrainës në fushën e betejës, dhe as nuk e ka pasur. Tani ky realitet është i pamundur të injorohet.

Sa për të ardhmen, tregjet e naftës janë të kapluara nga frika. Pas një sjelljeje relativisht optimiste, ato presin tani një luftë më të gjatë. Vetë rusët besojnë se çmimet e naftës do të mbeten të larta edhe për një vit tjetër.

Dhe nëse Trump do të ndiqte luftën e tij për një periudhë më të gjatë, ai do të duhej ta detyronte Ukrainën dhe Rusinë të arrinin një lloj marrëveshjeje. Sigurisht, unë nuk mendoj se është e mundur që Perëndimi të luftojë dy luftëra njëkohësisht: kundër Rusisë në Ukrainë dhe kundër Iranit.

SHBA-së po i mbarojnë tashmë disa lloje armësh, ndërsa vetë Ukraina po përballet me një mungesë akute të raketave të mbrojtjes ajrore. Një luftë duhet të përfundojë që të vazhdojë tjetra. Dhe për Trumpin, prioritet është Irani.

Do të ishte ngushëlluese të dinim se një operator strategjik po tërhiqte fijet në sfond, dikush si Colin Powell, kur ishte kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët gjatë Luftës së Parë të Gjirit.

Fatkeqësisht, Trump është rrethuar nga njerëz besnikë që nuk e kundërshtojnë. Imazhi i Marco Rubio-s, Sekretari i Shtetit, i detyruar nga Trump të veshë këpucë që janë shumë të mëdha për të, na tregon gjithçka që duhet të dimë. Pra, gjithçka që mund të them është se logjika e luftës ka marrë kontrollin e situatës dhe po e shtyn Amerikën përpara./Përgatiti: Pamfleti

trump në kurth irani

Lini një Përgjigje