Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, është rikthyer në bankën e të akuzuarve në Paris, ku po përballet me një proces të ri gjyqësor lidhur me dyshimet se ka marrë financime të paligjshme nga regjimi i ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi për fushatën e tij presidenciale.
Sarkozy, i cili drejtoi Francën nga viti 2007 deri në vitin 2012, i ka mohuar vazhdimisht akuzat ndaj tij. Megjithatë, vitin e kaluar ai u dënua me pesë vite burg për komplot kriminal në lidhje me këtë skemë të dyshuar financimi.
Me këtë vendim, ai u bë ish-lideri i parë i një vendi të Bashkimit Europian që ka vuajtur një dënim me burg, si dhe presidenti i parë francez i periudhës pas Luftës së Dytë Botërore që përfundon pas hekurave.
Ish-presidenti kaloi rreth 20 ditë në një burg në Paris, përpara se të lirohej në nëntor, ndërsa pritej vendimi për apelimin. Pas kësaj periudhe, ai publikoi edhe një libër ku përshkroi kohën e kaluar në qeli si një përvojë shumë të rëndë, duke e cilësuar atë si “një makth”.
Sipas prokurorisë franceze, marrëveshja e dyshuar daton që në vitin 2005, kur Sarkozy mbante postin e ministrit të Brendshëm. Hetuesit dyshojnë se ai mund të ketë arritur një marrëveshje me regjimin e Gaddafit për të marrë fonde për fushatën presidenciale të vitit 2007, në këmbim të mbështetjes diplomatike për Libinë në arenën ndërkombëtare.
Në gjyqin e parë, Sarkozy u shpall fajtor vetëm për akuzën e komplotit kriminal, ndërsa u shpall i pafajshëm për tre akuza të tjera, përfshirë korrupsionin dhe financimin e paligjshëm të fushatës.
Me nisjen e procesit të ri në apel, ai do të përballet sërish me të katër akuzat. Nëse shpallet fajtor, Sarkozy, tashmë 71 vjeç, rrezikon një dënim deri në 10 vite burg.
Në këtë çështje janë gjithsej 10 persona që po përballen me rigjykim në Gjykatën e Apelit në Paris.
Lini një Përgjigje