Në vend të paqes që premtoi, Trump po ecën drejt përshkallëzimit të dy konflikteve më të rrezikshme të planetit...
Rripi po shtrëngohet rreth Donald Trump, i cili duket se po kalon në “modalitetin neokon”. Ky ndryshim shfaqet qartë në qëndrimet e tij të reja ndaj dy fronteve të luftës ku historikisht ka dominuar establishmenti neokonservator: Rusia dhe Lindja e Mesme. Trump, që dikur kritikohej për afrimin me Putinin dhe distancimin nga ndërhyrjet ushtarake, tani po shfaqet i rreshtuar kundër Rusisë dhe i përkulur ndaj linjës së Netanyahut në konfliktin e Gazës.
Kjo nuk është një kapitullim i plotë. Trump ka shprehur keqardhje për urinë e shkaktuar në Gaza dhe dëshirën për një armëpushim, deklarata që bien ndesh me planin izraelit për pushtimin e Gazës dhe aneksimin e Bregut Perëndimor. Por, megjithatë, hapësira e tij për veprim është ngushtuar ndjeshëm. Koha kur Trump mund të sfidonte hapur arkitektët e luftërave duket se ka marrë fund – të paktën për tani.
Dosjet Epstein dhe presioni mbi Trump
Një element kyç në këtë presion është çështja Epstein. Gjatë një vizite në Skoci, ku takoi presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Trump u shpreh se “nëse do të kishte diçka kundër meje në ato dosje, demokratët do ta kishin përdorur prej kohësh”. Por insistimi i tij mbi mundësinë e manipulimeve tregon se ekziston një frikë reale, ndoshta mbi diçka të vogël, por të mjaftueshme për t’u përdorur kundër tij nga qarqe të specializuara në luftëra informacioni.
Një tjetër sinjal i “kthesës” së Trump është lavdërimi publik për Mark Levin, figurë kryesore e kampit neokon në media, dhe ripostimi i deklaratave të tij mbi hetimin kundër dosjes “Russiagate”, e cila sipas Trump ishte manipuluar që në kohën e Obamës. Kjo është ironike, duke pasur parasysh se shumë prej atyre që e mbështesin tani ishin pikërisht arkitektët e goditjes së tij të parë politike.
Nga Gaza te Ukraina: rreshtim me linjën neokonservatore
Në Gaza, Trump tashmë shihet si i rreshtuar me operacionet izraelite, ku maksimumi i tij është të sugjerojë ndonjë ndryshim taktik për të mos dëmtuar imazhin e vet. Në Ukrainë, retorika e tij kundër Rusisë është forcuar dukshëm, duke u materializuar me ultimatumin e ri ndaj Putinit për një marrëveshje armëpushimi brenda vetëm disa ditësh, ndryshe nga afati 50-ditor që kishte dhënë më herët.
Kjo shoqërohet me një marrëveshje të re ekonomike dhe ushtarake me BE-në, që detyron Evropën të blejë gaz amerikan me çmime më të larta dhe të investojë miliarda në armatime amerikane, me shumë gjasa për t’i dërguar në Ukrainë. Praktikisht, thirrjet e Trump për më shumë shpenzime evropiane në mbrojtje janë kthyer në detyrim formal.
Një mandat që duket i mbyllur përpara kohe
Në vetëm shtatë muaj nga fillimi i mandatit, shumë analistë e shohin tashmë fundin e Trump-it të pavarur dhe fillimin e Trump-it 2.0, një president i lidhur me të njëjtët interesa që dikur i kundërshtonte. Mund të ketë përpjekje të tij për t’u çliruar nga ky presion në të ardhmen, por për momentin realiteti është i qartë.
Simbolikisht, edhe Putin duket se e ka kuptuar ndryshimin, pasi ditët e fundit ka kontaktuar drejtpërdrejt Benjamin Netanyahun, njeriun që sot shihet si një nga aktorët më të fuqishëm të politikës globale, duke konfirmuar ndryshimin e balancave dhe humbjen e hapësirës manovruese të vetë Trump. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside over”
Lini një Përgjigje