Kriza e re mes Uashingtonit dhe Otavës, po shndërrohet në një betejë për sovranitetin e Albertës. Donald Trump e sheh provincën e pasur me energji si pikën më të dobët të Kanadasë, ndërsa Mark Carney përpiqet të ruajë unitetin federal përballë presionit amerikan.
Marrëdhënia dikur e pathyeshme midis Uashingtonit dhe Otavës ka pësuar një rënie drastike gjatë vitit të fundit, duke u shndërruar në një fushëbetejë të hapur ideologjike dhe ekonomike. Që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, përplasjet me Kryeministrin kanadez, Mark Carney - ish-guvernator i bankave qendrore që mori drejtimin e Kanadasë pas dorëheqjes së Trudeau - kanë qenë të vazhdueshme.
Tensionet kulmuan në Forumin Ekonomik Botëror në Davos këtë javë, ku Carney mbajti një fjalim sfidues, duke paralajmëruar “fuqitë e mëdha” që po përdorin forcën ekonomike për t’i detyruar vendet më të vogla t’u nënshtrohen.
Pa përmendur emra, mesazhi i Carney-t ishte një goditje e drejtpërdrejtë ndaj politikës “America First” të Trump, duke e cilësuar atë si një thyerje të rendit ndërkombëtar. Reagimi i Trump nuk vonoi, duke u shndërruar në një “hakmarrje” diplomatike dhe territoriale që po trondit themelet e konfederatës kanadeze.
Pasi e përjashtoi Kanadanë nga nismat kyçe të paqes dhe e paralajmëroi Carney-n se “Kanadaja ekziston vetëm falë SHBA-së”, administrata Trump ka kaluar tashmë në një fazë të re: nxitjen e hapur të ndarjes së brendshme të Kanadasë.
Kështu, gazeta kanadeze “Toronto Star” i bëri jehonë deklaratës së njërit prej sekretarëve të kabinetit të presidentit të SHBA-së, i cili deklaroi të premten se rajoni i Albertës po bllokohet nga ndërtimi i një tubacioni të ri nafte në bregdetin e Paqësorit, duke shtuar se njerëzit atje “dëshirojnë sovranitet” dhe janë gati për një referendum të mundshëm për pavarësi.
Duke folur në një kanal mediatik konservator amerikan, Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, tha se Alberta duhet të dërgojë naftë në SHBA, pasi provinca ka “një pasuri burimesh natyrore, por nuk e lejojnë të ndërtojnë një tubacion për në Paqësor”.
Ai vazhdoi t’i quante banorët e Albertës “njerëz shumë të pavarur” përpara se të deklaronte se “njerëzit atje po flasin” për një referendum të mundshëm për pavarësi. “Njerëzit duan sovranitet. Ata duan atë që ka SHBA-ja!”, tha ai.
I pyetur në lidhje me komentet e Bessent gjatë ditës së dytë të mbledhjes së qeverisë kanadeze në kështjellën e Quebec City-t, Ministri i Inteligjencës Artificiale, Evan Solomon, shmangu kritikat e drejtpërdrejaë, duke deklaruar se politika e jashtme e SHBA-së është “puna e tyre”.
“Le të mos e zbukurojmë situatën. Kryeministri nuk e bën kurrë këtë. Kjo që po jetojmë është një botë e vështirë. Ka përçarje që do të përkeqësohen dhe disa njerëz do të përpiqen t’i thellojnë ato, dhe ne e kuptojmë këtë. Puna është të vazhdojmë të investojmë te kanadezët, t’u japim atyre mundësi, sepse ky është vendi më i mirë për të jetuar, për të investuar dhe për të lulëzuar. Dhe kjo është ajo që duhet ta bëjmë ekonomikisht çdo ditë”, deklaroi ai.
Përpara se të nënshkruante një marrëveshje mbi klimën dhe energjinë me qeverinë federale
të Carney-t në nëntor 2025, kryeministrja e Albertës, Danielle Smith, e kishte përshkruar propozimin e provincës së saj për tubacionin - një projekt në zhvillim e sipër, por që nuk ka asnjë mbështetje nga sektori privat - si një provë nëse federata kanadeze po funksionon apo jo.
Smith, ashtu si lobistët në sektorin e karburanteve fosile dhe konservatorët federalë, fajësoi rregulloret dhe ligjet e miratuara nga qeveritë liberale gjatë dekadës së kaluar për pengimin e perspektivave të ndërtimit të projekteve të mëdha.
Këtu përfshihen politikat klimatike të zbutura, të pezulluara ose të anuluara në marrëveshjen e nëntorit 2025, si dhe regjimin federal të vlerësimit mjedisor dhe një moratorium ligjor mbi trafikun e cisternave të rënda të naftës në bregun veriperëndimor të Kolumbisë Britanike.
Që kur mori detyrën vitin e kaluar, Carney është zotuar të përshpejtojë projektet me “interes kombëtar” dhe sinjalizoi se qeveria e tij mund të mbështesë tubacionin e ri të preferuar të Albertës nëse një superprojekt masiv i kapjes së karbonit - i projektuar për të zhdukur emetimet e gazrave serrë nga nxjerrja e naftës - do ecë përpara në provincë.
Në një intervistë të kohëve të fundit, deputeti liberal i Calgary-t, Corey Hogan, i tha gazetës “Toronto Star” se e di që Carney është shumë i vetëdijshëm për diskutimet rreth shkëputjes së Albertës nga pjesa tjetër e vedit, dhe se ndjenja e pavarësisë ishte një faktor që motivoi nënshkrimin e marrëveshjes me këtë rajon.
Por, ndërsa theksoi se referendumi mbetet hipotetik dhe sipas tij jopopullor, ai shtoi gjithashtu se elementë të lëvizjes separatiste të provincës duan që Alberta të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara. Gjithsesi deklarata e Bessent pati efektin e saj.
Pavarësisht interesit të madh të medias vendase, Mark Carney refuzoi të kundërpërgjigjej ndaj akuzave më të fundit të Trump ndaj Kanadasë apo NATO-s në përgjithësi. Kanadaja është një shtet federal me 10 provinca dhe 3 territore. Alberta është një nga provincat.
Provincat kanë qeveritë e tyre, me një kryeministër dhe parlament lokal. Po ashtu ato kanë kompetenca të gjera në fusha si arsimi, shëndetësia, burimet natyrore, policia provinciale dhe taksat provinciale. Alberta ndodhet në kufi me SHBA. Ajo ka një sipërfaqe të madhe prej 661.849 km² dhe mbi 5 milion banorë, duke qenë një nga provincat me rritje më të shpejtë. Ekonomia e saj mbështetet kryesisht te nafta dhe gazi, duke e bërë një qendër energjetike të rëndësishme për vendin. Alberta ka gjithashtu një sektor të fuqishëm bujqësor. Motoja e saj është “Fortis et liber” (e fortë dhe e lirë), që pasqyron identitetin e saj kulturor dhe politik.
Në këtë kontekst, separatizmi i Albertës po shfaqet si karta përmes së cilës Donald Trump synon të ushtrojë presion mbi Kanadanë dhe të sfidojë liderin e saj rebel, duke e përdorur ndarjen e brendshme si mjet për ta nënshtruar politikisht dhe ekonomikisht vendin fqinj./ Përshtati "Pamfleti" nga "The Star"
Lini një Përgjigje