Trump sulmon sërish Teheranin dhe i kërkon regjimit të “marrë seriozisht situatën”
Në një postim të ri, Donald Trump sulmoi sërish Iranin, duke deklaruar ndër të tjera se regjimi në Teheran duhet “të marrë seriozisht situatën”.
Presidenti amerikan Donald Trump duket se qëndroi aktiv në rrjetet sociale pas darkës zyrtare të mbrëmjes së kaluar me Mbretin Charles të Anglisë.
Në postimin e tij të ri, pak pas orës 04:00 të mëngjesit në Uashington, ai sulmoi sërish Iranin, duke thënë se regjimi duhet “të marrë seriozisht situatën” dhe se “nuk di si të nënshkruajë një marrëveshje pa armë bërthamore”.
Nuk është plotësisht e qartë se çfarë nënkuptonte saktësisht me këto komente të reja, megjithatë vlerësohet se ai i referohet përpjekjeve për të ushtruar presion ndaj Teheranit që të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar.
Postimi shoqërohej me një imazh, me gjasë të krijuar me inteligjencë artificiale, që e paraqet atë duke mbajtur një mitraloz, me shpërthime në sfond.
Përshkrimi i imazhit shkruante: “No more Mr. Nice Guy”.

Dje, Irani u ofrua të ndalojë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit nëse SHBA heqin bllokadën ndaj vendit dhe i japin fund luftës, në një propozim që do të shtynte diskutimet për programin bërthamor të Iranit. Me një armëpushim të brishtë në fuqi, SHBA dhe Irani ndodhen në përplasje lidhur me Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe gazit në kohë paqeje.
Postimi i tij tregon se ai nuk pritet ta pranojë këtë ofertë, e cila iu përcoll amerikanëve përmes Pakistanit dhe do të linte të pazgjidhura mosmarrëveshjet që çuan SHBA-në dhe Izraelin në luftë më 28 shkurt.
Lini një Përgjigje