
Një përpjekje e re diplomatike për t'i dhënë fund përshkallëzimit të konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është vënë në lëvizje, ndërsa ndërmjetësit i kanë dorëzuar Teheranit një propozim për armëpushim.
Sipas një zyrtari iranian, të cituar nga "Reuters", plani parashikon një armëpushim 10-ditor, gjatë të cilit palët do të përpiqen të ringjallin marrëveshjen e përkohshme të arritur muajin e kaluar dhe të rikthejnë dialogun.
Paralelisht me këto zhvillime, Ministri i Brendshëm i Iranit, Esqandar Momeni, pritet të zhvillojë një vizitë në Pakistan, një nga vendet që po luan rol ndërmjetësues në krizën e Lindjes së Mesme.
Një burim i Ministrisë së Brendshme pakistaneze i tha AFP-së se ministri iranian do të zhvillojë takime me zyrtarë në Islamabad, megjithëse nuk u konfirmua nëse vizita lidhet drejtpërdrejt me përpjekjet për ndërmjetësim mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane deklaroi se kontaktet diplomatike me Shtetet e Bashkuara, përmes vendeve ndërmjetëse, po vazhdojnë edhe pas bombardimeve amerikane ndaj territorit iranian.
Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se vendi i tij ndodhet përballë një konflikti të plotë me SHBA-në dhe paralajmëroi se pasojat do të ndihen edhe në ekonominë iraniane.
"Realiteti është se sot, Republika Islamike e Iranit po përballet me një luftë të përgjithshme", tha Pezeshkian.
Ai u bëri thirrje qytetarëve iranianë të përgatiten për vështirësitë që sjell kjo përballje.
"Iranianët duhet të pranojnë pasojat natyrore të kësaj rezistence", deklaroi presidenti, sipas Presidencës iraniane.
Lini një Përgjigje