
Edhe në çështjen vendimtare të ndihmës për Ukrainën, Europa mbetet e përçarë. Veriu paguan, Jugu vështron. Mbizotëron egoizmi në vend të unitetit.
Donald Trump pëlqen të tallet me Emmanuel Macronin. “No, no, no”, e imiton ai presidentin francez, kur ky përpiqet, pa sukses të kundërshtojë tarifat më të larta doganore. Në poshtërimin e Macronit reflektohet përçmimi ndaj Europës.
Sjellja e Trumpit është fyese, madje e pahijshme në mënyrën si e shijon fyerjen. Por presidenti amerikan prek një pikë të ndjeshme: Europa nuk është partner në të njëjtin nivel dhe as që do të bëhet i tillë.
Mungesa e kapaciteteve mbrojtëse, për të cilën flitet kudo, nuk është arsyeja vendimtare pse Europa mbetet një fuqi e dorës së dytë. Deficitet qendrore janë mungesa e një strategjie koherente dhe e unitetit politik. Kjo vlen para së gjithash për Bashkimin Europian si aktori më i rëndësishëm, por edhe për vende si Britania e Madhe dhe Zvicra.
Kjo bëhet e dukshme pikërisht në sfidën që i tejkalon të gjitha të tjerat, luftën në Ukrainë. Prej katër vitesh, BE-ja nuk ka arritur të formulojë një linjë të përbashkët dhe ta zbatojë atë.
Penguesi më i madh nuk është hungarezi Viktor Orban. Ai shërben më tepër si kokë turku mbi të cilin projektohen të gjitha mangësitë e BE-së. Ai është figura që frikëson në errësirë, por në dritë rezulton një gjigant i rremë, një aktor i vetmuar që ndjek interesin e vet. Pengesën vendimtare e përbën fronti i refuzuesve të heshtur, ku janë rreshtuar vendet e Europës Jugore dhe Franca, “Club Méditerranée”. Me fjalë, këta përfitues pasivë nuk lënë askënd t’i tejkalojë në vendosmëri.
Macroni është më i zëshmi. Ai rikthen vazhdimisht idenë e vjetër të autonomisë strategjike të Europës. Kjo vlen edhe për Giorgia Melonin. Ajo nuk bën gabime në BE dhe NATO dhe për këtë merr lëvdata të shumta. Por kjo flet më shumë për admiruesit e saj të rinj sesa për të. Ashtu siç u etiketua padrejtësisht në fillim si një figurë postfashiste problematike, sot ajo mbivlerësohet.
Meloni dhe Macron, së bashku me refuzues më pak të dukshëm si Spanja dhe Greqia, kanë të përbashkët faktin se e mbështesin Ukrainën shumë më pak sesa vendet e Europës Veriore, Britania e Madhe dhe Gjermania. Kjo shihet në monedhën më të fortë: paraja.
Trumpi e uli ndjeshëm vitin e kaluar ndihmën për Kievin, përfshirë furnizimet me armë. Në vend të SHBA-së hynë BE-ja dhe Britania e Madhe. Sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, ato mbulojnë ndërkohë 95 për qind të ndihmës.
Megjithatë, shpërndarja është tejet e pabarabartë. Gjermania, Britania e Madhe, Suedia dhe Norvegjia e rritën ndjeshëm ndihmën ushtarake dhe renditen në krye. Franca ndodhet vetëm në vendin e shtatë, përpara Italisë (vend i 11-të) dhe Spanjës (vend i 13-të).
Në raport me fuqinë ekonomike, Parisi renditet në vendin e 14-të dhe Madridi në të 19-in. Roma nuk figuron fare në njëzet vendet e para.
Një tablo e ngjashme paraqitet në programin përmes të cilit vendet anëtare të NATO-s blejnë armatime në SHBA për Ukrainën. Pa këtë iniciativë, Kievi nuk do të mund ta vazhdonte luftën. Nëse furnizimet ndërpriten, kapitullimi do të ishte vetëm çështje kohe. Megjithatë, Franca dhe Italia nuk marrin pjesë.
Roma e justifikon tërheqjen me deficitin buxhetor, ndërsa Parisi paraqet një qëndrim parimor. Macron përfaqëson një egoizëm të zhveshur në traditën gaulliste. Kjo shfaqet, ndër të tjera, në doktrinën e pakompromis “Buy European”. Duhet të dorëzohen vetëm armë franceze ose të paktën europiane. Por BE-ja nuk prodhon disa nga sistemet vendimtare për Kievin.
Këta ndjekës sillen si Trumpi. Ai deklaron hapur se mbështetja materiale për Ukrainën nuk është detyrë amerikane, sepse SHBA-ja ndahet nga fusha e betejës me një oqean dhe mijëra kilometra. Në të njëjtën mënyrë arsyeton edhe “Club Med”: ai është larg stepave të ashpra të lindjes. Llogaritja amerikane dënohet gjerësisht në Europë. Për rolin e Francës, Spanjës dhe Italisë mbizotëron heshtja, ndonëse ato janë pesha të rënda politike dhe ekonomike në BE. Kritika ndaj Trumpit kështu rezulton e mbushur me hipokrizi.
Sulmi ndaj Ukrainës shënon një epokë të re, me rikthimin e luftës dhe të politikës brutale të forcës në Europë. I prekur është i gjithë kontinenti, jo vetëm një rajon i kufizuar si në luftërat jugosllave të viteve ’90.
Nëse Putini do të fitonte, situata e sigurisë në gjithë Europën do të ndryshonte, edhe nëse kozakët rusë nuk do të pushtonin një ditë Parisin si pas rënies së Perandorisë Napoleonike. Rusia do të bëhej hegjemon, veçanërisht nëse Amerika nuk do ta ndiente më veten përgjegjëse për kontinentin e vjetër.
Nëse BE-ja nuk gjen një pozicion të përbashkët përballë kësaj kërcënimi, ajo nuk ka peshë si aktor gjeopolitik. Bashkimi nuk nënkupton vetëm fjalë të mëdha, në këtë disiplinë Macroni shkëlqen, por veprime të përbashkëta.
Paraja është matësi më i mirë i seriozitetit të angazhimit. Franca, Spanja dhe Italia nuk e kalojnë këtë provë.
Për Zvicrën, ky konstatim mund të jetë një ngushëllim i heshtur. Ajo nuk është e vetmja vrimë në “donutin” europian. Akuza për përfitim selektiv dhe udhëtim falas vlen po aq për të tjerët.
Deklaratat e forta të përfaqësueses së lartë për politikën e jashtme, Kaja Kallas, nuk e fshehin faktin se BE-ja është e përçarë në një çështje ekzistenciale. As në këtë situatë vendet anëtare nuk veprojnë si një bashkësi fati. Secili ndjek interesin e vet. Ata që janë më pranë Rusisë, shtetet baltike, Finlanda dhe vendet skandinave, veprojnë. Të tjerët vëzhgojnë.
Armët nuk mjaftojnë, mbi të gjitha nevojitet një strategji e përbashkët. Ndërsa kancelari Scholz qëndronte rehat në hijen amerikane, Friedrich Merz po vepron me vendosmëri. Gjermania është sërish një faktor. Por Berlini është shumë i dobët dhe politikisht i brishtë për ta kompensuar i vetëm mungesën e unitetit.
Britania e Madhe e mbështet Ukrainën pa lëkundje që nga aneksimi i Krimesë, pavarësisht ndryshimeve në Westminster. Por me largimin nga BE-ja, ajo e ka reduktuar veten në një spektatore anësore. Putini përqendrohet vetëm te Uashingtoni. Trumpi e trajton Europën herë me përbuzje, herë me paternalizëm. Të dyja burojnë nga e njëjta logjikë. Rusi dhe amerikani kanë instinkt të saktë për pushtetin dhe dobësitë e kundërshtarëve.
“Power is power”, thotë sundimtarja e pamëshirshme Cersei Lannister në “Game of Thrones”. Asgjë nuk e zëvendëson mungesën e pushtetit real. Kusht thelbësor për këtë është një strategji koherente. Pa të, shtetet e BE-së mund të blejnë sa të duan armë, do të mbeten xhuxhë. Nuk do të hyjnë në radhën e të mëdhenjve.
Europa bashkohet vetëm kur del në kundërshtim me SHBA-në. Kur Trumpi shpalli pretendimin për Grenlandën, fronti i refuzimit u ngrit shpejt. Në raport me Amerikën, europianët sillen si fëmijë ndaj prindërve. Prindërit u duken të sikletshëm, ndërsa të rinjtë nuk reflektojnë mbi sjelljen e tyre. Adoleshentët rriten. Europianët duket se mbeten në pubertet të përhershëm.
Ky përfundim ka pasoja të pakëndshme. Një politikë e integruar sigurie e BE-së do të mbetet iluzion, ashtu si edhe armët e përbashkëta bërthamore. “Power is power.” Kjo vlen më shumë se për çdo gjë tjetër për kokat bërthamore. Ato janë sigurimi përfundimtar, pa të cilin Europa nuk bëhet madhore.
Londra i jep përparësi partneritetit me Uashingtonin. Gaullistët në Paris nuk do t’i japin askujt të drejtë vendimmarrjeje mbi nëndetëset e tyre me armë bërthamore, aq më pak rivalëve gjermanë. Këta të fundit, falë financave të fuqishme, pritet të bëhen së shpejti fuqia më e madhe ushtarake konvencionale në Europë.
Anëtarësimi i Ukrainës në BE do të ishte dëshmia më e madhe e solidaritetit dhe do të zhbënte menjëherë gjysmëmasat. Por rezistenca është e madhe, edhe nëse Kievit nuk do t’i jepet qasje në fondet e zakonshme. Europa nuk është më e mirë se Amerika. Secili ndjek interesin e vet. /Përshtati "Pamfleti" nga "NZZ"
Lini një Përgjigje