Presidenti amerikan Donald Trump dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, zhvilluan një takim në Shtëpinë e Bardhë këtë javë, ku në qendër të diskutimeve ishin shpenzimet ushtarake të vendeve anëtare, lufta në Ukrainë, marrëdhëniet me Turqinë dhe sfidat e sigurisë globale.
Takimi u zhvillua në një moment kur administrata amerikane vijon të kërkojë që aleatët europianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre, ndërsa NATO përpiqet të ruajë unitetin përballë krizave të shumta ndërkombëtare.
Për të argumentuar se vendet anëtare kanë reaguar ndaj kërkesave të Uashingtonit, Mark Rutte solli të dhëna mbi rritjen e investimeve në mbrojtje.
"Kjo është ajo që unë e quaj 'Trump trilioni'. Që nga viti 2017, europianët dhe kanadezët kanë shtuar mbi 1.2 trilionë dollarë në shpenzimet e mbrojtjes", tha Rutte.
Sipas tij, presioni i ushtruar nga administrata amerikane ka ndikuar që shumë qeveri europiane të ndryshojnë qasjen ndaj financimit të mbrojtjes dhe të rrisin ndjeshëm buxhetet ushtarake.
Megjithatë, Trump bëri të qartë se nuk është i bindur se aleatët kanë bërë mjaftueshëm.
"Pyetja kryesore është: a po paguajnë 5 për qind? Për pjesën më të madhe jo. Ne kemi mijëra trupa në Europë, shpenzojmë miliarda dollarë për sigurinë e tyre dhe ajo që kërkoj është besnikëri", deklaroi presidenti amerikan.
Trump kritikoi disa vende europiane, duke thënë se ato vazhdojnë të mos përmbushin angazhimet që kanë marrë brenda NATO-s dhe se barra e mbrojtjes vazhdon të bjerë kryesisht mbi Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan u ndal edhe te operacioni ushtarak kundër Iranit, duke theksuar se SHBA nuk kishte nevojë për mbështetje ushtarake nga aleatët, por do të kishte pritur një qëndrim më të fortë politik në favor të Uashingtonit.
"Ne nuk kishim nevojë për ndihmë. E zgjidhëm vetë që në javën e parë. Por do të kishte qenë mirë të dëgjonim disa prej tyre të thoshin: 'duam të ndihmojmë'. Nuk e thanë", u shpreh Trump.
Nga ana tjetër, Rutte pranoi se mes vendeve aleate ka pasur mospajtime, por nënvizoi se bashkëpunimi transatlantik mbetet i domosdoshëm për sigurinë e përbashkët.
"Midis katër dhe pesë mijë avionë amerikanë u ngritën nga bazat e Europës", tha Mark Rutte, duke vënë në dukje mbështetjen logjistike që aleatët europianë i kanë dhënë operacioneve amerikane.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe Turqisë. Trump foli pozitivisht për presidentin Recep Tayyip Erdogan, duke e cilësuar një partner me të cilin ka pasur bashkëpunim të mirë.
"Erdogani është një lider i fortë dhe i respektuar. Sa herë që i kam kërkuar diçka, ai e ka bërë", tha Trump.
Presidenti amerikan la të kuptohet se administrata e tij mund të ndërmarrë hapa për përmirësimin e marrëdhënieve ushtarake me Ankaranë.
"Me shumë gjasa do të bëjmë diçka që do ta bëjë shumë të lumtur", deklaroi ai.
Këto komente janë interpretuar si një sinjal pozitiv për kërkesën e Turqisë që të rikthehet në programin e avionëve luftarakë F-35, nga i cili u përjashtua pas blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.
Pak më vonë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance konfirmoi se administrata në Uashington po shqyrton mundësinë e rikthimit të Turqisë në programin F-35. Sipas burimeve të Reuters, po analizohen alternativa që mund të çojnë drejt një marrëveshjeje me Ankaranë, edhe pse në Kongres vazhdojnë të ekzistojnë rezerva për këtë çështje.
Gjatë bisedës me gazetarët, Trump u ndal edhe te lufta në Ukrainë. Ndryshe nga deklaratat kritike të muajve të fundit ndaj Kievit, këtë herë ai përdori tone më pozitive për presidentin Volodymyr Zelensky dhe rezistencën e ushtrisë ukrainase.
"Po ia del mjaft mirë. Pavarësisht si e sheh situatën, ai po qëndron. Ka shumë viktima nga të dyja palët, por duhet ta pranosh se ka treguar guxim. Ka pajisje të mira, por mbi të gjitha ka luftëtarë të mirë", tha Trump.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon pa një perspektivë të qartë përfundimi dhe mbetet sfida më e madhe e sigurisë për NATO-n në krahun lindor.
Në të njëjtën kohë, aleanca po ndjek me shqetësim edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme. Armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit konsiderohet ende i brishtë pas javëve të fundit të përshkallëzimit ushtarak, ku u përfshinë edhe Shtetet e Bashkuara. Paralelisht, tensionet në Liban mes Izraelit dhe Hezbollahut vazhdojnë të mbajnë të lartë rrezikun e zgjerimit të konfliktit në rajon.
Në këtë kontekst, samiti i ardhshëm i NATO-s, që do të zhvillohet më 7 dhe 8 korrik në Ankara, pritet të fokusohet jo vetëm te rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe mbështetja për Ukrainën, por edhe te sfidat e reja të sigurisë që lidhen me situatën në Lindjen e Mesme.
Takimi pritet të jetë një provë e rëndësishme për unitetin e aleancës, ndërsa prania dhe qëndrimet e Donald Trump pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në debatet për të ardhmen e NATO-s dhe rolin që vendet europiane do të duhet të marrin në mbrojtjen e tyre.
Lini një Përgjigje