
Vendimi i vonuar i SHBA-ve që mund të ndryshojë rrjedhën e konfliktit
Donald Trump, presidenti amerikan, i njohur për kthesat e papritura në politikën e jashtme, shkaktoi një tjetër surprizë ndërkombëtare me vendimin e tij të fundit për të dërguar sisteme raketore Patriot në Ukrainë, pas disa muajsh të humbur që mund t’i kenë kushtuar shtrenjtë rezistencës ukrainase ndaj agresionit rus.
Gjatë muajit mars të vitit 2025, administrata Trump ndaloi papritur dërgesat e armëve dhe ndihmave ushtarake për Ukrainën, me shpresën e arritjes së një armëpushimi të shpejtë me Rusinë. Ky vendim, i cilësuar si "një gabim strategjik" nga shumë analistë ndërkombëtarë, dha frymë dhe avantazh ushtarak për Moskën në terren, duke përforcuar pozicionet e saj në rajonet e pushtuara.
Por Trump tani është rikthyer duke konfirmuar në 13 korrik 2025 se Uashingtoni do të furnizojë Kievin me sisteme të avancuara mbrojtjeje ajrore Patriot, pajisje që ukrainasit i kërkojnë me dëshpërim prej muajsh. Duke kritikuar drejtpërdrejt Vladimir Putinin, Trump tha se lideri rus "flet mirë në mëngjes, por vazhdon të bombardoje natën".
Ndërkohë, Trump ka hedhur përgjegjësinë financiare drejt Europës, duke theksuar se "aleatët tanë evropianë duhet të paguajnë kostot e kësaj mbështetjeje". Kjo deklaratë ka shkaktuar shqetësim në Bruksel, duke krijuar paqartësi për unitetin dhe solidaritetin mes aleatëve perëndimorë.
Ekspertët gjeopolitikë vlerësojnë se muajt e humbur nga ndalimi i mbështetjes amerikane i kanë dhënë një avantazh të qartë strategjik Moskës, duke rritur vështirësitë për Ukrainën në fushëbetejë. Vendimi i fundit, megjithëse pozitiv, shihet si një hap i vonuar, që mund të mos jetë i mjaftueshëm për të ndryshuar rrënjësisht situatën në terren.
Ndërkohë, Trump paralajmëron edhe një "deklaratë të rëndësishme" në ditët në vijim, që mund të përfshijë tarifa apo sanksione të reja ndaj Rusisë dhe aleatëve të saj. Kjo mund të sinjalizojë një kthesë të re në marrëdhëniet SHBA-Rusi, por pyetja që mbetet është nëse kjo do të mjaftojë për të riparuar dëmin strategjik të shkaktuar nga paqartësia e muajve të fundit./Pamfleti
Lini një Përgjigje