
Pse Jared Kushner dhe Witkoff shkuan në Izrael?
Dy të dërguarit amerikanë, biznesmeni Steve Witkoff dhe (i pabesueshmi) Jared Kushner, kanë mbërritur në Tel Aviv për një takim me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Në qendër të diskutimeve: fati i luftëtarëve të Hamasit të bllokuar në rrjetin e tuneleve nën territorin e Gazës tashmë të pushtuar nga ushtria izraelite, si edhe çështje të tjera që lidhen me të ashtuquajturën “armëpushim”, të cilin Izraeli e ka shkelur sistematikisht, me 241 palestinezë të vrarë që nga hyrja e tij në fuqi.
Ndërkohë që pritet sqarimi mbi mundësinë që kontrolli i ndihmave humanitare për Gazën t’i kalojë Shteteve të Bashkuara, çështja më urgjente mbetet ajo e milicëve të Hamasit.
Sipas burimeve arabe, drejtuesit e Hamasit dhe ndërmjetësit kanë propozuar një plan për t’u lejuar luftëtarëve të bllokuar të largohen të padëmtuar, propozim që synon të shmangë kolapsin e armëpushimit.
Frika është se, të dëshpëruar dhe pa dalje, luftëtarët mund të dalin nga tunelet dhe të përplasen me trupat izraelite, duke e rrëzuar përfundimisht çdo shpresë për qetësi.
Sipas një zbulimi të medias izraelite Walla, “Uashingtoni i ka premtuar Hamasit një kalim të sigurt në këmbim të kthimit të trupit të një pengu izraelit të vrarë, togerit Hadar Goldin”, mbetjet e të cilit u dorëzuan dje.
Në pritje të zhvillimeve të reja dhe të ngritjes së një “forcë stabilizuese arabo-islame” që do të garantonte sigurinë e Gazës, një projekt që, në teori, gëzon dakordësinë e të dy palëve, Hamasit dhe Izraelit – Tel Avivi vazhdon kursin agresiv: bombardime në Liban dhe dhunë sistematike në Bregun Perëndimor.
Libani, mes presionit për çarmatimin e Hezbollah dhe ambicies izraelite për ujërat
Sulmet ajrore izraelite në Liban, që kanë shkaktuar viktima civile (të cilët Izraeli i quan “terroristë”, si gjithmonë), kanë për qëllim ta detyrojnë qeverinë e Bejrutit të çarmatosë Hezbollah-un, pa u tërhequr vetë nga zonat strategjike që ushtria izraelite kontrollon në jug të Libanit, deri në lumin Litani, rreth 20 kilometra nga kufiri.
Marrëveshja e fundit e armëpushimit mes dy vendeve kishte parashikuar një çarmatim të pjesshëm të Hezbollah-ut në jug të Litanit, por jo çarmatim total, kërkesë që tani Tel Avivi, me mbështetjen amerikane, po e shtyn si kusht për “paqen”.
Një veprim i tillë, në fakt, do ta linte Libanin pa mbrojtje përballë kërkesave dhe ambicieve izraelite për kontrollin e ujërave dhe burimeve natyrore të zonës jugore, ku ndodhen edhe rezervat e gazit në det të hapur. Pikërisht për këto burime, në vitin 2022, Izraeli dhe Hezbollah ishin në prag të një konflikti të ri, që u ndal vetëm pas një kompromisi të përkohshëm.
Kjo përpjekje për ta dobësuar Hezbollah-un, sipas shumë analistëve, është pjesë e strategjisë së Netanyahut për ta detyruar Libanin të bashkohet me “Marrëveshjet e Abrahamit”, paktet e nënshkruara nga disa vende arabe që normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin dhe e vendosin atë në pozitën e një fuqie hegjemonike rajonale.
Në thelb, është projekti i vjetër i “Izraelit të Madh”, një ëndërr e vjetër mesianike që Netanyahu e ka përqafuar dhe e përdor si platformë për ambiciet e tij gjeopolitike dhe personale.
Bregu Perëndimor, dhuna që po normalizohet
Ndërkohë, situata në Bregun Perëndimor mbetet shpërthyese. Gazeta izraelite Haaretz, në editorialin e saj të fundit, kujton se që nga fillimi i vitit janë regjistruar mbi 1500 sulme të kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve, ndërsa fundjavën e fundit e përshkruan “sërish të larë në gjak”.
“Ushtria izraelite, vazhdon të qëndrojë spektatore dhe nuk ndërhyn për të ndaluar dhunën apo për të mbrojtur palestinezët. Në shumë raste, agresorët janë vetë ushtarë me uniformë, pjesë e forcave të sigurisë së vendbanimeve, të cilët përdorin armët e tyre për të sulmuar fshatarët palestinezë që thjesht po punojnë tokat e tyre”, shkruan Haaretz. /Përshtatur nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje