Bota18 Prill 2023, 11:50

U arrestua për spiunazh në Rusi, gazetari amerikan apelon vendimin

Shkruar nga Pamfleti

U arrestua për spiunazh në Rusi, gazetari amerikan apelon vendimin

Gazetari i Wall Street Journal Evan Gershkovich, i cili akuzohet për spiunazh do të apelojë kundër arrestimit dhe ndalimit të tij në Moskë.

Mediat e huaja raportojnë se një gjykatë ruse do të dëgjojë të martën një ankesë të paraqitur nga Gershkovich kundër vendimit për ta mbajtur atë në paraburgim në burgun Lefortovo ndërsa çështja është ende në hetim.

Muajin e kaluar, Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) tha se kishte arrestuar Gershkovich dhe kishte hapur një çështje spiunazhi kundër tij për mbledhjen e sekreteve shtetërore rreth kompleksit industrial ushtarak. Dokumentet e gjykatës nuk jepnin asgjë më shumë se detaje elementare rreth çështjes.

Sakaq, Uashingtoni dhe gazeta Wall Street Journal kanë mohuar se ai ishte i përfshirë në spiunazh.

Gershkovich aktualisht po mbahet në një qendër paraburgimi në burgun famëkeq Lefortovo deri më 29 maj. Ai mund të përballet me 20 vjet burg për akuzat e spiunazhit.

Kujtojmë se është hera e parë që një gazetar amerikan arrestohet me akuza nga Moska për spiunazh që nga Lufta e Ftohtë.

arrestim spiunazh rusi apel gazetar