
Presidenti ukrainas, Zelensky njoftoi organizimin e një “Forumi Ndërkombëtar të Industrive të Mbrojtjes” që do të zhvillohet në Ukrainë “këtë vjeshtë”, me pjesëmarrjen e të paktën 86 kompanive të prodhimit të armëve nga 21 vende.
Qëllimi është t’i krijojë Ukrainës çdo mundësi për të prodhuar armë dhe municione, për t’i dhënë teknologji moderne dhe për të pasur një mbrojtje të besueshme kundër çdo forme agresioni.
Por furnizimi i Kievit me armë për të përballuar agresionin rus, po ngre shqetësime brenda NATO-s. Shefi i Komitetit Ushtarak të aleancës, admirali holandez Rob Bauer, ka pranuar se “vëllimi i asaj që përdoret [për të ndihmuar Ukrainën] po shkon përtej kapacitetit të prodhimit të NATO-s”.
“Tani po japim armë dhe në të njëjtën kohë po porosisim të reja, çka nuk po krijon një ekuilibër. Prandaj bëhet thirrja për industrinë dhe qeveritë që të kenë një debat më intensiv dhe një sens më të lartë për urgjencën që duhet për të zgjidhur problemin”, tha Rob Bauer i Holandës, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s.
Gjithsesi, zyrtari i NATO-s thekson se kjo situatë nuk duhet të ndikojë në ndihmën e Ukrainës, edhe pse shumë shtete në Evropë rrezikojnë të ekspozojnë veten e tyre me zbrazjen nga armatimet të cilat po shkojnë në fushën e betejës.
Lini një Përgjigje