Ish-udhëheqësi i fuqishëm i Venezuelës mbahet në qendrën federale të paraburgimit në Brooklyn, të cilën disa ekspertë e përshkruajnë si “ferri në tokë”, ndërsa pret gjyqin...
Gazeta spanjolle ABC përshkruan realitetin e ri të ish-udhëheqësit të fuqishëm të Venezuelës, Nikolas Maduro, i cili tani jeton i mbyllur në një hapësirë të ngushtë paraburgimi, pas një dere të rëndë metalike. Brenda qelisë së tij ndodhet një krevat metalik i fiksuar në mur, ndërsa tingulli metalik i mekanizmave të kyçjes përcakton ritmin e përditshmërisë së tij.
Sipas burimeve që njohin situatën e tij dhe që citohen nga media, gjatë natës heshtja e burgut ndërpritet nga zëri i tij që dëgjohet nga qelia: “unë jam presidenti i Venezuelës! Tregojini vendit tim se më kanë rrëmbyer dhe se këtu po na keqtrajtojnë”.
Kjo skenë nuk është e regjistruar në asnjë vendim gjyqësor dhe nuk është dokumentuar në procedurat zyrtare. Megjithatë, sipas dëshmive, ajo është një rrëfim që qarkullon brenda Metropolitan Detention Center (MDC) në Brooklyn, burgu federal ku Maduro mbahet që nga 3 janari, ditën kur u arrestua dhe u transferua në Nju Jork.
Në këtë kompleks korrektues, një nga më të rreptët e sistemit federal në zonën e Nju Jorkut, fillon jeta në burg për një politikan që për më shumë se një dekadë kishte përqendruar pushtetin në Venezuelë.
“Ferr në tokë”
Qendra MDC bie në sy me shikimin e parë: një kub gjigant betoni i ndërtuar në një zonë industriale të Brooklynit, pranë gjirit. Pamja e parë është ajo e një mase të rëndë dhe izolimi absolut. Megjithatë, sipas atyre që kanë kaluar aty, fasada nuk është pjesa më e keqe e ndërtesës, brendësia është edhe më e vështirë.
“Është ferr në tokë”, thotë Sam Mangel, këshilltar për çështje të sistemit penitenciar, i cili ka punuar për vite me të burgosur në burgjet federale. Sipas tij, MDC është i njohur për mangësi serioze.
“Është në gjendje neglizhence, me financim të kufizuar dhe staf të pamjaftueshëm. Është një vend ku askush nuk do të donte të kalonte asnjë minutë”, shprehet Mangel.

Informacione të tjera përmendin probleme me ngrohjen gjatë dimrave të mëparshëm, praninë e brejtësve dhe kujdes të kufizuar mjekësor. Në dhjetor, një i burgosur vdiq pas një diagnoze të vonuar të kancerit në mushkëri, sipas dokumenteve publike, ndërsa ankesat për temperatura të ulëta dhe lagështi janë të shpeshta.
Në këtë qendër paraburgimi mbahen persona të akuzuar që presin gjyqin ose dënimin përfundimtar. Në qelitë e saj kanë kaluar figura me profil të lartë publik, si reperi Sean “Diddy” Combs, Ghislaine Maxwell, partnerja e Jeffrey Epstein që u dënua për trafikim njerëzish, ish-presidenti i Hondurasit Juan Orlando Hernández dhe Hugo “El Pollo” Carvajal, ish-kreu i shërbimeve sekrete të regjimit të Chávez.
Në të njëjtat ambiente janë mbajtur gjithashtu figura të njohura të karteleve ndërkombëtare të drogës, si Ismael “El Mayo” Zambada.
Një zëdhënës i Byrosë Federale të Burgjeve të SHBA-së (BOP) refuzoi të japë informacione specifike për kushtet e paraburgimit të Maduro-s.
“Për arsye sigurie dhe mbrojtjeje të privatësisë, agjencia nuk zbulon kushtet e paraburgimit të asnjë të burgosuri”, deklaroi ai.
Në qeli 2 me 3 metra, del vetëm tri herë në javë
Sipas burimeve që njohin regjimin e paraburgimit të tij, Maduro është vendosur në Special Housing Unit (SHU), një sektor izolimi. Kjo njësi përdoret zyrtarisht për arsye disiplinore, për parandalimin e vetëvrasjeve ose për mbrojtjen e të burgosurve me profil të lartë. Në praktikë, ajo nënkupton pothuajse izolim të vazhdueshëm.
Qelia e tij është një hapësirë e kufizuar rreth tre metra e gjatë dhe dy metra e gjerë, e pajisur me një krevat metalik, tualet, lavaman dhe një dritare të ngushtë nga e cila hyn shumë pak dritë natyrale.
Të burgosurit në njësinë SHU mund të dalin nga qelia tri herë në javë për një orë, gjithmonë me pranga në duar dhe zinxhirë në këmbë, të shoqëruar nga dy oficerë korrektues. Gjatë kësaj kohe mund të bëjnë dush, të përdorin telefonin, me kufizim të kohës mujore, të dërgojnë mesazhe elektronike nën mbikëqyrje ose të dalin në një hapësirë të vogël të jashtme të rrethuar me hekura.
Shumë të burgosur të njohur kalojnë fillimisht në izolim për arsye parandaluese ndaj vetëvrasjes, zakonisht për 72 orë deri në një javë. Në rastin e Maduro-s, burimet thonë se qëndrimi i tij lidhet me masa afatgjata sigurie, pasi konsiderohet ndoshta i burgosuri me profilin më të lartë që ka kaluar ndonjëherë në këtë qendër.

Çështja Maduro në dy plane
Procedura gjyqësore filloi zyrtarisht më 5 janar, kur ai u paraqit para gjykatësit Alvin Hellerstein në Manhattan. Gjatë seancës deklaroi se është “president i Republikës së Venezuelës”, pretendoi se është “rrëmbyer” dhe tha se ishte arrestuar në shtëpinë e tij në Karakas.
Gjykatësi u përgjigj se do të ketë “kohën dhe vendin e duhur” për të shqyrtuar ligjshmërinë e arrestimit, por jo në atë moment. Atij iu komunikuan të drejtat e tij, deklaroi se nuk i njihte më parë, mohoi akuzat dhe mbeti në paraburgim deri në gjyq.
Çështja zhvillohet në dy nivele.
I pari është ai gjyqësor, ku përballet me akuza për narko-terrorizëm, komplot për importimin e kokainës në Shtetet e Bashkuara dhe përdorim ose posedim të armëve të rënda dhe eksplozivëve.
I dyti lidhet me përditshmërinë në burg. Sipas të njëjtave burime, Maduro kalon shpesh netët duke bërtitur nga qelia në spanjisht se është rrëmbyer dhe duke kërkuar që mesazhe të dërgohen te familja e tij dhe te të burgosur të tjerë venezuelianë.
Kjo pamje është shumë larg imazhit publik që kishte deri së fundmi: politikani që shfaqej në programe televizive, fliste nga ballkonet e pallatit presidencial Miraflores dhe merrte pjesë në tubime masive.
Në dosjen gjyqësore përmenden edhe çështje shëndetësore. Gjatë seancës së parë, avokati i tij informoi gjykatësin se ekzistojnë probleme mjekësore që kërkojnë vëmendje dhe kërkoi të ndiqet procedura e nevojshme për të siguruar trajtim të përshtatshëm gjatë paraburgimit. Sëmundjet konkrete nuk u specifikuan.
Ndërkohë, Maduro dhe bashkëshortja e tij Cilia Flores kërkuan një vizitë konsullore nga Venezuela, kërkesë që u miratua nga gjykata. Vizita u realizua më 30 janar dhe ishte një nga kontaktet e pakta zyrtare gjatë izolimit.
Ndërsa procesi gjyqësor vazhdon, përditshmëria në qeli mbetet e rregulluar rreptësisht: numërime të vazhdueshme të të burgosurve, drita që nuk fiken kurrë plotësisht, dyer që hapen dhe mbyllen sipas programit të burgut dhe zëra të të burgosurve që bërtasin ose godasin hekurat gjatë natës. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje