
Presidenti amerikan Donald Trump priti në Shtëpinë e Bardhë pak minuta më parë, homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky. Teksa u akomoduan brenda Shtëpisë së Bardhë, Trump deklaroi për mediat prezente se është një nder i madh të jetë me një "udhëheqës të fortë" si Zelensky.
Trump deklaroi më tej se do të flasë me ukrainasin rreth telefonatës së tij me Vladimir Putinin dje, teksa theksoi se po bëhet një përparim i madh për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
"Mendoj se po bëjmë përparim të madh Do të flasim për këtë sot. Do të flasim për atë që ndodhi dje me telefonatën time me Presidentin Putin. Mendoj se gjërat po ecin mjaft mirë. Filloi me Alaskën, ku mendoj se u diskutuan disa udhëzime. Dhe duam të shohim nëse mund ta arrijmë këtë", tha Trump.

Në një takim që dukej shumë larg atij të parit kur gjërat morën për keq, Trump mori një moment gjatë takimit për të komplimetuar veshjen e Zelenskyt, i cili duket se ka mësuar nga gabimet e së shkuarës.
"Mendoj se ai duket shumë bukur me xhaketën e tij", tha presidenti amerikan, i cili gjatë takimit të parë në shkrut të këtij viti e kritikoi për paraqitjen në takim me kostumin ushtrak.
I pyetur nga gazetarët nëse do të bëjë lëshime për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, Volodymyr Zelensky tha se është i hapur për diskutim, për arritjen e një marrëveshje armëpushimi.

"Para së gjithash, mendoj se duhet të ulemi dhe të flasim. Pika e dytë, ne kemi nevojë për një armëpushim. Edhe tani që shihni në Lindjen e Mesme, është shumë e vështirë të mbahet një armëpushim. Jam i gatshëm të flasë në çdo lloj formati. Dypalëshe, trepalëshe: nuk ka rëndësi. Vetëm paqe. Kjo është e rëndësishme”, tha Zelensky, i cili shtoi se sigurimi i garancive dypalëshe nga ana e SHBA-së është dokumenti më i rëndësishëm.
Më tej Zelensky sugjeroi se Ukraina mund t'i ofrojë SHBA-së "mijëra dronë" nëse Uashingtoni i lejon asaj të përdorë raketat Tomahawk.
"Kjo është arsyeja pse mund të punojmë së bashku, ku mund të forcojmë prodhimin amerikan. Ne kemi një propozim të madh me dronët tanë", tha Zelensky.
Trump u pyet nëse ky propozim nga ana e Ukrainës është diçka për të cilën ai do të ishte i interesuar, pyetje së cilës presidenti i SHBA-ve iu përgjigj pozitivisht,
"Po, do të ishim. Ne kemi shumë dronë tani. Ne i ndërtojmë vetë dronët tanë, por blejmë edhe dronë nga të tjerët, dhe Ukraina prodhon dronë shumë të mirë", tha Trump

Sa i takon bisedimeve për dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprmi në Ukrainë, Donald Trump paralajmëroi se një sulm i Ukrainës thellë brenda Rusisë do të përfaqësonte një përshkallëzim të luftës.
I pyetur nga gazetarët nëse do ta lejonte Ukrainën të bënte një sulm brenda territorit rus, Trump tha se do të diskutohet për këtë rast.
“Do të flasim për këtë”, shtoi Trump
Më pas, një gazetar ukrainas i propozon Trumpit se dhënia e raketave Tomahawk për Kievin do të balanconte fushën e betejës, duke pasur parasysh se Rusia ka përdorur raketa të ngjashme që nga viti 2022.
Trump e quajti atë një pyetje të drejtë dhe e ktheu me shaka ndaj gazetarit duke i thënë: “është pikërisht ashtu siç të tha ai ta thuash”, duke drejtuar me gisht Volodymyr Zelensky-n.
Në fund erdhi edhe një pyetje sa i takon marrëdhënies së dy liderëve Zelensyk-Trump, pas asaj përplajse të ndodhur në shkurt. Zelensky shtoi se marrëdhënia e tyre është shumë e mirë dhe se ata po e kuptojnë njëri-tjetrin më në fund.
"Mendoj se po fillojmë ta kuptojmë njëri-tjetrin. E di që presidenti është shumë mirë i informuar për situatën në fushën e betejës dhe ai di shumë për atë që po ndodh në Ukrainë. Mendoj se kjo ndihmon shumë kur i di detajet", tha Zelensky.
Gazetarët nuk lanë pa ‘thumbuar’ edhe presidentin Trump, teksa e pyetën nëse Presidenti rus Vladimir Putin thjeshtë po fiton kohë duke propozuar një tjetër samit ballë për ballë me të, Trump tha se një gjë e tillë edhe mund të jetë e vërtetë.
“Është e mundur. Më kanë manipuluar gjithë jetën më të mirët prej tyre. Por unë jam mjaft i mirë në këto gjëra nëse ai dëshiron të bëjë një marrëveshje”, përfundoi Trump./Pamfleti
Lini një Përgjigje