
Presidenti amerikan Donald Trump ka pritur sot në Shtëpinë e Bardhë homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në një takim që u mbajt në një atmosferë të përzier mes protokollit diplomatik dhe toneve personale.
Takimi u zhvillua në një moment të rëndësishëm për zhvillimet në Ukrainë dhe për përpjekjet e reja diplomatike mes SHBA-së dhe Rusisë. Trump u shpreh se ishte një “nder” të mirëpriste Zelenskyy-n, të cilin e përshkroi si “një lider të fortë” dhe “një njeri që e kam njohur shumë mirë”.
Por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte një koment i papritur i Trump, i cili la për një moment në hije temat e mëdha gjeopolitike.
“Mendoj se duket shumë bukur me atë xhaketë,” tha Trump, duke e komplimentuar publikisht Zelenskyy-n për zgjedhjen e tij të veshjes. Kjo deklaratë erdhi disa muaj pasi Zelenskyy u kritikua nga një gazetar amerikan për veshjen joformale gjatë vizitës së tij të parë në Shtëpinë e Bardhë në Shkurt.
Mesa duket, presidenti ukrainas ka zgjedhur këtë herë një paraqitje më klasike, duke ndjekur pritshmëritë e protokollit amerikan.
Ndërkohë, Trump konfirmoi se një nga temat kryesore të bisedës së sotme do të jetë telefonata e tij e fundit me presidentin rus Vladimir Putin.
“Po bëjmë përparim të madh”, deklaroi Trump. “Gjërat po ecin mirë. Filloi në Alaska, ku u diskutuan disa udhëzime, dhe tani duam të shohim nëse mund ta çojmë deri në fund këtë proces,” shtoi ai, pa dhënë shumë detaje mbi përmbajtjen e bisedimeve me Kremlinin.
Kjo vizitë e Zelenskyy-t vjen në një moment të ndjeshëm për Ukrainën, e cila përballet me sfida të mëdha në fushën e sigurisë dhe në nevojën për mbështetje ndërkombëtare në vijimësinë e konfliktit me Rusinë.
Lini një Përgjigje