TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Qershor 2026, 12:47

Vala ekstreme e të nxehtit godet Francën, OBSH: Regjistrohen rreth 1 mijë vdekje

Shkruar nga Pamfleti
Vala ekstreme e të nxehtit godet Francën, OBSH: Regjistrohen rreth 1
Paris

Franca ka regjistruar rreth 1 mijë vdekje më shumë se zakonisht që nga 24 qershori, një rritje që autoritetet shëndetësore e lidhin me valën rekord të të nxehtit që ka përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit.

Agjencia Kombëtare Franceze e Shëndetit Publik bëri të ditur se, krahasuar me muajt e mëparshëm, është shënuar një rritje e ndjeshme e numrit të vdekjeve, veçanërisht në rajonet që kanë qenë nën alarmin maksimal për temperaturat ekstreme.

Sipas të dhënave paraprake, 85% e viktimave janë persona të moshës 65 vjeç e lart, megjithatë autoritetet theksojnë se bilanci mund të rritet, pasi shifrat aktuale nuk janë ende përfundimtare.

Gjatë kësaj jave, temperaturat në shumë zona të Francës kanë kaluar 40 gradë Celsius. Mbi 30 departamente u vendosën nën alarm të kuq, ndërsa e mërkura u regjistrua si dita më e nxehtë, me temperaturën mesatare në shkallë kombëtare që arriti në 30 gradë Celsius.

Edhe pse pjesa më e madhe e territorit nuk ndodhet më nën alarmin maksimal, autoritetet kanë marrë masa për të kufizuar aktivitetet publike. Janë shtyrë ose anuluar disa evente të mëdha, mes tyre festivali Pride dhe festivali muzikor Solidays, me synimin për të shmangur mbingarkimin e spitaleve, veçanërisht në rajonin e Parisit.

Në kryeqytetin francez, autoritetet ndaluan konsumimin e alkoolit në ambiente publike gjatë fundjavës për të ulur presionin mbi shërbimet e emergjencës. Ndërkohë, Kulla Eiffel dhe muzeu Louvre mbyllën dyert më herët për shkak të temperaturave të larta.

Vala e të nxehtit është kthyer edhe në një çështje të debatit politik, ndërsa Franca po i afrohet zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Mbyllja e përkohshme e disa shkollave dhe problemet në transportin publik kanë ngritur pikëpyetje mbi gatishmërinë e shtetit për përballimin e fenomeneve ekstreme klimatike.

Ndërkohë, temperaturat rekord kanë përfshirë edhe pjesën tjetër të Evropës. Në Gjermani dhe Spanjë termometri ka kaluar 40 gradë Celsius, ndërsa në Spanjë janë raportuar qindra viktima si pasojë e vapës.

Edhe Mbretëria e Bashkuar regjistroi ditën më të nxehtë të qershorit, me temperaturën që arriti në 37.3 gradë Celsius në fshatin Senton Daunhem, në Suffolk. Rekorde të reja temperaturash u shënuan gjithashtu edhe në Danimarkë dhe Çeki.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se rreth 150 milionë njerëz në Evropë po përballen me pasojat e kësaj vale të nxehti, duke theksuar se temperaturat ekstreme do të kenë ndikim jo vetëm në shëndetin e njerëzve, por edhe në ekosistemet.

Lini një Përgjigje