Jimmy Kimmel ka reaguar ndaj kritikave të presidentit Donald Trump lidhur me një shaka të tij për Melania Trump, të cilën e cilësoi si “vejushë e ardhshme”.
Komenti u bë gjatë emisionit të tij të mbrëmjes, pak ditë përpara një sulmi me armë në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Moderatori e ka përshkruar deklaratën si një batutë të lehtë, duke theksuar se kishte të bënte me diferencën 23-vjeçare në moshë mes presidentit dhe bashkëshortes së tij.
“Zonja jonë e Parë, Melania, është këtu. Shikojeni Melanian, kaq e bukur. Zonja Trump, shkëlqeni si vejushë e ardhshme,” tha Kimmel gjatë skeçit të së enjtes në mbrëmje. Në monologun e tij të parë në “Jimmy Kimmel Live!” pas të shtënave, komediani tha se shakaja ishte “një thumb shumë i lehtë për faktin që Presidenti Trump është pothuajse 80 vjeç dhe ajo është më e re se unë. Nuk ishte në asnjë mënyrë një thirrje për atentat dhe ata e dinë këtë; unë kam qenë shumë i zëshëm për shumë vite duke folur kundër dhunës me armë në veçanti,” shtoi ai. “Jam dakord që retorika e urrejtjes dhe e dhunës është diçka që duhet ta refuzojmë; mendoj se vendi nga duhet t’ia nisni për këtë është të bisedoni me bashkëshortin tuaj”, tha Kimmel.
Pas kësaj, Melania Trump reagoi duke e akuzuar moderatorin për përdorim të gjuhës së urrejtjes dhe nxitje të dhunës.
“Ai monolog për familjen time nuk është komedi, fjalët e tij janë gërryese dhe thellojnë sëmundjen politike brenda Amerikës. Sa herë do të lejojnë drejtuesit e ABC sjelljen e tmerrshme të Kimmel në kurriz të komunitetit tonë.”, tha Melania Trump.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka kërkuar largimin e Kimmel nga emisioni, duke rikthyer në vëmendje përplasjet e mëparshme mes tyre, përfshirë një episod në shtator pas një shakaje të moderatorit për vrasjen e Charlie Kirk.
Komenti i fundit i Kimmel vjen në një klimë të tensionuar politike në SHBA, ku një pjesë e kritikave lidhen me politikat e administratës Trump, përfshirë çështje si lufta në Iran, dëbimi i emigrantëve dhe qëndrimet ndaj Papës.
Lini një Përgjigje