Bota25 Maj 2024, 11:15

Vetëm ndarja e Ukrainës mes Lindjes dhe Perëndimit, mund të parandalojë luftën e re botërore

Shkruar nga Paolo Rossetti

Vetëm ndarja e Ukrainës mes Lindjes dhe Perëndimit, mund të

Ukraina është territori midis 2 blloqeve, në skenarin më të keq do të ketë një “Ukrainë ruse”, dhe pjesa tjetër e territorit do të orientohet nga bota perëndimore. Sapo të çimentohet kjo ndarje, ashtu siç ka ndodhur dikur ndarja e Gjermanisë, do të marrë fund edhe problemi. Por lufta mes Lindjes dhe Perëndimit nuk do të përfundojë, pasi humbja do të nënkuptonte rrezikimin e besueshmërisë së tyre.

Lufta aktuale në Ukrainë, është bërë shkak për një përplasje midis dy vizioneve të botës: atij të SHBA-së, unipolar, dhe që i sheh ende amerikanët dhe Perëndimin si udhërrëfyes universalë, dhe atë të Rusisë dhe Kinës, të cilat duan të rrëzojnë nga froni Shtetet e Bashkuara dhe që propozojnë një menaxhim shumëpolar të punëve dhe ndikimeve gjeopolitike.

Aq sa paradoksalisht, për Marco Bertolinin, gjeneral italian, dikur në krye të misioneve të shumta ndërkombëtare, nga Afganistani në Kosovë , ai që ka më pak për të humbur në këtë konflikt është Kievi. Nëse Ukraina rrezikon të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj, Perëndimi i udhëhequr nga amerikanët, do ta shihte të dëmtuar hegjemoninë e saj në nivel global.

Për këtë arsye të dyja palët tregojnë vazhdimisht muskujt e tyre, përfshirë stërvitjet ushtarake me armë bërthamore, madje duke e zhvendosur vëmendjen në përdorimin ushtarak të satelitëve. Me pak fjalë, janë më se të dukshme rreziqet e një konflikti në shkallë botërore, sidomos tani që Rusia po ngre disa pretendimet territoriale ndaj Finlandës, Lituanisë dhe Estonisë.

Në fushën e betejës, Moska është gjithmonë përpara dhe po sulmon fuqishëm në zonën e Kharkivit, ndërsa ukrainasit po kërkojnë ndihmë të menjëhershme nga partnerët e NATO-s që të kenë sistemet kundërajrore të nevojshme për t’iu kundërvënë epërsinë së rusëve në ajër. Të paktën deri në zgjedhjet amerikane do ta kenë këtë ndihmë, sepse Biden nuk ka luksin të paraqitet në zgjedhje si i humbur.

Gjeneral, Rusia publikoi së fundmi një dokument (edhe pse tani është hequr nga faqja e internetit e qeverisë) në të cilin njoftonte se donte të ndryshonte kufijtë detarë me Finlandën dhe Lituaninë. Ndërkohë zhvendosi bovat në lumin Narva, që kufizojnë kufirin me Estoninë. Janë  provokime të diktuara nga momenti, apo episode që fshehin një problem serioz?

Në Detin Baltik, ekziston një problem real. Pas hyrjes së në NATO të Finlandës dhe Suedisë, për Rusinë është krijuar një situatë problematike. Admirali James Stavridis, që tani është një nga drejtuesit më të lartë të Fondacionit Rokfeler, por që ka qenë dikur komandanti suprem i aleatëve në Evropë, ka thënë se në rast krize do të jetë e nevojshme të neutralizohet baza e Kaliningradit, një nga pesë flotat ruse, tani e rrethuar nga vende që i përkasin Aleancës Atlantike. Për Moskën kjo situatë është shumë shqetësuese, dhe mund të çojë në diçka të ngjashme me atë që po shohim në Ukrainë.

Britania e Madhe pretendon se ka prova të mbështetjes ushtarake të Kinës për Rusinë, ndërsa Pekini i akuzon britanikët si luftënxitës, pasi dekurajuan marrëveshjen e paqes që palët kishin arritur në vitin 2022. A ka aleanca Kinë-Rusi edhe një përmasë ushtarake?

Anglezët janë më radikalët në mesin e atyre që po nxisin një përplasje me Rusinë. Ata kanë thënë tashmë se armët e tyre mund të përdoren kundër Moskës. Në fakt, janë të shqetësuar nga aleanca de facto mes kinezëve dhe rusëve, e forcuar me rastin e vizitës së Putin në Kinë, në fund të së cilës u publikua një dokument që përcakton aleancën e dy vendeve, nevojën për një botë shumëpolare, dhe për një respekt të barabartë ndërmjet kombeve pavarësisht nga sistemi me të cilin qeverisen.

Pra e kundërta e asaj që duan anglezët dhe amerikanët, të cilët mendojnë një botë të dominuar nga SHBA-ja, e cila kundërshton sistemet demokratike dhe totalitare. Aleanca Rusi-Kinë është politike, por mund të bëhet edhe ushtarake. Britania e Madhe, e cila luan rolin e saj si zëdhënëse e SHBA-së në Evropë, e ka thënë fjalën e saj përballë gjithë kësaj situate. Dhe kur flasin anglezët, gjërat nuk shkojnë asnjëherë në drejtim të paqes.

Shtetet e Bashkuara, po vlerësojnë nëse do të lejojnë apo jo përdorimin e armëve të tyre për të sulmuar territorin rus. Njëherazi, francezët po testojnë një raketë bërthamore, ndërsa Rusia po zhvillon stërvitje për një luftë të mundshme bërthamore. Së fundi, po flitet edhe për përdorimin e satelitëve nga pikëpamja ushtarake. Pra të gjithë kanë tendencën të tregojnë muskujt e tyre. A po përgatitemi për më të keqen?

Ka një përplasje midis dy botëkuptimeve të kundërta: E para është ajo unipolare, e SHBA-së dhe e Perëndimit në përgjithësi, e cila nuk mund të humbasë kur përballet me kërcënimin e një bote shumëpolare. Lufta do të vazhdojë derisa njëri nga dy vizionet të dominojë mbi tjetrin. Të gjitha këto nisma, janë dëshmi se të dy blloqet nuk mund të dalin të mposhtur.

Dhe ky është edhe mallkimi ynë. Ukrainasit mund të humbasin një pjesë të territorit, por Perëndimi është i shqetësuar. Sepse nëse Rusia imponohet, fiton një botë tjetër, e cila propozon një monedhë të ndryshme nga dollari për transaksionet ndërkombëtare . Për këtë arsye, NATO po zhvillon stërvitje të rëndësishme dhe rusët po testojnë armët e tyre. Ndoshta stërvitje do të bëjnë edhe me kinezët. Janë shenja shumë të këqija në kontekstin e një përplasjeje të pashmangshme.

Paradoksalisht, a është pikërisht Ukraina ajo që ka më pak për të humbur nga kjo luftë sesa Perëndimi?

Ukraina është territori midis 2 blloqeve:në skenarin më të keq do të ketë një “Ukrainë ruse”, dhe pjesa tjetër e territorit do të orientohet nga bota perëndimore. Sapo të çimentohet kjo ndarje, ashtu siç ka ndodhur dikur ndarja e Gjermanisë, do të marrë fund edhe problemi. Por lufta mes Lindjes dhe Perëndimit nuk do të përfundojë, pasi humbja do të nënkuptonte rrezikimin e besueshmërisë së tyre. Prandaj SHBA-ja e mbështet Ukrainën: në lojë është besueshmëria e saj në arenën ndërkombëtare.

Në Rusi, kreu i komunikimeve të ushtrisë, Vladimir Shamarin, është arrestuar për korrupsion. Dhe kjo nuk është ngjarja e vetme e këtij lloji javët e fundit. Edhe në Rusi, ashtu si në Ukrainë, duket se ka një sistem që nuk është aq i qartë në funksionimin e tij...

Në Rusi ka pasur një spastrim të madh. Një muaj më parë u arrestua zëvendësi i ish-Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Ndërsa ky i fundit nga ana e tij u zëvendësua nga Belousov. Një dukuri të ngjashme shohim edhe në Ukrainë. Veprimi i kryer nga Putin, menjëherë pas zgjedhjeve formale, përfaqëson një pikë kthese që çon në një ndryshim thelbësor: Ai ka nevojë për burra të rinj.

Rusët po godasin shumë zonën e Kharkiv, ndërsa ukrainasit po kërkojnë ndihmë në sistemet kundërajrore. Kievi ka mobilizuar edhe 3 mijë të burgosur, të liruar enkas për të shkuar në front, një shenjë se ka gjithmonë nevojë për burime njerëzore. A do t’i vijë sërish në ndihmë Ukrainës Perëndimi, duke parë se nuk mund të lejojë të turpërohet?

Rusët po përparojnë, edhe pse nuk ka depërtime të mëdha në vijën e frontit. Amerikanët kanë frikë se do të mbërrijnë në zgjedhjet e nëntorit me një disfatë të Ukrainës dhe një krizë politike në vend. Të mos harrojmë që Zelensky nuk është më zyrtarisht president që nga 20 maji.

Ai qëndron në detyrë vetëm falë një dispozite të Kushtetutës, sipas të cilës njerëzit nuk mund të votojnë në kohë lufte. Kjo është një shenjë dobësie, sepse Putin zhvilloi zgjedhje në Rusi. SHBA-ja duhet ta vazhdojë luftën deri në zgjedhje: kjo justifikon 60 miliardat e miratuara, diskutimin për përdorimin e armëve amerikane për të sulmuar Rusinë, dhe dërgimin e 7 baterive Patriot, që për amerikanët do të ishte një sakrificë e madhe./Marrë nga ”Il Sussidiario”, përshtati Pamfleti.