TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Dhjetor 2025, 16:26

Viti 2026 do të jetë viti i shpërthimit të krizës së brendshme ruse!

Shkruar nga Pamfleti
Viti 2026 do të jetë viti i shpërthimit të krizës
Realiteti rus

Putini flet për fitore, por Rusia po shkërmoqet nga brenda

Nëse i dëgjon fjalët e Vladimir Putinit, të krijohet përshtypja se Rusia po ecën drejt fitores në Ukrainë dhe po kapërcen pa vështirësi sfidat ekonomike, falë “mbështetjes së popullit patriotik”. Më 30 nëntor, televizioni shtetëror rus e transmetoi Putinin të veshur me uniformë ushtarake, duke vizituar një qendër komande dhe duke marrë raportime nga fronti: “Trupat ruse po përparojnë thuajse kudo”, deklaroi ai para gjeneralëve. Vetëm dy ditë më pas, në një konferencë për investime, ai pohoi se “Rusia dhe ekonomia jonë po i përballojnë me sukses të gjitha sfidat”, madje u shpreh se vendi ishte gati për një luftë të re me Evropën.

Por realiteti në Rusi është shumë më i errët. Ushtria e saj po përparon me humbje të mëdha dhe me ritëm të ngadaltë. Problemet ekonomike po thellohen dhe po prekin shtresat e gjera të popullsisë. Madje, edhe mbështetja popullore për luftën është zbehur, një faktor kyç në një regjim si ai i Putinit, që e bazon fuqinë te iluzioni i përkrahjes masive. Propaganda ruse dhe sulmet e pandërprera me dronë dhe raketa synojnë më shumë të bindin Perëndimin se mbështetja për Ukrainën është e kotë dhe duket se kjo strategji po jep rezultate, sidomos përballë deklaratave të fundit të Donald Trump.

Megjithatë, realiteti i brendshëm është ndryshe: pas katër vitesh përpjekjesh, Rusia nuk ka arritur ende të marrë Donbasin. Për rusët, hendeku mes propagandës dhe së vërtetës po zgjerohet çdo ditë.

Avancimi në terren dhe ekonomia

Në vijën e frontit, Rusia dërgon njësi të vogla që infiltruan në pozicionet ukrainase dhe filmojnë video për qëllime propagandistike, përpara se të shkatërrohen. Sipas burimeve të inteligjencës së hapur dhe blogerëve ushtarakë rusë, përparimet reale janë të vogla dhe pa ndonjë domethënie strategjike. Ukraina, edhe pse me humbje dhe mungesë trupash, vazhdon të mbrojë qytetin e rëndësishëm të Pokrovsk, që Rusia pretendoi se e kishte marrë javë më parë.

Ekonomia ruse nuk është në kolaps, por po tregon shenja lodhjeje. Edhe optimistët e Kremlinit pranojnë se viti 2026 pritet të jetë më i vështiri që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. Të ardhurat nga nafta dhe gazi kanë rënë me 22% gjatë një viti. Rritja artificiale ekonomike falë shpenzimeve ushtarake po zbehet. Deficiti buxhetor po arrin 3% të PBB-së, një nivel i moderuar për Evropën, por i rrezikshëm për një vend që nuk ka më akses në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Për të financuar luftën, qeveria ruse po detyrohet të marrë borxhe brenda vendit dhe të rrisë taksat – çka rrezikon të ndezë inflacionin dhe të rëndojë më tej sektorin civil.

Gjysma e buxhetit të Kremlinit po shkon për ushtrinë, industrinë e mbrojtjes, shërbimet e sigurisë dhe shlyerjen e borxhit. Lufta gjeneron aktivitet ekonomik, por nuk prodhon asgjë të qëndrueshme: tanket shkatërrohen, ushtarët vriten. Industria ushtarake punon me turne shtesë, ndërsa prodhuesit e makinave shkurtuan punën. Një ekonomi që punon për luftën, nuk është ekonomi që ndërton të ardhme.

Putini po i merr para popullit të tij për të mbajtur në këmbë luftën

Qeveria ka nisur t’i marrë paratë vetë popullit për të mbajtur në këmbë makinerinë e luftës – duke shkelur paktin e heshtur që Putini kishte me shoqërinë ruse: qëndrueshmëri ekonomike në këmbim të heshtjes politike.

Në një konferencë në Vjenë, ekspertë brenda dhe jashtë Rusisë vlerësuan se më parë regjimi mund të financonte luftën pa prekur mirëqenien e qytetarëve. Sot, kjo nuk është më e mundur. Oleg Vjugjin, ish-zëvendësdrejtor i Bankës Qendrore të Rusisë, tha: “Nga viti 2026, pasojat e vërteta do të bëhen të dukshme.”

Sociologët rusë po vërejnë një rënie të ndjeshme të mbështetjes reale për luftën. Në sondazhet më të fundit, trefish më shumë qytetarë deklarojnë se gjendja e tyre ekonomike është përkeqësuar krahasuar me ata që thonë se është përmirësuar, niveli më i lartë që nga nisja e agresionit.

Kremlini është i vetëdijshëm për këto ndryshime në opinionin publik, por nuk ka zgjidhje të lehtë. Fundi i luftës nuk do ta shëronte ekonominë, përkundrazi: industria është bërë e varur nga prodhimi ushtarak, kthimi i ushtarëve të traumatizuar mund të krijojë probleme të reja.

Për këtë arsye, në vend që të tërhiqet, Putini po dyfishon përpjekjet: më shumë luftë, më shumë propagandë, më shumë shtypje. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Economist”

1 Komente

  1. B
    Bero

    Përseri shkrim nga anglezët? Ore sa humor të bukur kanë..

    Lini një Përgjigje