
Të shtëna me armë zjarri jashtë godinës së gjykatës në qytetin veriperëndimor të Gjermanisë, Bielefeld, atje ku po zhvillohej seanca gjyqësore ndaj Hüseyin Akkurt, 38 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes së ish-boksierit profesionist Besar Nimani.
Të shtënat ndodhën rreth orës 13:30, menjëherë pas përfundimit të seancës. BILD mësoi se mes të plagosurve janë të paktën dy familjarë të të pandehurit. Përveç vëllait, mësohet se është plagosur edhe babai – dyshohet se është qëlluar në mushkëri dhe është në gjendje kritike. Mësohet se ka edhe një të lënduar të tretë.
Sipas raportimeve të mediave lokale, objektivi i të shtënave kanë qenë të afërmit e Akkurt.

Agjencia gjermane e lajmeve dpa, duke cituar burime policore, gjithashtu raportoi se incidenti po trajtohej si një sulm i synuar ndaj njerëzve të afërt me Akkurt.
Dëshmitarët okularë tregojnë për BILD se oficerët e policisë jashtë derës së sallës së gjyqit papritmas bërtitën: "Dikush po qëllon jashtë!" Pastaj të gjithë dolën me vrap në rrugë.
Nga të shtënat e para mbeti i plagosur në këmbë vëllai i të pandehurit, Akkurt. Një video e tregon atë duke çaluar - por të shtënat me armë vijuan ta godasin, raportojnë dëshmitarët okularë.

Gjyqi për vrasjen e Nimanit po zhvillohej nën masa të rrepta sigurie, ku policia ruan godinën e gjykatës dhe vizitorët, dëshmitarët dhe reporterët i nënshtrohen kontrollit përpara se të hyjnë.
Sulmuesi qëlloi nga një trotuar, më pas u hipi në një makinë me ngjyrë të zezë dhe qëlloi sërisht. Në sulmin me armë dyshohet se u përfshinë dy persona, njëri prej të cilëve u kap nga policia.

Gjyqi për vrasjen e boksierit profesionist Besar Nimani filloi në orën 9 të mëngjesit.
Vrasësi i dyshuar Hüseyin Akkurt (38), i cili u arrestua në Bruksel në mes të korrikut, është në gjyq. Një i dyshuar i dytë është ende në arrati.


Lini një Përgjigje