
Një gjykatë franceze ka lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare për shtatë ish-zyrtarë të lartë të regjimit sirian, përfshirë edhe ish-presidentin Bashar al-Assad, lidhur me bombardimin e një qendre informale për gazetarët në qytetin Homs më 2012, ku u vranë dy gazetarë të njohur ndërkombëtarë.
Sipas një burimi gjyqësor dhe organizatës për të drejtat e njeriut Qendra Siriane për Median dhe Lirinë e Shprehjes, vendimi u mor në kuadër të hetimeve për krime kundër njerëzimit, të cilat lejohet të ndiqen penalisht nga gjykatat franceze, pavarësisht vendndodhjes së autorëve apo viktimave.
Sulmi ndodhi më 22 shkurt 2012, kur një raketë goditi një ndërtesë në lagjen Bab Amr të Homsit, e përdorur si qendër informale për gazetarë. Në këtë sulm humbën jetën gazetarja e mirënjohur amerikane Marie Colvin dhe fotografi francez Rémi Ochlik. Dy gazetarë të tjerë dhe një përkthyes mbetën të plagosur rëndë.
Përveç Bashar al-Assad, i cili sipas burimeve ndërkombëtare u arratis në Rusi në dhjetor të vitit 2024 pas rënies së Damaskut në duart e opozitës, urdhër-arresti përfshin edhe vëllain e tij Maher al-Assad, atëherë drejtues de facto i Divizionit të 4-t të blinduar të ushtrisë siriane, ish-shefin e shërbimit të inteligjencës Ali Mamlouk, si dhe ish-shefin e shtabit të ushtrisë Ali Ayoub, ndër të tjerë.
Sipas deklaratës së avokatit dhe aktivistit sirian Mazen Darwish, drejtori i Qendrës për Median dhe Lirinë e Shprehjes në Siri, hetimi francez ka konfirmuar se sulmi ndaj gazetarëve ishte i qëllimshëm.
“Hetimi gjyqësor ka përcaktuar qartë se bombardimi i qendrës së medias në Bab Amr ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme të regjimit sirian për të shënjestruar gazetarët e huaj, me synimin për të ndalur mbulimin mediatik të krimeve të regjimit dhe për t’i detyruar ata të largohen nga qyteti dhe nga vendi”, deklaroi Darwish.
Ky vendim historik rihap debatin mbi përgjegjësinë ndërkombëtare për krimet e kryera nga regjimi sirian gjatë luftës civile, dhe vë në pah rolin gjithnjë e më aktiv të gjyqësorit evropian në ndjekjen penale të krimeve kundër njerëzimit, në mungesë të një drejtësie funksionale brenda Sirisë.
Lini një Përgjigje