Bota24 Maj 2023, 13:03

Vuçiç sfidon BE-në për lidhjet me Moskën: Ne do vazhdojmë politikën tonë!

Shkruar nga Pamfleti
Vuçiç sfidon BE-në për lidhjet me Moskën: Ne do
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka komentuar deklaratën e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell se Serbia është vendi i vetëm në Europë që pretendon anëtarësimin në Bashkimin Europian, por refuzon ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të bllokut dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Kreu i shtetit serb tha se “kjo tregon se Serbia është e vetmja që bën “politikën e saj të pavarur”, tha Vuçiç.

“ Unë kurrë nuk jam betuar për diçka ndryshe, përderisa ne mund ta ndjekim një politikë të tillë, këtë do të vazhdojmë të bëjmë”, tha ai.

Gati dy javë më parë, gjatë takimit që pati në Beograd me të dërguarin e BE-së për implementimin e sanksioneve, David O’Sullivan, Vuçiç nënvizoi se “ndonëse Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, si partner i besueshëm, nuk do të lërë hapësirë që kjo të përdoret për veprime të paligjshme, të cilat do t’u mundësonin vendeve të treta të shmangin regjimin e masave kufizuese të BE-së”.

Ai gjithashtu tha se Serbia është “e përkushtuar ndaj bashkëpunimit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, me respektim të plotë të ligjit ndërkombëtar dhe detyrimeve që dalin nga MSA-ja dhe Korniza negociuese”.

Vizita e O’Sullivan erdhi pasi Komisioni Europian u kishte dërguar ndërkohë vendeve anëtare të bllokut propozimin e tij të fundit për sanksione kundër Rusisë, ku propozoheshin masa ndëshkuese edhe ndaj vendeve të treta që anashkalojnë qëllimisht sanksionet e BE-së.

aleksandër vuçiç be rusia