Bota13 Maj 2023, 08:50

Zelensky viziton sot Italinë, takim me presidentin, Melonin dhe Papa Françeskun

Shkruar nga Pamfleti
Zelensky viziton sot Italinë, takim me presidentin, Melonin dhe Papa
Volodymyr Zelensky dhe Papa Françesku

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do të vizitojë Italinë ditën e sotme ku do të takohet me homologun italian Sergio Mattarella, Giorgia Melonin dhe Papën. 

Kjo është hera e parë që presidenti ukrainas viziton Romën qëkur Rusia pushtoi vendin e tij. Ndërkohë, që në vjeshtën e 2022 kur erdhi në pushtet, kryeministrja Meloni ka treguar në mënyrë të vazhdueshme mbështetjen për Ukrainën. Në shkurt ajo vizitoi Kievin për të treguar mbështetjen që vendi i saj ka për Ukrainën.

Ndërsa, me Papën, Zelensky është takuar në Vatikan në 2020 dhe që nga nisja e luftës ata kanë folur vazhdimisht në telefon. Ati i Shenjtë thuajse në të gjitha lutjet e tij bën thirrje që Moska dhe Kievi të bien dakord për një armëpushim.

Megjithatë, Papa ende nuk e ka pranuar ftesën e Kievit për të vizituar kryeqytetin ukrainas, duke thënë se do të shkojë vetëm nëse ftohet në Rusi.

Takimi i mundshëm i presidentit ukrainas me Papatin nuk është i lidhur me “misionin e paqes” për të cilin Papa ka folur ditët e fundit. Sipas burimeve, Zelensky kërkoi vetëm disa ditë më parë që të pritej nga Papa si pjesë e vizitës së tij në Romë.

Si pjesë e një turneu evropian që do ta çojë atë në Berlin gjatë fundjavës, presidenti ukrainas po ndalon në kryeqytet për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus, pasi kishte vizituar tashmë Uashingtonin, Londrën, Parisin dhe Brukselin dhe ditët e fundit Helsinkin dhe Hagën. Vatikani vazhdon të punojë në atë “mision paqeje” midis Kievit dhe Moskës të shpallur nga vetë Françesku, por ende “konfidencial”.

Burime të Vatikanit bëjnë të ditur se “është e mundur që Papa të takohet me presidentin ukrainas”, pa specifikuar vendin apo kohën. Papa është ftuar vazhdimisht të shkojë në Kiev, por ai vetë ka vendosur gjithmonë kushtin që të mund të shkojë edhe në Moskë, pa marrë megjithatë përgjigje nga Kremlini.

Megjithatë, puna diplomatike “po vazhdon”, njoftoi dje Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, duke folur për “kontakte” dhe lajme “në nivel konfidencial”.

As Gjermania nuk e ka konfirmuar zyrtarisht vizitën në Berlin, ku, sipas thashethemeve të zbuluara nga një tabloid javën e kaluar, Zelensky do të takohet me kancelarin Olaf Scholz dhe presidentin Frank-Walter Steinmeier të shtunën.

itali zelensky papa francesku