Gazetari Artan Hoxha ka hedhur akuza të forta mbi ekonominë informale dhe qarkullimin e parave në Shqipëri, duke deklaruar se vetëm gjatë vitit 2023 në pikat e këmbimit valutor janë këmbyer rreth 12 miliardë euro jashtë sistemit bankar.
I ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, Hoxha tha se zhvillimet e viteve të fundit kanë vërtetuar shumë nga pretendimet e bëra më herët nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, të cilat sipas tij në atë kohë u pritën me skepticizëm.
“Ato që thoshte Arben Ahmetaj, madje më cilësonin të çmendur, dhe u deshën vite që të provohen që ato ishin të vërteta. Unë i merrja të besueshme, pse? Sepse e dija që Ahmetaj ka qenë atje në tavolinë. Dhe e dimë, edhe kur thoshte për shishen e verës. Po, se pi një verë atë. Po të ishte një njeri tjetër që pi raki, s’do e besoja. Po Arben Ahmetaj i njeh verat, cilësinë e tyre dhe çmimin e tyre”, deklaroi Hoxha.
Gazetari u ndal edhe te debati i dikurshëm mbi shishen e verës “Rothschild”, duke pretenduar se reagimet pas publikimit të këtij episodi treguan se çështja kishte ndikim më të madh sesa u paraqit publikisht.
“Ju e patë çfarë ndodhi këtu. Më shumë u shqetësuan për të hequr etiketat e verave atje, se do provonte ajo që thoshte Ahmetaj, që është pirë shishe vere ‘Rothschild’ me 33 mijë euro shishja. Pra gjithë natën ata hoqën etiketat atje, morën verat e shtrenjta, i lanë ato të tjerat pastaj që pi gjithë dynjaja. Por kur një zyrtar i shtetit pi një verë 33 mijë euro, a e kupton çfarë impakti ka në mediat ndërkombëtare dhe tek politikanët evropianë? Këto janë detaje që ngjisin dhe mbeten”, u shpreh ai.
Duke folur për investimet në bregdet dhe projektet e mëdha turistike, Hoxha tha se shumë nga përgjigjet gjenden te ndërtimet që janë realizuar gjatë viteve të fundit.
“Pastaj kur vinte pjesa çfarë është në Aruba në 2019-ën, pastaj në Monako në 2021-shin, pastaj në Majorka dhe me radhë. Dhe ti i gjen sot në resorte të ngritura në bregdetin shqiptar, atëherë s’ke nevojë më për provë. Prova është ai resort që duket nga hëna. Kaq e thjeshtë është. Çfarë prove kërkon më? A është ngritur ky resorti mbrapa? A është ndërtuar? Po, ka mbaruar filmi. Pra kjo është zbatuar. Si është ndërtuar resorti? Mbi leje që i ka miratuar qeveria shqiptare”, deklaroi gazetari.
Një nga deklaratat më të forta të Hoxhës lidhej me kursin e këmbimit dhe qarkullimin e parasë informale në Shqipëri. Sipas tij, shifrat e vitit 2023 shpjegojnë më së miri rënien drastike të euros në tregun vendas.
“Dhe fakti që ata arritën në Shqipëri të ishin kaq determinues, kaq të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, saqë ne nuk shpjegojmë dot. Kur është bërë takimi në Aruba, sa ka qenë euro në Shqipëri? Pra 1 euro shkëmbehej me 132 lekë. Sa është euro sot? Është 94. Pra edhe ne nuk shpjegonim dot si shkoi euro në gropë. Që nga aty ka filluar një dishezë e madhe. Dhe unë po them vetëm në vitin 2023, vetëm në vitin e zgjedhjeve për bashkitë në Shqipëri, jashtë sistemit bankar, në pikat e këmbimit valutor në Shqipëri, janë këmbyer 12 miliardë euro. E kupton? Sado që mundohet Banka Qendrore të blejë në treg e të ndërhyjë në treg, pse euro është atje ku është. Dymbëdhjetë miliardë euro në të gjithë pikat e këmbimit valutor që ka Shqipëria”, deklaroi Artan Hoxha.
Lini një Përgjigje