TAGS-AT E JAVËS

Sport19 Korrik 2026, 22:17

Rolando Maran optimist për të ardhmen: Synimi ynë është ta çojmë Shqipërinë në Kupën e Botës

Shkruar nga Pamfleti
Rolando Maran optimist për të ardhmen: Synimi ynë është
Trajneri i kombëtares, Rolando Maran

Rolando Maran e ka nisur aventurën e tij si trajner i Kombëtares shqiptare, duke u mposhtur në 2 miqësoret që kuqezinjtë zhvilluan në muajin qershor. Tekniku nga Trentino, i cili ka drejtuar skuadra të njohura të Serisë A si Katania, Kievo dhe Kaljari, pritet të vendoset së shpejti në Tiranë për të nisur punën me kohë të plotë në prag të ndeshjeve të Ligës së Kombeve.

Maran bëhet trajneri i parë nga rajoni i Trentino-s që merr drejtimin e një kombëtareje. Në këtë sfidë të re ai do të ketë pranë ndihmësin e tij të besuar, Kristian Maraner, me të cilin ka bashkëpunuar prej vitesh.

Në një intervistë për mediat italiane, trajneri i Shqipërisë vlerësoi progresin e bërë nga kuqezinjtë në vitet e fundit, duke theksuar se ekipi ka krijuar baza të forta për të synuar objektiva edhe më të mëdha.

Është një kombëtare që ka bërë mirë, sepse është kualifikuar dy herë në Kampionatin Evropian. Tani nuk arriti të kualifikohet për Kupën e Botës, por ky do të jetë objektivi ynë në të ardhmen. Tani duhet të përqendrohem te Liga e Kombeve dhe te Kampionati Evropian”, deklaroi Maran.

Me këto fjalë, italiani la të kuptohet se synon të vazhdojë punën e ndërtuar deri tani, por edhe ta shndërrojë Shqipërinë në një skuadër që lufton rregullisht për pjesëmarrje në turnetë madhorë ndërkombëtarë.

Gjatë intervistës, Maran komentoi edhe situatën e Italisë, e cila vazhdon të vuajë mungesën në Kupën e Botës. Ai e përshkroi këtë si një zhgënjim të madh, sidomos për brezin e ri të tifozëve.

E vendos veten në vendin e një 18-vjeçari të sotëm që nuk e ka parë kurrë Italinë në një Kampionat Botëror. Vetëm kur mendoj se si i përjetoja unë ato Botërorë kur isha fëmijë, ishte një ëndërr që çdo djalë donte ta arrinte”, u shpreh ai.

Trajneri 63-vjeçar foli edhe për futbollin në vendlindjen e tij, duke vlerësuar projektin e klubit Trento dhe ambicien për t'u ngjitur në Serinë B.

Këtë vit kam shkuar disi më pak për ta parë Trenton, por disa herë kam qenë në stadium. Entuziazmi i presidentit Mauro Giaça është shumë i çmuar për një qytet që nuk është emocionuar kurrë shumë nga futbolli. Mendoj se ngjitja në Serinë B është një objektiv i arritshëm”, përfundoi Maran.

Emërimi i Rolando Maran në krye të Kombëtares erdhi pas largimit të Silvinjos. Tashmë italiani ka për detyrë të ndërtojë një Shqipëri konkurruese dhe të rikthejë kuqezinjtë në skenën më të madhe të futbollit ndërkombëtar, me ëndrrën për një kualifikim historik në Kupën e Botës.

rolando maran trajneri i kombëtares

Lini një Përgjigje