TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Korrik 2026, 15:14

Bilanci i Policisë Rrugore/ 8 të arrestuar dhe mbi 4 mijë gjoba në 24 orë, shkeljet kryesore alkooli dhe parkimi i gabuar 

Shkruar nga Pamfleti
Bilanci i Policisë Rrugore/ 8 të arrestuar dhe mbi 4 mijë gjoba
8 të arretsuar dhe mbi 4 mijë gjoba në 24 orë

Tetë shoferë janë vënë në pranga dhe mijëra të tjerë janë ndëshkuar me gjoba gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të intensifikuara të Policisë Rrugore në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave zyrtare, në total janë vendosur 4 255 gjoba, ndërsa gjashtë nga drejtuesit e arrestuar u konstatuan duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Dy persona të tjerë u arrestuan pasi qarkullonin pa leje drejtimi.

Gjatë kontrolleve në zonat urbane, efektivët vendosën 1 530 gjoba për parkim të gabuar, ndërsa automjetet e bllokuara në korsitë e dedikuara dhe mbi trotuare u larguan me karrotrec.

Në akset kombëtare, 1 331 drejtues mjetesh u ndëshkuan për tejkalim të shpejtësisë së lejuar.

Po ashtu, Policia Rrugore vendosi 332 gjoba për drejtuesit e motoçikletave që nuk mbanin kaskë mbrojtëse, 126 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 66 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit dhe 166 për parakalime të gabuara.

Kontrollet evidentuan edhe 27 raste të drejtimit të automjetit nën efektin e alkoolit, 11 raste të zhurmave dhe manovrave të rrezikshme në qendrat urbane, si dhe 494 shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore njofton se, për shkak të rritjes së lëvizjes drejt zonave bregdetare dhe destinacioneve turistike, kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë të jenë të përforcuara edhe gjatë fundjavës. 

bilanci i policisë rrugore

Lini një Përgjigje