Prokurorët shqiptarë pretendojnë se Artur Shehu ka falsifikuar aktet e pronësisë për tokën e shitur në një vendpushim të mbështetur nga Kushner.Prokurorët kanë ngrirë fondet e shitjes në një llogari noteriale, duke e bllokuar Shehun nga marrja e tyre dhe e akuzojnë Shehun për pastrim parash dhe kontrabandë droge.
Biznesmeni shqiptar me bazë në Miami, i kërkuar nga SPAK, dyshohet se falsifikoi dokumentet e pronës ku Jared Kushner planifikon të ndërtojë resortin miliardësh
Një biznesmen shqiptar me bazë në Miami, i kërkuar nga autoritetet shqiptare për dyshime se ka pastruar para të trafikut të drogës, dyshohet gjithashtu se ka falsifikuar dokumentet e pronësisë së tokës ku dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, planifikon të ndërtojë një resort me vlerë disa miliardë dollarë. Kjo bëhet e ditur në dosjet hetimore të SPAK, të shqyrtuara nga agjencia Reuters.
Biznesmeni Artur Shehu mohon të gjitha akuzat. Avokati i tij, Kujtim Cakrani, konfirmoi se Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër-arrest ndaj Shehut për dyshime mbi pastrimin e parave të grupeve të trafikut të drogës.
Sipas dosjeve hetimore, Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen se kanë trafikuar kokainë nga Amerika e Jugut drejt porteve evropiane dhe më pas kanë pastruar fitimet përmes krijimit të një perandorie në sektorin e pasurive të paluajtshme, duke përdorur edhe dokumente të falsifikuara pronësie.
"Asgjë nga sa është pretenduar për karakterin e zotit Artur Shehu nuk është e vërtetë. Ai nuk është as trafikant droge dhe as falsifikues dokumentesh pronësie," deklaroi avokati Cakrani.
Ai shtoi se klienti i tij është në dijeni të akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme, por këmbëngul se realiteti është krejtësisht ndryshe nga ai që paraqitet nga organi i akuzës.
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Drejtësisë refuzoi të komentojë nëse autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmë për lokalizimin ose arrestimin e Shehut në Miami.
Shitja e tokës për resortin e Kushner
Në prill, Artur Shehu i shiti një pjesë të vijës bregdetare shqiptare kompanisë Albania Land Development, e cila zotërohet nga zhvilluesit e projektit të mbështetur nga Jared Kushner, Sazan Real Estate Development, së bashku me investitorë të tjerë.
Në dosjet e SPAK thuhet se "ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të mbështetura në prova, se pasuritë në fjalë janë përfituar përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara."
Dosjet nuk përmbajnë asnjë pretendim për shkelje ligjore nga Jared Kushner, Sazan Real Estate Development, Albania Land Development apo investitorë të tjerë të projektit. Reuters nuk gjeti asnjë provë që investitorët të kenë qenë në dijeni të dyshimeve ndaj Shehut në momentin kur blenë tokën.
Një zëdhënës i Sazan Real Estate Development nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve mbi akuzat ndaj Shehut, por deklaroi se kompania beson se blerjet e tokës janë kryer në mënyrë të ligjshme.
Albania Land Development nuk iu përgjigj kërkesave për koment, ndërsa një zëdhënës i Jared Kushner refuzoi të komentojë.
Edhe pse Sazan ka konfirmuar se Kushner është investitor në projekt, roli i tij i saktë dhe vlera e investimit nuk janë bërë publike.
Projekti përballet me kundërshtime
Dyshimet mbi falsifikimin e dokumenteve përbëjnë një tjetër pengesë për projektin luksoz, i cili prej kohësh është përballur me protesta për shkak të ndikimit të mundshëm mbi mjedisin.
Banorët e fshatit Zvërnec kanë kundërshtuar prej më shumë se një dekade pretendimet e Artur Shehut për pronësinë e tokës në procese gjyqësore që vazhdojnë ende.
Muajin e kaluar, një grup banorësh i paraqiti Reuters dokumente pronësie dhe regjistra tatimorë, për të cilët pretendojnë se provojnë se ata janë pronarët e ligjshëm të tokës.
Avokati i tyre, Kostandin Beko, tha se procesi gjyqësor është ende i hapur dhe se ata synojnë të kërkojnë pezullimin e projektit përmes një vendimi gjykate.
Një zonë e mbrojtur dhe "Revolucioni i Flamingove"
Shqipëria, dikur një nga vendet më të izoluara dhe më të varfra të Evropës, sot është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe po përjeton një bum ndërtimesh përgjatë vijës së saj bregdetare në Adriatik.
Resorti i planifikuar nga Kushner do të ndërtohej në një zonë me plazhe të virgjëra, pyje dhe ligatina ku jetojnë breshka deti dhe flamingo. Flamingot janë kthyer në simbol të protestuesve që kundërshtojnë projektin, duke e quajtur lëvizjen e tyre "Revolucioni i Flamingove".
Ivanka Trump ka deklaruar më herët se ideja për resortin lindi pasi ajo dhe Jared Kushner panë këtë pjesë të bregdetit nga një jaht disa vite më parë.
Në vitin 2024, Kushner publikoi planet e projektit në rrjetet sociale, duke shfaqur ilustrime me hotel, vila luksoze, pishina dhe mole për jahte. Ai nuk ka bërë publike shumën që ka investuar.
Mbështetja e qeverisë shqiptare
Qeveria shqiptare e ka mbështetur vazhdimisht projektin dhe ka deklaruar se protestat organizohen nga kundërshtarët politikë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi muajin e kaluar për Reuters se projekti është "i bukur" dhe do të realizohet pavarësisht kundërshtimeve.
I pyetur mbi akuzat ndaj Artur Shehut, një zëdhënës i qeverisë tha se ekzekutivi nuk ndërhyn në transaksionet private, por se projekti po ecën në përputhje me ligjet shqiptare dhe ato të Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian kishte kërkuar më parë që Shqipëria, si vend kandidat për në BE, të respektojë standardet evropiane për mbrojtjen e mjedisit lidhur me këtë projekt.
Hetimi i SPAK
Dosjet janë përgatitur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), institucioni i krijuar në vitin 2019 për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Dokumentet përbëhen nga rreth 200 faqe dhe nuk janë bërë publike.
Një zëdhënës i SPAK konfirmoi për Reuters se institucioni po heton çështjen, por nuk dha komente të tjera.
Dosjet mbajnë datën 12 qershor 2026. Po atë ditë, SPAK njoftoi publikisht lëshimin e urdhër-arresteve për 20 persona të dyshuar për trafik narkotikësh dhe pastrim parash.
Në njoftimin publik, siç është praktikë në Shqipëri, të dyshuarit identifikohen vetëm me iniciale. Njëri prej tyre figuron si "A.Sh.", iniciale që përputhen me emrin e Artur Shehut në dosjet hetimore.
Avokati Kujtim Cakrani konfirmoi se klienti i tij është objekt i urdhër-arrestit, por deklaroi se Shehu nuk është i shqetësuar, pasi sipas tij ekziston bindja se prokurorët shqiptarë ndikohen nga politika dhe interesa biznesi.
SPAK nuk ka bërë të ditur nëse ndonjë prej 20 të dyshuarve është arrestuar ose është marrë zyrtarisht i pandehur.
110 milionë euro të bllokuara
Sipas dosjeve të SPAK, Artur Shehu e shiti tokën ku planifikohet resorti për rreth 110 milionë euro.
Prokuroria thotë se këto para janë bllokuar në llogarinë e një noteri, duke penguar që fondet t'i kalojnë Shehut.
Sipas SPAK, Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij "kanë blerë prona me para të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë duke krijuar tituj të rremë ose duke rritur artificialisht sipërfaqen e pronave."
Më tej, sipas hetuesve, pronat janë transferuar ose shkëmbyer në mënyrë që të vështirësohej gjurmimi i tyre nga autoritetet.
Nga ana tjetër, Sazan Real Estate Development deklaroi se vazhdon të besojë se të gjitha blerjet e tokës janë kryer në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me procedurat përkatëse, duke shtuar se kompania do të bashkëpunojë me çdo proces ligjor kur të jetë e nevojshme.
Kur Reuters kërkoi sqarime shtesë se përse kompania vazhdon ta konsiderojë të ligjshme blerjen e tokës, pavarësisht pretendimeve të SPAK, nuk mori përgjigje të mëtejshme.
Ndërkohë, avokati Kujtim Cakrani deklaroi se familja Shehu e zotëron atë tokë që prej kohës së Perandorisë Osmane, më shumë se një shekull më parë, dhe se shitja është kryer në mënyrë plotësisht të ligjshme.
Ai e përshkroi Artur Shehun si një qytetar të ndershëm, i cili kërkoi azil politik në Shtetet e Bashkuara në vitin 1998 pasi, sipas tij, pa me sytë e tij vrasjen e vëllait dhe xhaxhait nga grupe kriminale. Reuters thekson se nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim./ Reutres
Lini një Përgjigje