Politologu Ermal Hasimja është shprehur kritik ndaj organizimit të koncertit të Kanye West në Shqipëri, duke argumentuar se një aktivitet i tillë nuk përputhet me imazhin që vendi ka ndërtuar ndër vite në arenën ndërkombëtare.
Hasimja tha se artisti amerikan ka qenë subjekt polemikash për deklaratat e tij të mëparshme dhe se kjo është arsyeja pse shumë vende europiane nuk e kanë pranuar për të zhvilluar koncerte.
“Ky është një këngëtar i cili në shumicën dërrmuese të vendeve të Europës nuk është lejuar që të japë koncerte për arsye të preferencave të tij të shpallura antisemite, naziste etj. Dhe kjo nuk i bën nder Shqipërisë.”, tha ai i ftuar në emisionin “ÇdoKënd”.
Sipas tij, ndonëse organizimi i koncertit mund të tërheqë vëmendje ndërkombëtare, kjo nuk është domosdoshmërisht një formë pozitive promovimi për vendin.
“Është e vërtetë që kjo tërheq vëmendje... Por, a na duhet kjo lloj vëmendje? A duhet Shqipëria që të portretizohet si një vend ku dikush i cili ka qëndrime të tilla naziste, antisemite të japë koncert?”, shtoi politologu.
Hasimja theksoi se një zhvillim i tillë, sipas tij, bie në kundërshtim me imazhin që Shqipëria ka kultivuar si një vend tolerant dhe mikpritës.
“Dhe kjo bie ndesh komplet me atë çfarë jemi përpjekur neve të ndërtojmë si imazh, si një vend i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore i ka ndihmuar hebrenjtë, që është një vend mikpritës, që është një vend joracist, që është një vend me tolerancë fetare, etnike etj.”, tha ai.
Në vijim, politologu vuri në diskutim edhe përdorimin e fondeve për organizimin e koncertit, duke argumentuar se ato mund të ishin investuar në sektorë më të nevojshëm.
“Ky është problemi i madh. Është si puna e atleteve të bardha: zgjedh në një moment që të tërheqësh vëmendje, por zgjedh mënyrën e keqe për ta tërhequr vëmendjen. Ai 4 milionëshi do na bënte shumë më tepër punë neve nëpër spitale supozojmë apo me një koncert në të cilin me thënë të vërtetën nuk i shoh ndonjë lloj vlere.”, tha Hasimja.
Lini një Përgjigje