TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Korrik 2026, 11:52

E dënuar për dhunë, Gjykata e Tiranës liron 34-vjeçarjen që u burgos bashkë me foshnjën 1-vjeçe

Shkruar nga Pamfleti
E dënuar për dhunë, Gjykata e Tiranës liron
Ambienti ku qëndroi 34-vjeçarja me foshnjën

Gjykata e Tiranës ka vendosur të shtyjë ekzekutimin e dënimit me burg për 34-vjeçaren Dorina Sejdini, duke urdhëruar lirimin e saj nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale për gratë në Pojskë, ku ndodhej së bashku me foshnjën e saj njëvjeçare.

Vendimi u mor pas kërkesës së paraqitur nga avokati mbrojtës, Bari Shyti, i cili kërkoi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë.

Dorina Sejdini u arrestua disa ditë më parë në pikën kufitare të Muriqanit, teksa po kthehej nga Gjermania së bashku me familjen. Autoritetet bënë me dije se ndaj saj ishte në fuqi një vendim i formës së prerë, që e dënonte me dy muaj burg për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit.

Pasi u njoftua për ekzistencën e vendimit, 34-vjeçarja u paraqit vullnetarisht në Komisariatin nr. 6 dhe më pas u transferua në burgun e grave në Pojskë.

Fillimisht, foshnja e saj qëndroi jashtë institucionit, por një ditë më vonë iu bashkua nënës, pasi kjo e fundit ushtroi të drejtën ligjore për ta mbajtur pranë fëmijën nën moshën tre vjeç. Ndërkohë, dy fëmijët e tjerë të mitur, 7 dhe 2 vjeç, mbetën në kujdesin e familjarëve.

Rasti shkaktoi reagime të shumta publike dhe institucionale. Avokati i Popullit vizitoi 34-vjeçaren në burg dhe kërkoi verifikimin e plotë të procedurave të ndjekura, ndërsa Presidenca bëri të ditur se po e ndiqte nga afër çështjen dhe se ishte e gatshme të shqyrtonte edhe mundësinë e dhënies së faljes presidenciale.

Në seancën e zhvilluar këtë të enjte, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, duke mundësuar lirimin e menjëhershëm të Dorina Sejdinit nga burgu. Ndërkohë, çështja do të vijojë të ndiqet në rrugë ligjore sa i takon vendimit penal të dhënë ndaj saj.

Lini një Përgjigje