
Nis marshimi i protestës së 46-të të revoltës qytetare në rrugët kryesore të Tiranës. Pas fjalimeve para godinës së Kryeministrisë, protestuesit iu drejtuan Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", duke vijuar marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Me flamuj kombëtarë në duar, pankarta ironizuese dhe thirrje të vazhdueshme kundër kryeministrit Edi Rama, kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, si edhe gjithë klasës politike, qindra qytetarë të moshave të ndryshme, të rinj, të moshuar dhe fëmijë, u bënë pjesë e marshimit.
Protestuesit përsëritën thirrjet që kanë shoqëruar lëvizjen qytetare prej 46 ditësh, mes tyre "Rama ik!", "Berisha ik!", "Ikni të gjithë!", "Poshtë kasta politike!", "Duam Shqipërinë si gjithë Europa!" dhe "Qeveria dhe politika janë kthyer në harem!".
Marshimi u shoqërua edhe me pankarta me mesazhe kundër qeverisë dhe kastës politike, ndërsa protestuesit ritheksuan kërkesat e tyre për dorëheqjen e qeverisë, ndryshimin e sistemit politik dhe rikthimin e demokracisë përfaqësuese.
Pas përshkimit të itinerarit në rrugët kryesore të kryeqytetit, protestuesit do të rikthyen sërish para godinës së Kryeministrisë, ku do të mbyllin protestën e ditës së 46-të, duke paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Lini një Përgjigje