Mijëra qytetarë marshuan edhe këtë të shtunë në rrugët e Tiranës, në ditën e 56-të të protestës popullore, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe ndryshimin e sistemit politik.
Një nga momentet më domethënëse të mbrëmjes ishte mesazhi i shkruar me germa të mëdha në asfaltin e bulevardit: "I PABESË", një mesazh që protestuesit ia drejtuan kryeministrit Edi Rama, në një kohë kur në qendër të debatit publik vijon të jetë platforma "Besa" e prezantuar prej tij.
Gjatë marshimit, protestuesit lëshuan edhe një sërë thirrjesh kundër qeverisë dhe mazhorancës, mes tyre "Poshtë diktatura", "Marshoni", "Bashkohuni me ne", "Parlamenti i krimit", "Shqipëria e shqiptarëve", "Revolucion", "Poshtë patronazhistët" dhe "Rama, jep dorëheqjen".
Protesta u zhvillua në një atmosferë të vendosur, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se tubimet do të vijojnë çdo ditë deri në realizimin e kërkesave të tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik në vend.
Lini një Përgjigje