TAGS-AT E JAVËS

Kosova25 Korrik 2026, 22:01

Mbrojtja e Hashim Thaçit kundërshton Prokurorinë: Nuk ka rrezik arratisjeje, të lirohet me kusht

Shkruar nga Pamfleti
Mbrojtja e Hashim Thaçit kundërshton Prokurorinë: Nuk ka rrezik
Hashim Thaçi

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është përgjigjur Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke kundërshtuar vlerësimin se paraburgimi mbetet një masë e domosdoshme dhe proporcionale në rastin e tij.

Në parashtresën drejtuar Dhomave të Specializuara të Kosovës, avokatët argumentojnë se pretendimet e Prokurorisë, sipas të cilave Thaçi mund të ketë qasje në fonde të konsiderueshme dhe mbështetje për t'u arratisur, janë të pabazuara.

"Mbështetja e ZPS-së në pretendimin se z. Thaçi mund të ketë qasje në fonde të konsiderueshme dhe të sigurojë lehtësisht mbështetje është spekulative. Z. Thaçi ndodhet në paraburgim, është i papunë dhe është tërhequr nga jeta politike që nga fundi i vitit 2020; rrjedhimisht, çdo mbështetje që ai mund të ketë pasur është zvogëluar domosdoshmërisht me kalimin e kohës dhe për shkak të shpenzimeve të konsiderueshme të shkaktuara nga dy çështjet gjyqësore që ai po përballon aktualisht", thuhet në përgjigjen e mbrojtjes.

Sa i përket pretendimit se Thaçi mund të largohet drejt vendeve që nuk janë nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara, mbrojtja vlerëson se masat e propozuara prej saj janë të mjaftueshme për të eliminuar çdo rrezik arratisjeje.

"Dorëzimi i propozuar nga z. Thaçi i pasaportave të tij – një masë që është vendosur edhe ndaj bashkë të akuzuarve të tij – është i mjaftueshëm për të zbutur çdo rrezik të tillë", argumentojnë avokatët.

Në përgjigje përmendet gjithashtu edhe garancia financiare prej 50 mijë eurosh, e propozuar nga Hashim Thaçi, si një tjetër element që, sipas mbrojtjes, garanton respektimin e çdo mase që mund të vendosë gjykata.

"Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, garancia e konsiderueshme financiare e propozuar nga z. Thaçi e kufizon edhe më tej çdo rrezik të arratisjes, duke theksuar se garantuesit e tij janë vëllai i tij dhe miq të ngushtë", thuhet në shkresë.

Mbi bazën e këtyre argumenteve, mbrojtja kërkon që Dhomat e Specializuara të rishqyrtojnë masën e sigurisë dhe të pranojnë lirimin e Hashim Thaçit në kushtet që gjykata do t'i konsiderojë të përshtatshme.

thaci

Lini një Përgjigje