TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Qershor 2026, 22:27

Jehojnë rrugët e Tiranës, nesër protesta kombëtare shkund Edi Ramën

Shkruar nga Pamfleti
Jehojnë rrugët e Tiranës, nesër protesta kombëtare
Vijon marshimi

Revolta që nisi për mbrojtjen e Zvernecit është shndërruar në një lëvizje mbarëqytetare kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike. Protestuesit marshojnë në rrugët e Tiranës, ndërsa nesër pritet një protestë kombëtare me pjesëmarrje masive.

Revolucioni Flamingo ka hyrë sot në ditën e 27-të, duke konfirmuar se protesta ka kaluar prej kohësh kufijtë e kundërshtimit të projektit në Zvernec. Ajo që nisi si një revoltë për mbrojtjen e një pasurie natyrore është shndërruar tashmë në një lëvizje të gjerë qytetare kundër qeverisë dhe gjithë kastës politike.

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit. Kolona kaloi deri te zona e Brrylit dhe në këto momente po zbret sërish drejt Bulevardit, duke vijuar itinerarin e protestës.

Gjatë gjithë marshimit nuk kanë munguar thirrjet që tashmë janë bërë simbol i revoltës qytetare: "Rama ik", "Rama jep dorëheqjen", "Shqipëri e re", "Rama në burg" dhe "Berisha në burg". Me këto brohoritje, qytetarët vijojnë të shprehin pakënaqësinë jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj gjithë klasës politike, të cilën e akuzojnë se ka prodhuar krizën që po përjeton vendi.

Marshimi po zhvillohet pa incidente, ndërsa pjesëmarrësit theksojnë se protesta nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave të tyre. Çdo mbrëmje, qindra qytetarë po i bashkohen revoltës, duke e kthyer atë në një nga mobilizimet më të gjata qytetare të viteve të fundit.

Ndërkohë, organizatorët kanë paralajmëruar se nesër do të zhvillohet një protestë kombëtare, për të cilën pritet pjesëmarrje masive nga qytetarë të ardhur nga të gjitha qarqet e vendit. Sipas tyre, protesta synon të japë një tjetër mesazh se revolta nuk është më vetëm e Tiranës, por e qytetarëve në mbarë Shqipërinë.

Teksa dita e 27-të po shkon drejt fundit, protestuesit vijojnë të marshojnë me bindjen se presioni qytetar duhet të vazhdojë deri në largimin e qeverisë dhe ndryshimin e sistemit politik, duke deklaruar se është koha për të "shkundur" kastën politike që ka dominuar vendin prej dekadash. /Pamfleti

protesta rama

Lini një Përgjigje