Protesta e 27-të përpara Kryeministrisë vijoi edhe me fjalën e një arsimtari, i cili tha se pjesëmarrja e tij në tubim është një detyrim moral dhe u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë protestën deri në largimin e qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si është zhvilluar Tirana dhe kritikoi politikat urbanistike të qeverisë.
"Jam mësimdhënës dhe vij këtu herë pas here, sepse e shoh si detyrë morale. Rama do ta japë dorëheqjen dhe nuk ka ku të shkojë. Lumi popullor është fryrë dhe i pastron pisllëqet. Bota duhet ta kuptojë çfarë ka bërë ky njeri", u shpreh ai.
Më tej, mësimdhënësi e cilësoi kryeministrin si përgjegjës për betonizimin e kryeqytetit.
"Ky njeri e ka bërë Tiranën të tmerrshme. Asnjë krizë e një populli nuk mund të krahasohet me krizën e urbanistikës. Ky është krimineli i betonizimit të Tiranës. Na mori qetësinë dhe u mori fëmijërinë fëmijëve", deklaroi ai.
Fjalimi i tij u shoqërua me duartrokitje nga protestuesit, të cilët vijuan të brohorisnin thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Lini një Përgjigje