TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Qershor 2026, 13:29

Kriza në Shqipëri s’mund të zgjidhet nga ai që i përçmon protestuesit

Shkruar nga Pierre Haski
Kriza në Shqipëri s’mund të zgjidhet nga ai që i
Foto nga protesta

Protestat kundër projektit turistik në Sazan janë shndërruar në një debat më të gjerë mbi korrupsionin, mbrojtjen e pasurive natyrore dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Lëvizja qytetare po sfidon qeverinë me mesazhin se vendi nuk është në shitje dhe se zhvillimi nuk mund të vijë në kurriz të interesit publik.

Në “revolucionin e flamingove rozë” gjenden të gjithë përbërësit e kohës sonë: një zonë e mbrojtur e kërcënuar nga një projekt turistik, dyshime për korrupsion që ndezin zemërimin publik, një kryeministër që duket i palëvizshëm pas mandatit të katërt dhe për ta plotësuar panoramën, paratë e familjes Trump.

Mirë se vini në Shqipëri, një vend që prej javësh po jeton nën ritmin e protestave për të shpëtuar ishullin e Sazanit dhe oazin e tij natyror, ku jetojnë edhe flamingot rozë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, një figurë imponuese dhe që sheh gjithnjë e më pranë realizimin e ëndrrës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, i kundërshton me forcë akuzat e protestuesve, të cilat e vënë atë në shënjestër personale.

Megjithatë, Rama nuk la përshtypjen më të mirë në intervistën e dhënë për Financial Times më 23 qershor, kur deklaroi se protestuesit mund të “shkojnë në djall” (në origjinal përdori një shprehje shumë më të ashpër).

“Nuk më takon mua të provoj se nuk jam mafioz. Janë ata që duhet të provojnë se jam!”, u shpreh ai i zemëruar, duke iu referuar akuzave dhe zërave për korrupsion.

Javën e kaluar, kryeministri akuzoi edhe Iranin se po ushqente zemërimin e protestuesve në rrjetet sociale. Sipas tij, kjo lidhej me praninë në Shqipëri të anëtarëve të organizatës së Muxhahedinëve të Popullit, kundërshtarë të regjimit iranian që u vendosën në vend pas rënies së Sadam Huseinit në Irak.

Një lëvizje spontane

Gjithçka nisi kur Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan, publikoi një video ku fliste për ishullin parajsor që kishte “zbuluar” gjatë një udhëtimi me jaht në Mesdhe së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner. Më pas erdhi projekti turistik prej 1.4 miliardë dollarësh, i mbështetur nga fondi i investimeve i Kushnerit.

Rama ngriti një pyetje interesante: a do të kishte hasur ky projekt të njëjtin kundërshtim nëse nuk do të lidhej me familjen Trump? Është e vështirë të jepet një përgjigje e sigurt.

Sidomos po të kemi parasysh se pjesë të tëra të bregdetit shqiptar janë dëmtuar ndër vite nga zhvillime turistike të pakontrolluara, pa shkaktuar reagime të krahasueshme publike.

Megjithatë, pavarësisht argumenteve të Ramës, kjo çështje është shndërruar pa dyshim në një krizë të rëndësishme politike në vendin më të varfër të Evropës, ku korrupsioni ka qenë një nga pengesat kryesore të zhvillimit që prej daljes nga komunizmi i izoluar dhe dogmatik, më shumë se 30 vjet më parë.

Ky “revolucion i flamingove rozë” ngjan me shumë lëvizje spontane që kemi parë në vitet e fundit në vende të ndryshme të botës: pa udhëheqës të qartë dhe pa struktura të organizuara, por të afta të mobilizojnë turma të mëdha njerëzish.

Lea Ypi, intelektualja shqiptare më e njohur në arenën ndërkombëtare dhe profesoreshë e teorisë politike në London School of Economics and Political Science, e ka mbështetur publikisht këtë lëvizje.

Sipas saj, protesta përfaqëson një formë të re të aktivizmit qytetar në Shqipërinë postkomuniste dhe shpreh një kërkesë të fortë për respekt demokratik. Megjithatë, gjatë një vizite në Paris këtë javë, Ypi e pranoi se një lëvizje e tillë nuk ofron domosdoshmërisht një alternativë apo perspektivë të qartë politike.

Parulla e protestuesve, “Shqipëria nuk është në shitje”, pasqyron më së miri frymën e kësaj lëvizjeje: një përzierje shprese dhe vigjilence në një moment kur vendi po përgatitet të hyjë në Bashkimin Evropian, teorikisht para vitit 2030.

Rreth 90 për qind e shqiptarëve e mbështesin anëtarësimin në BE, por njëkohësisht po tregojnë se nuk janë të gatshëm ta shesin vendin e tyre te ofertuesi më i lartë. Tani i takon Edi Ramës të bindë “revolucionin e flamingove rozë” se ai nuk është ai që kundërshtarët e tij pretendojnë.

Një gjë është e sigurt: kjo nuk do të arrihet duke fyer dhe përçmuar protestuesit./ Përshtati "Pamfleti" Nga “France Inter”.

protestat kunder rames

1 Komente

  1. S
    Shqipria e shitur

    Per te vertetuar ne se Rama dhe qeveria e tij eshte apo jo mafioze i takon strukturave antikorrupsion ose SPAK. Por fatkeqesisht situatat tregojne se tashme kjo strukture po ecen ne sintoni me deshirat dhe politikat e Rames. Ben sikur nuk i shikon prapesite e Rames dhe qeverise. Arsyet? Gjykoni qe nga heshtja e plote lidhur me pallatin qe u dogj te Farmacia 10. Kush banon atje nga SPAK??? Dikush thote se ja, kane bere arrestime?????? Po, jane bere, pasi u duhen edhe per statistika e per te thene se luftuam pandeshkushmerine dhe korrupsionin , ndaj na pranoni ne BE. Po pasurit e politikaneve te arrestuar a u jane konfiskuar??? Noc Rrokun do thoshte vete Rama.

    Lini një Përgjigje