TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Qershor 2026, 12:24

Brenda "Revolucionit të Flamingove" të udhëhequr nga rinia shqiptare

Shkruar nga Eleftheria Kousta
Brenda "Revolucionit të Flamingove" të udhëhequr nga
Foto nga protesta në Tiranë

Në Shqipëri, një brez i ri po ngrihet kundër korrupsionit dhe shitjes së pasurive natyrore te investitorët e huaj. Përmes rrjeteve sociale dhe artit, qytetarët po mposhtin censurën dhe frikën nga aparati shtetëror. Ky mobilizim masiv mbarëkombëtar kërkon një ndryshim rrënjësor të sistemit politik në vend.

Mbrëmjeve, pak para se të ngrysej, një turmë filloi të marshonte përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit“ në Tiranë drejt zyrës së Kryeministrit Edi Rama. Ndërsa afroheshin, tingujt e daulleve dhe thirrjet për “revolucion“ bëheshin gjithnjë e më të forta, derisa himni kombëtar jehoi në të gjithë rrugën.

Që nga 31 maji, protestuesit nisen çdo ditë në orën 18:00 nga Sheshi Skënderbej për të marrë pjesë në atë që është pagëzuar si “Revolucioni i Flamingove“. Ky shpend ikonik u zgjodh për shkak të lidhjes me zonën e mbrojtur të Vjosa-Nartës në Zvërnec, ku planet për një resort luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh i lidhur me Jared Kushner-in, manjatin amerikan dhe dhëndrin e Donald Trump kanë shkaktuar një kundërshtim të ashpër.

Dimensionet e projektit do të shkaktonin ekocid, duke rrezikuar mijëra specie në deltën e lumit të fundit të egër në Evropë. Mungesa e transparencës e ka zemëruar komunitetin e zonës, të cilit iu rrethua toka me gardh pa asnjë paralajmërim.

Protestat në Zvërnec nisën si një konflikt mes banorëve, të bashkuar me grupet mjedisore, dhe zhvilluesve që futën makineri të rënda në një ekosistem mjaft të ndjeshëm.

Megjithatë, situata shpërtheu kur një banor u dhunua dhe u tërhoq zvarrë nga policia private në prani të policisë së shtetit, e cila thjesht vështronte pa ndërhyrë. Protestuesit thonë se kjo është hera e parë që ndiejnë shpresë se sistemi mund të ndryshojë.

Me rreth 100.000 deri në 200.000 njerëz në fundjavë, kjo është lëvizja më e madhe mbarëkombëtare që nga rënia e regjimit të Enver Hoxhës. Turma thërret “Shqipëria nuk është në shitje“ dhe “Rama ik“ nën ritmin e këngës “Seven Nation Army“ të White Stripes.

Më parë, protestat si ato të shkurtit 2026 gjatë hetimeve për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku u përvetësuan nga partitë opozitare. Edhe lëvizja studentore e viteve 2018-2019 kundër privatizimit të arsimit të lartë, ndihmoi në ndërgjegjësimin e të rinjve, por u mbyll vetëm me heqjen e tarifave. Këtë herë, protestuesit kërkojnë shumë më tepër.

Më të bashkuar se kurrë

Si një kryengritje e udhëhequr nga rinia, për shumë njerëz kjo lëvizje është kthyer edhe në një formë socializimi. “I themi njëri-tjetrit me shaka se takimet për kafe i kemi zëvendësuar me daljen në protestë“, thotë Sara, një protestuese 23-vjeçare.

Olsi Nika, drejtues i EcoAlbania, shpjegon se sistemi aktual politik e ka lënë pas dore “Gjeneratën Z“. “Shumica e protestuesve janë të rinj të rritur me një mentalitet progresist evropian. E si mund të pranohet një formulë e udhëhequr nga një elitë që ende operon me mentalitetin e regjimit të vjetër?“, pyet ai.

Edhe pse lëvizja nuk ka udhëheqje të përcaktuar, gjithsecili ndihmon si të mundet. Një i moshuar sjell fruta falas, një çift shpërndan shishe me ujë, ndërsa një grup miqsh mbledh mbeturinat që punonjësit e bashkisë të mos mbajnë peshën e situatës.

“Kjo është një padrejtësi. Toka jonë po u shitet investitorëve të huaj pa transparencë“, shprehet Tea, pjesë e grupit të pastrimit.

Vullnetarët kanë ngritur edhe një “kënd për fëmijë“. Shpesh në shesh sheh tre breza të së njëjtës familje. “E gjitha kjo bëhet që të rinjtë të kenë një të ardhme këtu. Jam këtu për time bijë“, thotë 42-vjeçarja Elvira.

Sidorela Vatnikaj, aktiviste e çështjeve sociale, bashkoi forcat me grupe të ndryshme për mbështetjen logjistike. Ajo shpenzoi para nga xhepi për sistemin e fonisë, duke ftuar qytetarët të flasin lirshëm, pa pasur nevojë për lista.

Të gjithë të rinj, të moshuar, aktivistë dhe banorë ruralë kanë dalë për të motivuar turmën që të mos dorëzohet. Çdo mbrëmje, njerëz të rinj flasin përpara turmës. Në ditën e 14-të, pjesëtarë të diasporës që udhëtuan drejt vendlindjes ndanë historitë e tyre mbi vështirësitë e emigrimit, duke theksuar se nuk do të tolerojnë një qeveri që dëbon të rinjtë.

Vatnikaj shton se shumë njerëz erdhën me një biletë vetëm “vajtje”, duke parë shpresë për ndryshim. Po kështu, Maja, një veterinare që jeton në Suedi, mori lejen vjetore për të protestuar në Tiranë. Ndërkohë, diaspora shqiptare ka marshuar në shenjë solidariteti në qytetet kryesore të botës.

Organizimi në epokën dixhitale

Lidhja e njerëzve përmes internetit ka qenë thelbësore për nxitjen e mobilizimeve.

“Lëvizja organizohet tërësisht online“, thotë Gent Fetahaj, ekspert i turizmit. Ai tregon në telefon se si vendndodhja e protestës është shënuar në Google Maps si “Flamingo Revolution“, me vlerësime maksimale.

Rrjetet sociale u bënë kryesore edhe për shkak të rënies së besimit te mediat tradicionale. Marjola, studente biologjie, krijoi grupe online me miqtë për t'u koordinuar: “Rrjetet sociale ishin e vetmja mënyrë për t'u informuar, pasi mediat kryesore shqiptare nuk raportuan veçse shumë më vonë“.

Alisa, një tjetër studente, shton: “Media këtu nuk është e besueshme. Mediat tona publike nuk i mbuluan protestat për pesë ditë, derisa nuk patën më zgjedhje tjetër…“.

Humori i protestës është një tjetër karakteristikë, ku pjesëmarrësit përdorin meme për të shprehur pakënaqësinë. Disa pankarta tallen me Ivanka Trump-in, e cila deklaroi se kishte “zbuluar“ ishullin e Sazanit ku Kushner planifikon një tjetër resort dhe se ishte ngjitur në të zbathur.

Artistët kanë krijuar imazhe të fuqishme. “Ne po përpiqemi të përcjellim pakënaqësinë përmes artit“, thotë Argita Dulaj, arkitekte që mbante pankartën “Duart jashtë Vjosa-Nartës“. Ajo po proteston sepse qeveria po vepron në mënyrë arbitrare, duke ndërtuar mbi zonat e mbrojtura pa asnjë konsultim publik.

Çështjet e mëdha në sfond

Shqipëria kaloi në demokraci 35 vjet më parë dhe pushteti u përqendrua në pak duar. Drejtësia tranzicionale e paplotë ka lënë shumë plagë që tani po kthehen në kauza në protesta, si frika nga aparati shtetëror dhe rrëmbimi i tokave përmes boshllëqeve ligjore.

“Kjo nuk është demokracia që kemi ëndërruar. Ky zemërim është grumbulluar prej kohësh“, thotë Vatnikaj. Shteti po përpiqet t’i frikësojë njerëzit përmes policëve civilë që ushtrojnë presion në turmë, ndërsa qytetarët përballen edhe me kërcënime për humbjen e punës.

“Ata e kanë vrarë frikën tonë. Nuk kemi më frikë nga propaganda e patronazhimit”, shton Alisa. Shqetësimet po shkojnë përtej kauzës fillestare. Njerëzit ngrenë probleme mbi infrastrukturën e rrënuar, shërbimet publike, autoritarizmin dhe korrupsionin. “Kjo qeveri ndihmon vetëm oligarkët; po rritet ndarja mes të pasurve dhe të varfërve“, deklaron Alisa. Pranë saj, një korrier i Wolt ka ngjitur në motor tabelën: “ekonomist me profesion, korrier nga nevoja“.

Argita Dulaj kërkon shfuqizimin e Ligjit Nr. 21/2024, i cili i jep të drejtë kryeministrit të përshpejtojë projektet në zonat e mbrojtura. “Ne kemi probleme të mëdha dhe investimet në resortet turistike nuk zgjidhin asgjë.

Qeveria fton kompani të huaja për projekte me buxhet të lartë, ndërsa nga ne pret vetëm të jemi pastrues apo banakierë. Dua t’i përdor aftësitë e mia për të ndihmuar vendin tim, jo për të punuar për miliarderët“, thotë arkitektja.

Që lëvizja të jetë e suksesshme, kërkesat duhet të bëhen më konkrete. Fetahaj shpjegon se presioni ndërkombëtar erdhi sepse Vjosa-Narta është një çështje që i kalon kufijtë për shkak të biodiversitetit dhe lidhjes me Rezervën e Biosferës së UNESCO-s.

“Kjo çështje lidhet me integrimin në BE dhe kjo është strategjia që duhet të ndjekim për rezultate konkrete. Duhet t’i fokusojmë kërkesat në pak pika“, thekson ai. Thirrja e Bashkimit Evropian për të pezulluar ndërtimet në Vjosa-Nartë u konsiderua një fitore e madhe.

Për momentin punimet kanë ndaluar, por aktivistët po monitorojnë situatën. Nika nuk e vendos në qendër çështjen mjedisore: “Në lojë është dinjiteti dhe identiteti ynë. Nëse këto vlera humbasin, e kemi humbur lidhjen me atë se kush jemi. Nëse protestat nuk prodhojnë një plan të qartë politik, do të na duhet të presim edhe 30 vite të tjera për protestat e ardhshme studentore“.

Njerëzit ndihen më të fortë dhe të ndërgjegjësuar. “Edhe pse qeveria nuk po na merr seriozisht, ne jemi e ardhmja e këtij vendi dhe do ta formësojmë vetë atë“- përfundon Marjola. Për Alisën, fitorja e parë është arritur: "Njerëzit mposhtën frikën dhe dolën në rrugë. Ne nuk kthehemi më pas!"./Përshtati "Pamfleti", nga “Waging Nonviolence”

 

\\ të udhëhequr nga rinia shqiptare

1 Komente

  1. G
    Glaukias

    Mjafton të shikosh se kush e ka shkruar që të kuptosh arsyen !! Gazetare : Eleftheria Kousta...

    Lini një Përgjigje