TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Maj 2026, 11:00

Kryeprokurori i Barit: Mafia shqiptare po zgjerohet në Itali, goditëm një rrjet të rrezikshëm kriminal

Shkruar nga Pamfleti
Kryeprokurori i Barit: Mafia shqiptare po zgjerohet në Itali, goditëm
Kryeprokurori i Barit dhe kryeprokurori i SPAK në konferencë për mediat

Një operacion i përbashkët mes SPAK dhe strukturave antimafia në Bari ka çuar në goditjen e një grupi kriminal që ushtronte aktivitet në Shqipëri dhe Itali.

Gjatë një konference të përbashkët për mediat me kryeprokurorin e Barit, kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho, bëri të ditur se gjatë hetimeve janë sekuestruar rreth 1 milion euro cash, si dhe pasuri të tjera që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.

Nga ana tjetër, kryeprokurori i Barit vlerësoi bashkëpunimin mes autoriteteve italiane dhe SPAK, duke theksuar se hetimet kanë zbuluar disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre edhe një vrasje të ndodhur në rajonin e Pulias, e cila sipas tij tregon shtrirjen e grupeve mafioze shqiptare edhe në territorin italian. Ai nënvizoi gjithashtu se operacioni ka evidentuar lidhje dhe bashkëpunime mes organizatave kriminale.

Kryeprokurori italian vuri në dukje edhe rëndësinë e masave të ndërmarra nga SPAK për sekuestrimin e parave dhe pasurive të dyshuara si produkt i krimit, ndërsa falënderoi autoritetet shqiptare për arrestimin e një personi të kërkuar si në Shqipëri ashtu edhe në Itali.

Ai shtoi se bashkëpunimi mes palëve, i mbështetur edhe nga Eurojust, vijon prej 10 vitesh dhe do të forcohet më tej edhe në të ardhmen, duke shprehur bindjen se Shqipëria do të arrijë të luftojë me sukses grupet mafioze.

“Kemi zbuluar disa ngjarje kriminale. Një vrasje. Një bashkëpunim mes grupeve mafioze. Një vrasje e regjistruar në rajonin e Pulias në Itali që tregon në një farë mënyrë zgjerimin e mafias shqiptare në territorin tonë. Po ashtu edhe masat që ka dhënë SPAK për sekuestrim të parave dhe pasurisë. Kemi bërë një punë shumë të mirë me SPAK. E falënderojmë për arrestimin e një personi që ishte i kërkuar në Shqipëri dhe në Itali. Falë edhe Eurojust, një bashkëpunim zgjat prej 10 vitesh dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë. Jemi të bindur që Shqipëria do arrijë të luftojë me forca mafian e saj dhe ne do i qëndrojmë pranë. Do kemi bashkëpunime të ndërsjella”, tha kryeprokurori i Barit.

kryeprokurori i barit mafia shqiptare itali

Lini një Përgjigje